1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ägypten Kopten Muslime

10 Maj 2011

Qeveria egjiptiane sheh dorën e kundërrevolucionarëve në përleshjet e përgjakshme midis myslimanëve dhe koptëve të krishterë. Me këtë ajo i shpjegon punët më thjeshtë se janë në të vërtetë.

https://p.dw.com/p/11ChV
Dhunë mes koptëve e myslimanëve në Kairo
Dhunë mes koptëve e myslimanëve në KairoFotografi: dapd

Që prej blogerave prodemokratikë dhe aktivistëve të Facebook-ut deri te ministri i drejtësisë Abdel Asis el-Gindi, shumica e egjiptianëve duket se janë të një mendjeje: trazirat e përgjakshme midis të krishterëve koptë dhe myslimanëve ultrakonservatorë nuk qenë konflikt "i vërtetë" ndërfetar. Ato u nxitë nga forca të regjimit të Hosni Mubarakut, për të diskredituar demokracinë që po lind.

Këtë mund ta besosh ose jo- dëshmi të forta deri tani nuk ka. Nuk vihet në diskutim që shkallëzimi i dhunshëm midis koptëve dhe myslimanëve e rrezikon të ardhmen e eksperimentit demokratik egjiptian. Thirrjet për një dorë të fortë dhe për veprime të vendosura në këto rrethana dëgjohen detyrimisht më fort. Që tani të krijohet përshtypja se forcat egjiptiane të sigurisë janë krejtësisht të mbingarkuara me situatën aktuale.

Nëse janë me të vërtetë forca të errëta të regjimit të vjetër ato që i lëvizin fijet në prapaskenë, këtë do të duhet ta tregojnë hetimet. Ndikimi i forcave të tilla nuk duhet nënvleftësuar, për të përfituar ato do të përfitojnë patjetër: kur kërcënohet bashkëjetesa paqësore e qytetarëve, në rrezik vihen edhe arritjet e revolucionit. Në këtë rast nuk mjafton që ministri i Brendshëm të flasë për "kundërrevolucion" dhe të bëjë thirrje për unitet midis popullit, policisë dhe ushtrisë. Që shumë egjiptianë mendojnë njësoj si ai dhe që shumë qytetarë dhe klerikë e dënojnë qartë dhunën, është vërtet një shenjë pozitive. Por problemet e vërteta janë më të thella.

Fakt është që marrëdhëniet e vërteta ose të supozuara të dashurisë midis koptëve dhe myslimanëv ngërthejnë në të dyja palët gjithmonë një potencial të rrezikshëm. Fakt është edhe që në të dyja krahët ka forca që janë të gatshme të përfshihen në çdo shkallëzim situate. Që forcat radikale islamike po shfaqen gjithnjë e më dukshëm në Egjiptin postrevolucionar të jep shkas për shqetësim- edhe nëse këta njerëz nuk përfaqësojnë shumicën e egjiptianëve. Diskriminimi strukturor i koptëve deri tani ka mbetur i pandryshuar. Të gjitha këto duhet të zgjidhen politikisht në dialog - dhe jo vetëm me parulla uniteti kombëtar.

Autor: Rainer Sollich

Redaktoi: Aida Cama