1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konflikti kufitar në Kosovë pengon rrugën evropiane të Serbisë

29 Korrik 2011

Ministrja e Jashtme e BE-së, Catherine Ashton ka vendosur të dërgojë në Serbi dhe Kosovë të ngarkuarin e saj në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradin Robert Cooper. Ai ka përvojë në ndërmjetësimin.

https://p.dw.com/p/126Q4
Ashton dhe Thaçi.
Catherine Ashton dhe Hashim Thaçi gjatë një takimi.Fotografi: DW

Nga marsi deri në korrik të vitit 2011 me ndërmjetësimin e BE-së janë arritur marrëveshjet e para mes Kosovës dhe Serbisë. Më 2 korrik janë nënshkruar dokumentet e para mes këtyre dy vendeve. Dialogu mes autoriteteve të Serbisë dhe Kosovës ishte në një rrugë të mirë, deri në fillim të javës së kaluar, kur shkallëzoi gjendja në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, që rezultoi edhe me vrajsen e një polici. KFOR-i ndërhyri më vonë dhe mori kontrollin e kufirit, ndërsa palët fajësojnë njëra-tjetrën për shkallëzimin e gjendjes.

Robert Cooper
Robert CooperFotografi: CC-BY-EU

BE-ja po përpiqet të jetë neutrale në konflikt. Ministrja e Jashtme Catherine Ashton ka kërkuar prej Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës të rikthehen në tavolinën e bisedimeve dhe "të jenë shumë të përmbajtur".

Vendimi në tetor

Një zëdhënëse e BE-së nuk deshi të flasë të premten (29.07.2011) nëse këtë vit Serbia do të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Vendimi do të merret deri në mes të tetorit, tha ajo.

Serbia nuk e njeh Kosovën, e cila në vitin 2008 ka shpallur pavarësinë. Ajo e sheh këtë territor ende si pjesë të saj. Ndërkohë që pavarësinë e Kosovës e kanë njohur deri tani 76 vende. Kosova është e banuar kryesisht me shqiptarë dhe një minoritet të vogël serb. Ndër vendet që kanë njohur Kosovën janë edhe shtetet më të mëdha perëndimore, si SHBA, Gjermania, Britania e Madhe, Italia. Por zonjës Ashton ia vështirëson punën fakti që Kosovën ende nuk e kanë njohur të gjitha vendet anëtare të BE-së, si Rumania, Spanja, Qipro, Greqia dhe Sllovakia

"Serbia kohët e fundit ishte në rrugë të mirë"

Pamje nga Kosova.
Kriza në Kosovë vazhdonFotografi: dapd

Ambasadori i BE-së në Beograd Vincent Degert, deklaroi në një invervistë për portalin e internetit Euractiv, se Serbia "ndodhet në rrugë të mirë për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim". Serbia i ka arrestuar kohët e fundit dhe i ka dorëzuar në Hagë dy të akuzuarit e fundit për krime lufte, Ratko Mlladiqin dhe Goran Haxhiqin. Ndërkohë që ka punuar mirë edhe në plotësimin e kushteve të tjera. Janë nisur reforma të ndryshme në sistemin juridik dhe financimin e partive politike. Deficite ka ende në luftimin e korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar. Në veçanti gjendja e vështirë është në dialogun me Kosovën, ku ende ka ngecje dhe probleme tepër të mëdha.

PE ushtron kritika ndaj Serbisë

Bernd Posselt, deputet e CDU-së në Parlamentin Evropian (PE) kritikon ashpër Serbinë. Përderisa ky vend konteston kufirin me Kosovën, rruga për në Evropë nuk mund të vazhdojë, tha ai në një intervistë për Deutsche Wellen.

"Disa forca destruktive në Serbi nuk duan ta kuptojnë se pavarësia e Kosovës është përfundimtare dhe e pakthyeshme", thotë ai. Posselt kritikon edhe përpjekjet e zonjës Ashton që të jetë neutrale. Pas thyerjes së një banke, vjedhësi duhet të nxirret para gjyqit dhe jo të ftohet në tryeuzën e bisedimeve, thekson ai.

BE-ja ka në Kosovë një mision prej rreth 3000 personash. Ashton mendon se EULEX-i duhet të punojë më shumë në përafrimin mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. BE-ja e ka kritikuar policinë kosovare për ndërhyrje të njëanshme në kufi. Kjo nuk ka ndihmuar shumë gjendjen, tha një zëdhënëse e Komisionit të BE-së.

Autor: Bernd Riegert/Bahri Cani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora