1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Korrupsioni edhe më tej mbetet problem i madh në Evropë

20 Korrik 2011

Sjellja jo etike është ende e përhapur në shumë kultura biznesi në Evropë, kanë konstatuar këshilltarët e menaxhimit të Ernst & Young. Ata kanë zhvilluar anketime në 2300 sipërmarrje në 25 vende evropiane.

https://p.dw.com/p/11zJI
Fotografi: dpa

Kompanitë gjermane po bëhen më të ndjeshme në lidhje me temën e korrupsionit. Vetëm tre për qind e menaxherëve të lartë të Gjermanisë dhe dymbëdhjetë për qind e personelit e konsiderojnë ryshfetin si mjet legjitim për zgjerimin e biznesit. Në vitin 2009 një në katër vetë kishin këtë bindje. Në Evropë këtë vit janë 18 për qind e menaxherëve të lartë dhe 17 për qind e punonjësve të tjerë. Këto janë rezultatet e një studimi të firmës së kontrollit dhe këshillimit Ernst & Young me 2300 firma nga 25 vende evropiane.

Stefan Heißner
Stefan HeißnerFotografi: Ernst & Young AG

Me sa duket ka një ndërlidhje midis korrupsionit, tolerancës dhe intensitetit, me të cilin sipërmarrjet kanë vuajtur nga kriza në vende të ndryshme, supozojnë konsulentët e menaxhimit në Ernst & Young. Këtë e tregojnë rezultatet nga Gjermania, e cila e ka kapërcyer krizën më mirë se shumë vende të tjera. Ndërsa në të gjithë Evropën 27% e të intervistuarve kanë frikë se edhe më shumë sipërmarrje do të përballen me vështirësi financiare, në Gjermani ka vetëm katër për qind. "Presioni i ulët me sa duket reflektohet në një moral më të lartë te kompanitë gjermane," shkruan Stefan Heissner, kryetar i seksionit për luftimin e korrupsionit tek Ernst & Young.

Menaxherët kanë shumë pak konsideratë për njëri-tjetrin

Ernst & Young në Berlin anketoi 2300 firma
Ernst & Young në Berlin anketoi 2300 firmaFotografi: picture alliance/ZB

Mund ta shprehësh edhe ndryshe: Kush ka më pak halle financiare, ka më shumë mundësi të mendojë për etikën dhe moralin. Në pjesën tjetër të Evropës situata është ndryshe. Atje thuajse një ndër pesë të anketuar i konsideron si mjet të pranueshëm ryshfetin, dhuratat dhe "programet argëtuese", për të rritur shitjen. Në mënyrë të veçantë e theksuar është gatishmëria për të pranuar të holla në Greqi dhe në Rusi, ndërsa nga ana tjetër më të ndershëm janë në Francë dhe Norvegji, shkruajnë konsulentët e menaxhimit në studimin e tyre¸"European Fraud Survery 2011”.

Në mbarë Evropën dy të tretat e të intervistuarve thonë se korrupsioni në vendet e tyre vazhdon të jetë një praktikë e zakonshme. Veçanërisht e lartë është përqindja në vendet me zhvillim ekonomik. Në Gjermani 45 për qind e punonjësve besojnë se jeta e biznesit shpesh gërshetohet me korrupsionin. Rreth 60 për qind e të anketuarve mendojnë se menaxherët në kohë të vështira nuk i marrin seriozisht parimet e moralit, për të arritur synimet e tyre. Dhe madje 78 për qind e të anketuarve ndër kuadrot drejtues përfaqësojnë këtë mendim.

“Është më se e dukshme, që në Gjermani ka ndryshuar shumë çka," thotë Stefan Heißner. Me sa duket ryshfeti dhe korrupsioni nuk kanë më imazhin e delikteve të parëndësishme, por janë fare qartë veprime kriminale. Sot 90 përqind e të punësuarve gjermane janë të bindur se prokurorët janë seriozisht të gatshëm për të ndjekur ligjerisht shpërdorimet. Me këtë opinion Gjermania renditet së bashku me Norvegjinë në vendin e tretë në mesin e pesë vendeve me të vetëdijshme për drejtesinë pas Suedisë dhe Zvicrës dhe përpara Britanisë së Madhe. Në fund të kësaj renditjeje ndodhen Rusia, Republika Çeke, Kroacia, Ukraina dhe Irlanda.

Autor: Rolf Wenkel/Angjelina Verbica
Redaktion: Bahri Cani