1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Uashingtoni kërkon sanksione të ashpra kundër Moskës

afp dpa rtre (mck)12 Mars 2014

Për shkak të krizës në gadishullin ukrainas, Krime, Kongresi amerikan kërkon masa të forta ndëshkimi kundër Moskës. Presidenti Barack Obama pret sot kryeministrin e përkohshëm të Ukrainës.

https://p.dw.com/p/1BNkP
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në kuadër të konfliktit në Krime, Kongresi amerikan ka kërkuar një tërheqje të menjëhershme të trupave ruse nga gadishulli ukrainas si dhe sanksione më të ashpra kundër Moskës. Në një rezolutë të miratuar njëzëri në Senat, thuhet që Rusia do të duhej të përjashtohej nga Grupi i tetë vendeve më të indrustrializuara të botës (G-8). Gjithashtu i bëhet thirrje Federatës Botërore të Futbollit, FIFA, që ta mendojë edhe një herë vendimin e saj për zhvillimin e Kampionatit Botëror të Futbollit në 2018 në Rusi. Edhe Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë përkatse. Zedhënësi i saj, republikani John Boehner tha se presidenti rus Vladimir Putin ka dëshmuar që ai është një rrezik për stabilitetin në rajon. Për këtë ai “ duhet të japë llogari”. Kjo rezolutë dënon shkeljen e sovranitetit të Ukrainës nga ana e forcave ushtarake ruse dhe bën thirrje për vendosjen e vëzhguesve ndërkombëtarë në Krime dhe rajone të tjera të Ukrainës. Ndërkohë gjatë ditës së sotme (12.03) presidenti Barack Obama do të takohet në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin e përkohshëm të Ukrainës, Arseni Jazenjuk.


Më parë Parlamenti i Krimesë kishte miratuar me 78 vota pro nga 100 të mundshme, deklaratën e pavarësisë nga Ukraina, e cila është e nevojshme për të mbajtur referendumin e 16 marsit. Krimeja pas stacionimit të trupave ushtarake ruse, faktikisht është nën kontrollin e Moskës.
Ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviç doli përsëri në një konferencë për shtyp nga qyteti i Rostovit në Rusi ku jeton që prej largimit nga Kievi dhe deklaroi se është presidenti i ligjshëm i Ukrainës.
Ndërsa presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksandër Turçinov e cilësoi referendumin për shkëputje nga Ukraina një mashtrim dhe theksoi se Ukraina nuk do të ndërhyjë ushtarakisht në Krime.