1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konservatorët fitojnë zgjedhjet në Britaninë e Madhe

pp/stu/gmf (afp, rtr)8 Maj 2015

Edhe pse pa shumicë absolute konservatorët fitojnë zgjedhjet në Britaninë e Madhe. Një qeveri pakice e laburistëve me mbështetjen e SNP-së duket e pamundur.

https://p.dw.com/p/1FMZf
Fotografi: Reuters/T. Melville

Në vend të garës kokë më kokë në zgjedhjet e parlamentare në Britaninë e Madhe po ravijëzohet një fitore e qartë për konservatorët e kryeministrit David Cameron. Kjo parti ka fituar sipas përllogaritjeve 316 vende, duke humbur kështu vetëm shumicën absolute prej 326 nga 650 vendeve në dhomën e ulët. Partia Laburiste e kreut të opozitës Ed Miliband fitoi 239 vende. "Në qoftë se parashikimet janë të sakta, kjo do të thotë se konservatorët kanë fituar qartë," tha Michael Gove, një person i besuar i Cameronit, në BBC TV.

SNP-ja mund laburistët në Skoci

Partneri aktual i koalicionit të Cameronit, liberal-demokratët e zëvendëskryeministrit Nick Clegg ka arritur ta fitojë mandatin e deputetit për veten e tij, por partia e tij me sa duket ka fituar vetëm dhjetë vende nga 56 që kishte deri më sot.

Partia Kombëtare Skoceze (SNP) shënon një rritje të madhe votash
Partia Kombëtare Skoceze (SNP) shënon një rritje të madhe votashFotografi: Reuters/R. Cheyne

Një rritje të madhe votash ka shënuar Partia Kombëtare Skoceze (SNP) e cila ka fituar 58 nga 59 vendet që jep Skocia në parlament. Partia anti BE United Kingdom Independence Party (UKIP) parashikohet se ka marrë vetëm dy mandate.

Konservatorët që deri tani kishin më shumë se 302 vende, duket se do të kenë nevojë përsëri për një partner koalicioni. Nëse konfirmohen rezultatet e deritanishme koalicioni aktual me liberal-demokratët do të ketë vetëm një shumicë të vogël në parlament. Nëse Cameroni do të vazhdojë të mbetet në post, ekziston rreziku që Britania e Madhe të dalë nga Bashkimi Evropian. Cameroni ka premtuar gjatë fushatës zgjedhore ndër të tjera se në rast fitoreje do të organizojë deri në vitin 2017 një plebishit në lidhje me anëtarësimin e mëtejshme të vendit në Bashkimin Europian. Ai kishte shpallur gjithashtu se nëpërmjet shkurtimeve për shpenzimet sociale planifikon reduktimin e deficitit buxhetor nga tani pesë për qind të PBB-së në zero deri në 2018/19. Partia Laburiste është kundër referendumit për BE-në dhe për një reduktim të ngadalshëm të deficitit buxhetor.

Laburisti Miliband e përjashton një bashkëpunim me SNP-në
Laburisti Miliband e përjashton një bashkëpunim me SNP-nëFotografi: Reuters/D. Staples

Një qeveri pakice e laburistëve me mbështetjen e SNP-së duket e pamundur. Liderja e partisë SPN, Nicola Sturgeon, ishte shprehur për një gjë të tillë gjatë fushatës për të parandaluar qeverisjen e mëtejshme të Cameronit, por Miliband e përjashton një bashkëpunim me SNP-në.

Koalicionet të pazakonshme për britanikët

Për të marrë pjesë në votime ishin ftuar më shumë se 45 milionë britanikë. Ndarja e saktë e vende në Parlament pritet të përcaktohet gjatë ditës së sotme. Në Britaninë e Madhe është në fuqi sistemi maxhoritar dhe në parlament zgjidhet vetëm deputeti me shumicën e votave në zonën e tij. Votat e tjera nuk kanë vlerë.

Ekspertët parashikojnë se formimi i qeverisë do të zgjasë disa javë, sepse koalicionet janë për britanikët ende diçka e pazakontë. Pas koalicionit të parë të vitit 1945 e deri në zgjedhjet e vitit 2010 në Britaninë e Madhe laburistët apo konservatorët kanë qeverisur gjithmonë të vetëm pa partnerë koalicioni.