1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Katër herë radhazi dështon konstituimi i kuvendit

Bekim Shehu
14 Gusht 2017

Përfaqësuesit e shteteve anëtare të QUINT-it në një deklaratë të përbashkët thonë, se "është përgjegjësi e liderëve të Kosovës që t'i krijojnë institucionet. Për katër herë radhazi dështoi konstituimi i kuvendit.

https://p.dw.com/p/2iCSa
Kosovo Parlament in Pristina
Fotografi: Reuters/H. Reka

Nuk ka pasur efekt asnjë thirrje e ambasadorëve të vendeve më të industrializuara drejtuar deputetëve të kuvendit të Kosovës që të marrin pjesë në seancë dhe të themelojnë institucionet e reja pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Për të katërtën herë sërish ka dështuar konstituimi i kuvendit për shkak të mospjesëmarrjes në seancë të deputetëve të koalicionit fitues PAN, të cilëve u takon posti i kryetarit të kuvendit.

Përfaqësuesit në Kosovë të shteteve anëtare të QUINT-it, ku bëjnë pjesë SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe, me një deklaratë të përbashkët për medie thonë, se "është përgjegjësi e liderëve Kosovarë t'i krijojnë institucionet si por edhe të ndërmarrin reformat e nevojshme që të parandalojnë bllokada të tilla në të ardhmen. Shpresojmë që liderët kosovarë, si në politikë ashtu edhe në shoqërinë civile, do të prijnë në zgjidhjen e kësaj çështjeje duke ofruar propozime konkrete. Një parim primar dhe i rëndësishëm është se deputetët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës duhet të marrin pjesë në seancat e plenare dhe të lejojnë fillimin e punës së saj", thuhet në deklaratën e QUINT-it. Më tej shprehet brenga e tyre që mosfunksionalizimi i institucioneve ka stopuar shumë procese në Kosovë.

"Jemi të brengosur me situatën politike në Kosovë. Kosova është duke u ballafaquar me shumë sfida, ato të tanishme dhe ato afatgjata duke përfshirë këtu programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, situatën energjetike por edhe nevojën për zhvillim ekonomik, fuqizimin e sundimit të ligjit, perspektivën europiane të Kosovës dhe marrëdhëniet e saj me Serbinë. Qytetarët e Kosovës meritojnë një kuvend dhe qeveri për t'u ballafaquar me këto sfida", thuhet në deklaratën e QUINT-it.

Në përpjekjen e sotme për të katërtën herë me radhe që të konstituohet kuvendi, deputetët e lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të koalicionit LAA, akuzuan drejtpërdrejt koalicionin PAN, si bllokues të konstituimit të kuvendit. Kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, thirri një takim konsultativ për ditën e mërkurë (16.08)në mënyrë që të dakordohen për vazhdimin e seancës, takim ky, siç tha, për të fundit herë që ftohen subjektet politike për këtë çështje".

"Takimi i së mërkurës do të ketë vetëm një pikë të rendit të

ditës, kur duhet të jenë të gatshëm të vinë në seancat e kuvendit dhe të dalin me emrin e kandidatit për kryetar të kuvendit. Vazhdimisht ka zhagitje e punës. Kjo është hera e fundit që thirret ky takim", tha Adem Mikullovci.

Kryetari i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosja, Glauk Konjufca, adresoi akuza ndaj koalicionit PAN, duke thënë se "ata me çdo kusht po dëshirojnë të qendrojnë në pushtet" dhe kjo është arsyeja pse nuk po marrin pjesë në seanca. "PAN-i deri tash është udhëhequr nga një logjikë totalitare dhe monopolizuese, që sipas tyre do të thotë ose duhet të jemi ne në pushtet ose nuk themelohen fare institucionet e Republikës" , tha Glauk Konjufca.

Ndërkohë, përfaqësuesit e partisë që u rendit e treta në zgjedhje, LDK-së, propozuan që çështja e bllokadës që po ndodh me mos-votimin e kryeparlamentarit të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese dhe të dihet interpretimi. Këtë e tha Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të koalicionit LAA, ku bën pjesë LDK-ja. "Ne si koalicion jemi duke shqyrtuar modalitete kushtetuese për të themeluar institucionet e vendit. Unë në emër të grupit tonë parlamentar, do të ftoj në një tryezë, ku do të ketë ftesa zyrtare për të gjitha subjektet politike për t'u ulur dhe draftuar pyetjet për Gjykatën Kushtetuese. Kjo situatë kërkon hapa kushtetues për të sqaruar bazën juridike", tha Avdullah Hoti.

Por, janë deputetët e koalicionit PAN, ata që nuk po pajtohen sesi kryesuesi i seancës deputeti nga Vetëvendosja Adem Mikullovci, po i thërret seancat, pa miratimin e koalicionit fitues që i takon me kushtetutë edhe pozita e kryetarit të kuvendit.

Anëtari i kryesisë se PDK-së, Besim Beqaj, tha pas një mbledhjeje të kryesisë së kësaj partie se "në seancën konstituive nuk mund të procedohet pa prezencën e koalicionit fitues të zgjedhjeve dhe pa prezencën e numrit të duhur të deputetëve".

"Koalicioni PAN nuk është bllokues, mandatari ka nevojë për konsulta shtesë, ne do t'i themelojmë institucionet shumë shpejtë. Dhe të gjithë ata që po përforcojnë një jo-kushtetutshmëri, po përforcojnë një abuzim dhe po krijojnë veprime pa precedent", tha Beqaj.

Në seancën e së hënës (14.08)deputetët e lëvizjes Vetëvendosja akuzuan rëndë koalicionin PAN, duke përdorur edhe emra të përveçëm, duke i lidhur me siç thanë "krimin dhe korrupsionin e deri te bashkëpunimi me kriminelë". Kjo gjuhë e përdorur sot në parlamentin e Kosovës bëri që të reagojë edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, (KMDLNJ), i cili monitoron punën e kuvendit.

"KMDLNJ konsideron se ishte një situatë krejtësisht tensionuese në debate që nuk duhej të lejoheshin. KMDLNJ i bën ftesë publike koalicionit PAN të marë pjesë në seancat konstituive të Kuvendit, kurse ka një kërkesë për kryesuesin e seancës z. Mikullovci t'i përmbahet Rregullores së kuvendit dhe të pengojë tensionimin e situatës së kuvendit. KMDLNJ kërkon nga Prokuroria e Shtetit që t'i trajtojë me seriozitet akuzat, që po bëhen në seancën e kuvendit dhe në përputhje me faktet të veprojë sipas ligjit, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.