1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

020709 Bulgarien Wahl

3 Korrik 2009

Në zgjedhjet parlamentare në Bullgari partia e re konservatore GERB ka shanset më të mira për fitore. Korrupsioni është tema e përhershme e fushatës zgjedhore, qytetarët kërkojnë në radhë të parë përmirësimin e gjendjes.

https://p.dw.com/p/IgRq
Parlamenti i Bullgarisë ka numrin më të madh të deputetëve nga parlamentet rajonale. Ne foto: Parlamenti i Bullgarisë
Parlamenti i Bullgarisë ka numrin më të madh të deputetëve nga parlamentet rajonaleFotografi: DW

Asambleja Kombëtare ka 240 vende - shumë për një vend të vogël ballkanik

Parlamenti i Bullgarisë, Asambleja Kombëtare ka 240 vende - shumë për një vend të vogël ballkanik dhe shtrenjtë për vendin më të varfër të BE-së, dëgjon shumë të thonë. Por ky numër deputetësh është i sanksionuar në kushtetutën e vitit 1991 dhe ato përpjekje të pakta për ta ndryshuar ishin të destinuara të dështonin që në fillim, meqenëse vullneti politik thjesht mungonte.

Qytetarë për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë“ (GERB) me shanse më të mëdha në zgjedhje

Si favorit në zgjedhje konsiderohet partia e kryebashkiakut të Sofies, Borisov, „Qytetarë për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë“ (GERB). Partia konservatore e themeluar para një muaji ishte fituesi i qartë i zgjedhjeve evropiane dhe dërgon shumicën e deputetëve bullgarë në Bruksel dhe Strasburg. Nga suksesi përfiton në rradhë të parë kryetari i partisë, Borisov. Lidhur me këtë, politologu gjerman, njohës i Bullgarisë, Franz-Lothar Altmann thotë:

„Edhe sikur zoti Borisov të dëmtojë tendinat, apo të thyejë këmbën duke luajtur futboll, kjo e rrit popullaritetin e tij."

Eshtë emri i tij prej njeriu të patrembur të aksionit, që e bën atë kryetarin e GERB-it të preferuar në popull

Nga vjen kjo dashuri e pamatë e popullit për Borisovin? Ajo nuk shpjegohet dot me faktin se ai ka qenë përgjegjës për sigurinë e dy burrështetasve bullgarë, të kryetarit shumëvjeçar të shtetit dhe të partisë Teodor Zhivkov dhe pak më vonë të ish carit, Simeoni i II. Më tepër është emri i tij prej njeriu të patrembur të aksionit, që e bën atë hero të popullit. Tani për shembull, kryetari i bashkisë së Sofies me flokë të prera shumë shkurt, premton se do t'i lajë pa mëshirë hesapet me korrupsionin. Po a është në gjendje ai ta bëjë këtë? Dhe kjo në një vend, ku oligarkët jo vetëm, që janë pjesë e ekzekutivit, por kontrollojnë edhe parlamentarë, administratën shtetërore dhe gjykatat?

Bullgarët besojnë se politikanët i tolerojnë krimet, në vend që t'i luftojnë ato.

Shumë bullgarë janë të bindur se interesat e politikës dhe të kriminalitetit janë të ndërthurura fort. Ata besojnë se politikanët i tolerojnë krimet, në vend që t'i luftojnë ato. Këtë nuk e mohon as Georgi Nikolov, kryetar i rinisë socialiste bullgare (BSM), brezit të ri të socialistëve qeverisës.

„Politika në Bullgari është e inskenuar dhe autoritare. Në politikë shkohet për t'u pasuruar. Nuk ka pikësynime, ata janë të mjegulluara," thotë shefi i socialistëve të rinj. Prandaj edhe zhgënjimi i madh i zgjedhësve bullgarë, shton Georgi Bliznashki, docent për të drejtën kushtetuese dhe vëzhgues zgjedhor në Bullgari.

„Ka një pakënaqësi të madhe te njerëzit. Grupe të tëra të shoqërisë e ndjejnë vetën të lënë pas dore, ata nuk shohin perspektivë për vete. Prandaj nga ky vend largohen aq shumë, për ta gjetur fatin jashtë shteti."

Shumë bullgarë nuk do të kenë mundësinë të votojnë edhe në Gjermani

Afro një milionë bullgarë kanë emigruar pas rrëzimit të komunizmit në vitin 1989. Grupet më të mëdha të popullatës të larguara nga Bullgaria jetojnë sot në Turqi, SHBA, Britaninë e Madhe, Spanjë, Gjermani. Interesat e tyre i përfaqëson partia e themeluar jo prej shumë kohësh „Bullgaria tjetër". Ajo kritikon, që për shkak të numrit të pamjaftueshëm të lokaleve zgjedhore me 5 korrik shumë bullgarë nuk do të kenë mundësinë të votojnë edhe në Gjermani, thotë profesor Venelin Zacevski i partisë „Bullgaria tjetër“:

„Për të gjithë Gjermaninë janë vetëm dhjetë lokale zgjedhore. Katër më pak se para katër vjetësh. Kjo do të thotë, që mijëra bullgarë kryesisht në qendrat studentore si Shtutgarti apo Manhajmi janë të përjashtuar nga procesi zgjedhor, sepse lokali zgjedhor më i afërt është qindra kilometra larg tyre."

Sipas institutit për hulumtimin e opinionit Barometer-Info partia GERB është më e favorizuara nga zgjedhësit me 27 përqind. Shumë më prapa, pra me 18,5 përqind pason koalicioni për Bullgarinë (KB), i cili drejtohet nga partia socialiste në qeverisje (BSP), dhe e cila rrezikohet tani ta humbasë pushtetin. Vendin e tretë me 12,4 përqind e ka „Lëvizja për Të Drejta dhe Liri“ (DPS) – partia e pakicës turke. Shanse, për të kaluar pragun e katër përqindshit për të hyrë në parlament, e kanë edhe pesë parti të tjera, ndër ta Ataka nacionaliste dhe partia „Lëvizja nacionale për stabilitet dhe prosperitet" (NDSV).

Rroga më të larta, standart më i lartë jetese

Një anketim i zhvilluar në qershor të Institutit të Hulumtimit të Opinionit BBSS- Gallup tregon se çfarë pritet nga qeveria tjetër: Rroga më të larta, standart më i lartë jetese, ekonomi më efikase dhe rritjen e pensioneve dhe e ndihmës sociale.

Autor: Emilian Lilov / Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi