1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kontrata rreth 9 miliardë euro - Kina dhe Gjermania forcojnë bashkëpunimin

8 Janar 2011

Zëvendëskryeministri kinez, Li Keqiang gjatë vizitës së tij në Gjermani premtoi hapjen e mëtejshme të Kinës për Gjermaninë. Por edhe Gjermania po përgatitet për firma kineze.

https://p.dw.com/p/zv8o
Zëvendëskryeministri kinez, Li KeqiangFotografi: dapd

Li Keqiang, zëvendëskryeministri kinez konsiderohet si kryeministri i ardhshëm i Kinës. Ai erdhi në Gjermani (07.01) me një delegacion të madh dhe me premtimin që devizat e mëdha të Kinës t'i vërë në përdorim për mbështetjen e eruos.

Pekini i interesuar për një Evropë të qëndrueshme

Një arsye e mirë kjo për të marrë fjalë të mira edhe nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. "Kemi sigurisht marrëdhënie shumë të ngushta, që hap pas hapi nuk po përcaktohen vetëm nga prezenca e firmave gjermane në Kinë, por edhe nga futja hap pas hapi e firmave kineze në Gjermani." Këtë zhvillim e tregojnë edhe shifrat e eksportit. Eksporti gjerman në Kinë është rritur për 45 për qind, ndërsa ai kinez në Gjermani për 34 për qind.

Deutschland China Wirtschaft Li Keqiang bei Angela Merkel in Berlin
Kancelarja Angela Merkel (CDU) dhe Li KeqiangFotografi: dapd

55 vjeçari Li, paralajmëroi, se Kina dëshiron të hapet më shumë për sipërmarrjet gjermane. Sipas tij Pekini është shumë i interesuar për një monedhë euro të qëndrueshme dhe për një Evropë të bashkuar. Përfaqësuesi kinez ka shprehur ndër të tjera interesin e vendit të tij për teknologjinë e lartë gjermane në veçanti në sektorin e energjisë, ruajtjes së mjedisit dhe bujqësisë. Kështu nuk ishte e vështirë që në këto kushte të vulosej një bashkëpunim edhe më i ngushtë në sektorin ekonomik mes dy vendeve. Gjatë vizitës së zëvendëskryeministrit kinez Li Keqiang në Berlin u nënshkruan marrëveshje dhe joint- ventures me vlerë të përgjithshme 8,7 miliardë euro. Zëri më i madh është një projekt i Volkswagenit me vlerë prej 2,6 miliardë eurosh.

Dialogu për të drejtat e njeriut

Por në takimin e zëvendëskryeministrit kinez, Li Keqiang nuk u harrua edhe një temë e rëndësishme për evropianët. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert bëri të ditur se gjatë një takimi midis Lisë dhe kancelares Angela Merkel u fol edhe për dialogun për të drejtat e njeriut. Edhe ministri gjerman i Ekonomisë Rainer Brüderle i lëvdoi raportet ekonomike me Kinën. Gjermania dhe Kina janë partnerë të mirë tregtarë, deklaroi Brüderle pas takimit me zëvendëskryeministrin kinez Li Keqiang, të zhvilluar në Berlin. Mirëpo Brüderle nuk foli vetëm për raportet e mira ekonomike. Ai kërkoi që Kina të rishikojë vlerën e monedhës Yuan në krahasim me dollarin amerikan. Shumë vende kanë kritikuar Kinën me fjalët se me qëllim po mban vlerën e ulët të Yuanit në krahasim me dollarin, për të mundësuar një eksport sa më të madh.

AG/Arapi

Redakdoi: M. Cika-Kelmendi