1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Kundërthënie për asociacionin e komunave serbe

Bekim Shehu8 Shtator 2016

Nga Brukseli shqiptarët dhe serbët në qeverinë e Kosovës japin informacione kontradiktore lidhur me formimin e ekipit menaxhues për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

https://p.dw.com/p/1Jyhd
Kosovo Stellvertretende Ministerpräsidentin Edita Tahiri
Fotografi: DW/B. Shehu

Në Bruksel ekipet teknike të Prishtinës dhe Beogradit po zhvillojnë bisedime në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kësaj radhe sipas ministres së Dialogut Edita Tahiri, në Bruksel po diskutohet për lëvizjen e lirë, reciprocitetin në targat e automjeteve, kadastrën, diplomat dhe rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër. Por ajo hedh poshtë pohimet e palës serbe, sipas së cilës po diskutohet edhe për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Paraditen e së enjtes(08.09) ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Ljubomir Mariq, në një komunikatë të lëshuar nga ministria që ai drejton, thuhet se qeveria e Kosovës e ka krijuar ekipin menaxhues për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Por ky njoftim, vetëm disa orë më pas, u hodh poshtë nga ministrja e Dialogut Edita Tahiri.

Ljubomir Mariq, i cili gjendet në Bruksel, bëri të ditur emrat e katër anëtarëve - sikurse thotë - të ekipit menaxhues për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Ai tha se ekipi është emëruar javën e shkuar nga autoritetet e Prishtinës dhe do të udhëhiqet prej tij, ku për detyrë do të ketë hartimin e statutit dhe krijimin e asociacionit.

"Këtë herë procesi fillon me mbështetjen e plotë të qeverisë në Prishtinë dhe të gjithë faktorëve relevantë politikë, që është shumë e rëndësishme për ne. Ekipi gjatë këtyre dy ditëve ka zhvilluar takime njohëse me zyrtarë të ndryshëm të institucioneve evropiane", thotë ministri Mariq.

Më tej ai thotë se 2ne jemi të kënaqur me vendimin final të Hashim Thaçit dhe kryeministrit Isa Mustafa; që më në fund procesi i formimit të asociacionit ka nisur nga pika zero. Ne kemi ardhur në Bruksel për t'i njohur bashkëbiseduesit tanë dhe opinionin ndërkombëtar me vizionin e një realiteti të ri pozitiv në Kosovë, që do të vijë nga themelimi i asociacionit", thuhet në deklaratën për media të këtij ekipi.

Vetëm disa orë pas këtij njoftimi të ministrit serb në qeverinë e Kosovës, ministrja për Dialog e po kësaj qeverie, Edita Tahiri, i hodhi poshtë këto pohime.

Në një delaratë të shkruar për medie të ministres Tahiri thuhet, se "disinformatat që kanë dalë nga Serbia, se gjoja është formuar grupi punues apo menaxhues për Asociacionin, dua të them se kjo është një gënjeshtër e radhës e Serbisë, sepse grupi menaxhues është krijuar në vitin 2013 sipas marrëveshjes së Brukselit dhe këtë grup e ka krijuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës." Ajo më tej theksoi, se "ky grup nuk është formuar nga Presidenti i Kosovës apo Kryeministri i Kosovës dhe se ky grup menaxhues është manipuluar nga Qeveria e Serbisë, që i ka sjellë në Bruksel dhe kanë provuar të organizojnë takime në Bashkimin Evropian, por nuk ia kanë dalë", thotë në deklaratën e saj Adita Tahiri.

Ministrja Tahiri thotë se "formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe nuk është në agjendën e takimeve në Bruksel dhe nuk mund të zbatohet asnjë veprim pa u përmbushur nga Serbia të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani".

Kosova dhe Serbia në gusht të vitit të shkuar nënshkruan marrëveshje për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Sipas kësaj marrëveshjeje, Asociacioni do të ketë përgjegjësi në disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik si dhe planifikimi urban. Kjo marrëveshje tash e një vit po kundërshtohet ashpër nga partitë politike opozitare, ku për pasojë vendi u përfshi në një krizë politike që u manifestua edhe me dhunë brenda parlamentit të Kosovës dhe me protesta nëpër rrugët e Prishtinës. Qeveria e Kosovës thotë se Asociacioni është në pajtim me ligjet e kushtetutën e Kosovës, ndërsa opozita thotë se me krijimin e asociacionit shënohet ndarja e brendshme e Kosovës në vija etnike.