1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Kuvendi dështoi në zgjedhjen e kryetarit

Bekim Shehu
3 Gusht 2017

Në seancën konstituuese të Parlamentit të Kosovës deputetët e rinj të bënë betimin, por qysh në fillim ata dështuan në zgjedhjen e kryetarit të kuvendit. Seanca do të vazhdojë të premten(04.08).

https://p.dw.com/p/2heaN
Kosovo Parlament in Pristina
Fotografi: Reuters/H. Reka

Seanca dështoi për faktin, se koalicioni i partive politike PAN, nuk u rikthye në vazhdimin e seancës pasdite për të propozuar kandidatin për kryetar të kuvendit. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, është subjekti politik fitues i zgjedhjeve ai që duhet ta drejtojë kuvendin e Kosovës, e në këtë rast është koalicioni PAN në përbërjen e të cilit janë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma. Në mungesë të deputetëve të koalicionit PAN, kryesuesi i seancës, deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci, thirri për të premten(04.08)vazhdimin e seancës.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës pas betimit të deputetëve filloi me përplasjen e parë ndërmjet subjekteve politike. Koalicioni PAN në fillim të seancës kërkoi disa orë shtesë për - siç thanë - konsulta para se ta propozojnë emrin për kryetar kuvendi. Mirëpo, kryesuesi i seancës deputeti me i vjetër, Adem Mikullovci, që vjen nga lëvizja Vetëvendosja, nuk u pajtua me shtyrjen, ai e hodhi në votim propozimin dhe rezultati ishte 60 me 60. Më pas kryesuesi pa ndonjë shpjegim e mbylli seancën dhe kjo situatë krijoi një paqartësi sesi duhet vepruar, a duhet të thirret seancë e re apo duhet vazhduar e njëjta për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit dhe kryesisë. Megjithatë, sekretaria e kuvendit sqaroi më vonë se seseanca konstituuese mund të vazhdojë në orët e pasdites. Ajo rifilloi por u ndërpre sërish vetëm disa minuta pas rifillimit, për shkak të mungesës së deputetëve të koalicionit PAN.

Deputeti nga lëvizja Vetëvendosje Glauk Konjufca, akuzoi koalicionin PAN, për "bllokim të krijimit të institucioneve të Kosovës", duke e shprehur qartë edhe njëherë kundërshtimin e subjektit të tij, kundër Kadri Veselit kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të kuvendit. "Institucionet nuk po mund të themelohen, sepse një koalicion i tërë është barrikaduar rreth një figure, e cila është e papranueshme për shumicën e deputetëve të kuvendit të Kosovës. Kryetari i kuvendit duhet të jetë figurë unifikuese dhe jo një figurë me shumë pikëpyetje. Ne jemi të hapur si Vetëvendosje, nëse koalicioni PAN do ta ndërronte kandidatin për kryetar kuvendi, i cili duhet të jetë një figurë bashkuese ndërmjet grupeve parlamentare në kuvend. Përderisa ata nuk e ndërrojnë kandidatin, Vetëvendosja nuk e voton Kadri Veselin. Por, nëse PAN në pafundësi insiston që vetëm Kadri Veselit të jetë kandidat për kryetar kuvendi, atëherë, ata duhet ta marrin përgjegjësinë politike pse nuk po themelohen institucionet e Republikës së Kosovës", tha Glauk Konjufca.

Edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha, se edhe kjo parti nuk e voton Kadri Veselin për kryetar të kuvendit. "Është për keqardhje që kushtetuesja me vendimin e saj të vitit 2014 e ka barrikaduar pozitën e kryetarit të kuvendit për subjektin fitues të zgjedhjeve, megjithatë ne do të sillemi në përputhje me këtë vendim. Unë ftoj që sa më parë të thirret seanca dhe për ne është e qartë se jemi kundër Kadri Veselit për kryetar të kuvendit. Për kandidatura të tjera do t'i shqyrtojmë një nga një", tha Avdullah Hoti, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Përfaqësues të koalicioni PAN, ndërkaq, thanë se ata nuk morën pjesë në vazhdimin e seancës konstituuese të pasdites për faktin që kryesuesi i seancës paradite e mbylli atë pa ndonjë arsye dhe sipas tyre nuk është serioze që - siç thanë - të luhet në këtë formë. Ata megjithatë, akoma nuk e kanë saktësuar nëse Kadri Veseli do të jetë kandidati i koalicionit PAN për kryetar të kuvendit. Sidoqoftë, vazhdimi i seancës konstituuese të kuvendit do të mbahet të premten (04.08), ndërsa koalicioni PAN nuk e konfirmon pjesëmarrjen në këtë seancë. Nëse ata nuk marrin pjesë, nuk mund të zgjidhet kryetari.

Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme të 11 qershorit nuk nxori asnjë subjekt politik fitues që do të mund ta krijojë vetëm qeverinë e Kosovës. Analistët politik parashohin krizë institucionale, ndërkohë, që prania ndërkombëtare në Kosovë bën thirrje për krijim të shpejtë të institucioneve në mënyrë që vendi të vazhdojë me integrimet evropiane dhe reformat e kërkuara. Situatën e krijuar në seancën konstituuese, ambasadorja e Gjermanisë në Prishtinë në mediat e Kosovës e quajti si "turp" për deputetët.