1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konflikti në Lindjen e Mesme ndërpret trafikun ajror në Tel Aviv

A Verbica (dpa, afp)23 Korrik 2014

Për arsye sigurie të gjitha linjat ajrore të SHBA, si dhe Lufthansa dhe Air France, nuk fluturojnë më në aeroportin kryesor izraelit. Vendimi nuk është i motivuar politikisht, siguroi ministri i jashtëm Kerry.

https://p.dw.com/p/1Cgw5
Fotografi: Reuters

Pas kritikave nga Izraeli për ndalimin paraprak të fluturimeve në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit qeveria amerikane është ndjerë e detyruar të shpjegohet. Masa shërben vetëm për të mbrojtur qytetarët dhe linjat ajrore, siguroi Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, në një intervistë telefonike, njofton ministria e tij.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme amerikane Jennifer Psaki theksoi se vendimi i agjencisë amerikane të aviacionit FAA të martën, që të gjitha shoqëritë ajrore amerikane të ndalojnë fluturimin dhe aterrimin për shkak të goditjes së një rakete pranë aeoportit, do të shqyrtohet brenda 24 orëve. Më parë zëvendësja e saj Marie Harf kishte theksuar, se ndalimi për linjat ajrore si dhe paralajmërimi i dhënë qytetarëve amerikanë për të mos udhëtuar në Izrael, në Jordanin Perëndimor dhe në Rripin e Gazës nuk janë përpjekje për ta detyruar Izrael, që të bëjë armëpushim me lëvizjen palestineze Hamas.

Lufthansa nuk fluturon për 36 orë për në Tel Aviv

Menjëherë pas ndalimit të nisjes dhe aterrimit të linjave ajrore amerikane edhe shumë linja ajrore evropiane, si Lufthansa gjermane dhe të gjitha kompanitë në Grupin Lufthansa si dhe Air Berlin, Air France dhe KLM holandeze ndërprenë fluturimet e tyre të planifikuara për në aeroportin Ben Gurion. British Airways i ka vazhduar fluturimet. Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit (EASA) rekomandoi që të mos fluturohet për në Ben Gurion "deri në një njoftim të mëtejshëm".

Të martën në mëngjez 1,6 kilometer larg aeroportit ra një raketë që vinte nga Rripi i Gazës. Ben Gurion është aeroporti më i rëndësishëm i Izraelit dhe pika më e rëndësishme e navigimit të avionëve. Lajmi për goditjen e raketës shkaktoi shqetësim në linjat ajrore, sidomos duke patur parasysh goditjen e supozuar të avionit të Malaysia Airlines MH17 në Lindjen e Ukrainës, ku zhvillohen luftime.