1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

270710 Deutschland Sparquote

3 Gusht 2010

Nga vendet e tjera vijnë herë pas here akuza se Gjermania është e fiksuar tepër fort dhe në mënyrë të njëanshme tek eksportet dhe se e lë shumë pas dore kërkesën e brendshme private.

https://p.dw.com/p/Oayu
A konsumojnë gjermanët tepër pak apo kanë të drejtë që të kursejnë?
A konsumojnë gjermanët tepër pak apo kanë të drejtë që të kursejnë?Fotografi: picture-alliance/dpa

Jo vetëm shtetet jugore të eurozonës kanë jetuar mbi standardet e tyre, por thuhet se edhe Gjermania mban përgjegjësi për çekuilibrat e krijuara në bilancet tregtare në Evropë. A konsumojnë gjermanët tepër pak apo kanë të drejtë që të kursejnë?

"T'i bësh gjermanët të hapin kuletat e tyre është e vështirë", i tha pak kohë më parë korrespondenti në Gjermani qendrës së revistës Economist në Londër. Ata heqin dorë edhe nga shërbimi dhe nga oferta e larmishme e mallrave nëse arrijnë të kursejnë ca euro me këtë, shkruante ai. Me 45 për qind përqindje në treg pjesa e discounter-ve si Lidl ose Aldi është në Gjermani më e lartë sa në asnjë vend tjetër. Në Britaninë e Madhe discounter-ët përbëjnë vetëm shtatë për qind.

Luftë me çmimet
Luftë me çmimetFotografi: AP

Rritet kërkesa, investimet pastaj konsumi

Gjermanët dhe konsumi i tyre privat, kjo është një çështje më vete. Hovi ekonomik ndjek në fakt një skemë klasike. Në fillim rritet kërkesa nga jashtë, pastaj investimet, dhe më pas konsumi privat. Por, hapi i fundit mungoi në Gjermani edhe gjatë hovit ekonomik të kaluar, thotë profesor Michael Grömling i Institutit të Ekonomisë Gjermane në Këln. "Eksporti morri vrull, veprimtaria investuese dhe para së gjithash tregu i punës mori vrull, por ne patën probleme në frontin e konsumit. Kjo mund të shpjegohej pjesërisht me disa efekte të veçanta. Nga njëra anë shtrenjtimi i theksuar i çmimeve të lëndëve të para, çmimet e naftës, kjo ishte një goditje e rëndë për konsumatorët privatë. Në anën tjetër duhet pasur parasysh edhe rritja e tatimit mbi vlerën e shtuar në vitin 2007. Dhe, sigurisht, në njëfarë mase edhe kursimi i gjermanëve."

Pjesa e discounter-ve si është në Gjermani më e lartë sa në asnjë vend tjetër.
Pjesa e discounter-ve si është në Gjermani më e lartë sa në asnjë vend tjetër.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Gjermanët kursejnë

Gati 13 për qind të të ardhurave të tyre të disponueshme gjermanët i kursejnë. Vetëm disa vende të Azisë Lindore janë më kursimtare, gjë që shpjegohet me sistemin lokal të sigurimit të pensionit.

Dy paketa koniunkturore ka përgatitur qeveria për të zbutur pasojat e krizës. Por, me përjashtim të një koniunkture të vogël në industrinë e automjeteve prej premios së shkatërrimit të makinave të vjetra, kjo nuk solli aq shumë. Dhe tani motoja është: konsolidim buxheti. Dhe përsëri shanset për rritje të kërkesës së brendshme private nuk janë të mira. Pra korrespondenti i revistës Economist paska të drejtë: Është tejet e vështirë t'u nxjerrësh gjermanëve para nga xhepi.

Autor: Rolf Wenkel/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama