1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kontroll i të gjitha kazermave të Bundeswehrit

8 Maj 2017

Pas gjetjes së relikteve të tjera përkujtimore nga koha e ushtrisë naziste të Wehrmacht tani do të kontrollohen të gjitha kazermat dhe ndërtesat e ushtrisë gjermane Bundeswehr.

https://p.dw.com/p/2cZj7
Verteidigungsministerin von der Leyen Bundeswehr
Fotografi: Reuters/W. Rattay

Ministrja e Mbrojtjes von der Leyen është e bindur se vetëm sqarimi i plotë mund ta rikthejë reputacionin e trupave të armatosura.

Sa relikte nga Wehrmacht-i ka në ushtrinë gjermane sot? Inspektori i Përgjithshëm Volker Wieker do ta sqarojë përfundimisht këtë pyetje dhe dha urdhër për të kontrolluar të gjitha kazermat e ushtrisë. "Ky kontroll përfshin të gjitha ndërtesat, kazermat dhe pikat stërvitore", njofton gazeta "Bild am Sonntag" . Sipas Ministrisë së Mbrojtjes një raport paraprak pritet të jetë në dispozicion deri të martën. Shqyrtimi i të gjitha ndërtesave të Bundeswehrit pritet të përfundojë pas një jave, tha një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes.

Donaueschingen Kaserne Jägerbataillon 292
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Seeger

Pak para këtij urdhëri për inspektim të përgjithshëm qe bërë e ditur se në kazermën Fürstenberg në Donaueschingen ishin zbuluar relikte nga ushtria naziste, Wehrmacht-i.

Helmeta naziste dhe pistoleta të Wehrmacht-it

Në kazermën e batalionit 292 qe zbuluar sipas të dhënave të revistës "Der Spiegel" një vitrinë me helmeta naziste të Wehrmachtit para derës së mencës si dhe një sallë takimesh ku qenë ekspozuar një armë dhe helmeta të Wehrmacht-it nga koha naziste. Objekte të tilla ishin gjetur edhe në kazermën e oficerit Franco A., në Alsace Illkirch, që dyshohet si ekstremist i djathtë.

Ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen paralajmëroi se procesi i sqarimit që filloi tani kërkon guxim dhe qëndrueshmëri. "Ne tani duhet ta mbështesim bashkarisht me gjithë forcat tona këtë proces nga gjeneralët deri tek ushtarët e thjeshtë", tha politikania CDU-së. Ajo kërkoi mbështetjen e ushtarëve për sqarimin e këtij problemi.