1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konfrontim jo ujdi në Francë

Kerstin Gallmeyer29 Maj 2016

Kundërshtarët e reformës së tregut të punës në Francë nuk duan të dorëzohen, përkundrazi strategjia e tyre është konfrontimi. Konflikti me shumë gjasa do të prekë edhe Kampionatin Evropian të Futbollit në Francë.

https://p.dw.com/p/1IwLf
Frankreich Proteste Paris
Protesta në ParisFotografi: picture-alliance/AP Photo/F. Mori

Franca nën hijen e grevave dhe protestave: Sindikata e fuqishme franceze, CGT dhe aleatë të saj prej ditësh e përplasin grushtin mbi tavolinë, CGT e Force Ouvriere organizojnë protesta dhe greva, madje edhe gjatë Kampionatit Europian të Futbollit, si kanë paralajmëruar. Strategjia: Shkallëzimi i protestave. Një sërë reaktorësh bërthamorë e kanë reduktuar prodhimin, ndërkohë që tetë rafineritë e naftës vazhdojnë të ndodhen në grevë. Megjithëse qeveria po përpiqet të zhbllokojë situatën, karburanti është mall shumë i kërkuar në Francë këto ditë.

Për shkak të ngushticave në furnizimin me karburante, aviacioni civil (DGAC) u rekomandon shoqërive tv fluturimit furnizimin me kerozinë jashtë Francës. Presidenti francez François Hollande i qëndron besnik reformës. Nga Japonia ku ndodhej për punimet e samitit të G7-s, (27.05) ai siguroi se janë marrë masat e nevojshme. „Prioritet kryesor është që konsumatorët dhe institucionet më të rëndësishme të furnizohen me karburant. Duhet të bëjmë të pamundurën të vazhdojmë të ecim përpara dhe të mos e bllokojmë ekonominë.“

Frankreich Proteste Paris
Fotografi: picture-alliance/epa/G. Horcajuelo

Pika kryesore e konfliktit të sindikatave me qeverinë është neni dy i ligjit të planifikuar për reformimin e tregut të punës. Ai parashikon që në të ardhmen marrëveshja e punësimit të bazohet në kontrata tarifash sipas ujdisë mes sindikatave dhe punëdhënësve, dhe tarifa për punonjësit sipas sektorëve të ekonomisë. Me këtë liberalizim firmave apo koncerneve u jepet mundësia të vendosin vetë për zgjatjen e orarit të punës dhe mënyrës së kompensimit të mbiorëve. Presidenti Hollande ka theksuar se kjo pjesë e reformës nuk do të preket: „Kemi nevojë për ujdi të tilla në nivel biznesesh, të cilat ndikojnë në aftësinë e konkurrencës dhe për më shumë siguri për punëmarrësit. Prandaj do të këmbëngul tek kjo reformë, sepse mendoj se kjo reforma e duhur dhe se ne duhet ta miratojmë atë.“

Si qeveria ashtu edhe kundërshtarët e reformës nuk duan të dorëzohen: Në ditën e protestave në shkallë vendi të enjten (26.05) madje pati përleshje me policinë, me pasojë 70 arrestime.

Sindikata franceze, CGT e refuzon tërësisht ligjin e ri dhe kërkon nga qeveria tërheqjen e plotë të reformës. Ndërsa Jean-Claude Mailly nga sindikata „Force Ouvrière“ është i gatshëm nëse plotësohen disa kushte që të kthehet në tryezën e negociatave. „Ata thonë se bëhet fjalë për negociata. Unë them atëherë fshijeni nenin 2 dhe kërkoni nga përfaqësuesit e punëdhënësve dhe negociatave të ulen për bisedime.“

Gjendja në Francë shkallëzohet pikërisht dy javë para startimit të Kampionatit Europian të Futbollit që zhvillohet në Francë. Në një njoftim të shtatë organizatave të punëmarrëvse, studentëve dhe nxënësve kanë bërë thirrje për zgjerimin e protestave dhe grevave. Më 14 qershor është paralajmëruar një ditë kombëtare e protestës në Paris. Ndërkohë në fillim të qershorit priten greva të metrosë dhe aeroporteve. Metroja e Parisit do të bëjë grevë pikërisht më 10 qershor, ditën kur bie bilbili për Kampionatin Europian. Në Francë duket se hendeku për moment është i pakapërcyeshëm.