1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë : Kushtetuta afër përfundimit

Bekim Shehu / Prishtinë7 Prill 2008

Komisioni për hartimin e kushtetutës i dorëzoi kushtetutën presidentit dhe kryeministrit. Kushtetuta do të dërgohet në Kuvend për tu miratuar ditën e mërkurë

https://p.dw.com/p/Ddba
Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i KosovësFotografi: AP

Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, organizuan ceremoninë për nënshkrimin e Kushtetutës së Kosovës, e cila cilësohet si akti më i lartë juridik në Kosovë. Kushtetuta e Kosovës, garanton respektimin e plotë të të drejtave të individëve dhe të komuniteteve, duke përfshirë në mënyrë të veçantë ato të serbëve të Kosovës. Kushtetutën e Kosovës e ka çertifikuar ditë më parë, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Peter Faith, mandati i të cilit është mbikqyrja e zbatimit të planit të Marti Ahtisarit. Peter Faith, ka thënë se e drejta për vetëqeverisje lokale është e përfshirë vendosmërisht në projektkushtetutë dhe mbi këtë bazë, ai beson se qeveria dhe qytetarët e Kosovës mund të shkojnë përpara për të ndërtuar një shoqëri të qëndrueshme dhe shumetnike. "Unë e kam shqyrtuar dokumentin me kujdes dhe në pajtim me mandatin tim, unë e çertifikova Kushtetutën javën e shkuar dhe konstatoj se Kushtetuta është në pajtueshmëri me dispozitat e statusit. Pra, jam i nderuar që po luaj rolin tim në këtë proces', thotë Peter Faith. Ndërmjetësi ndërkombëtar, Marti Ahtisari, në planin e tij parashihte që Kosova ta ketë kushtetutën e saj, ku do të thuhej qartë se të drejtat e pakicave në mënyrë të veçantë të drejtat e serbëve do të mbrohen me ligje.

Këtë e garanton së kështu do të ndodhë, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili me Kushtetutën e Kosovës ka kompeteca shumë të mëdha. "Kushtetuta e Kosovës dëshmon edhe njëhërë përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, për të zbatuar propozimin gjithpërfshirës të presidentit Ahtisari dhe në veçanti për të zbatuar dispozitat që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e komuniteve në Kosovë. Këto të drejta janë të patjetërsueshme dhe të pa cënueshme dhe janë bazë e rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës", thotë presidenti Sejdiu.

Në këtë linjë, shprehet edhe kryeminisiri i Kosovës, Hashim Thaqi. "Kushtetuta është shpresa jonë sepse hap të ardhme dhe përspektivë për mirëqenien tonë. Kushtetuta që sot po prezantojmë sublimon të kaluaren tonë, të sotmen dhe të ardhmën e shtetit tonë", thotë Kryeministri, Thaqi. Kushtetuta e Kosovës, gjatë kësaj jave do të dërgohet në kuvend për miratim me gjasë ditën e merkurë. Mirëpo, kushtetuta mund të hyjë në fuqi, vetëm pas fazës së tranzicionit dhe kur misioni i BE-së të ketë shtrirje të plotë të jetë i plotfuqishëm dhe funksional. Kjo thuhet se do të ndodhë pas datës 15 qeshor, kur do të shënohet edhe përfundimi i bartjes së përgjegjësive nga UNMIK-u tek institucionet e Kosovës.