1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opozita kritikon koalicionin PAN- AKR

Bekim Shehu
6 Shtator 2017

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, thonë se një qeveri e formuar nga koalicioni PAN-AKR dhe lista “Srpska”, nuk do të zgjasë shumë dhe do të jetë nën ndikimin e Beogradit.

https://p.dw.com/p/2jQub
Kosovo Parlament Misstrauensvotum
Fotografi: Getty Images/AFP

Nuk është caktuar akoma seanca e lënë për gjysmë e konstituimit të kuvendit  të Kosovës, ndonëse përfaqësues të koalicionit të ri PAN-AKR, që tashmë përbëjnë shumicën në kuvend, thonë se  kjo mund të ndodhë gjatë kësaj jave. Kryesuesi i seancës, deputeti nga lëvizja Vetëvendosje, Adem Mikullovoci, thotë se "sapo koalicioni PAN, të sjell 40 nënshkrime, ai do ta thërras vazhdimin e seancës, me pikën e vetme të rendit të ditës zgjedhjen e kryetarit të kuvendit dhe kryesisë.

Ndërkohë, kanë vazhduar reagimet e subjekteve politike, pas arritjes së marrëveshjes  për bashkëqeverisje ndërmjet koalicionit PAN dhe AKR së Behxhet  Pacollit.   

Kritika nga opozita

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, thonë se një qeveri e formuar nga ky koalicion, nuk do të zgjasë shumë dhe do të jetë nën ndikimin e Beogradit, për faktin që "nëntë deputetët e listës serbe, cdo veprim të tyre në Kosovë e bëjnë në koordinim të plotë me Beogradin zyrtarë. Këtë e ka pohuar disa herë edhe vet, kryetari i listës serbe, Sllavko Simiq, dhe ka deklaruar se lista serbe, e mbështet këdo që mund të sigurojë numrat për formimin e qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, duke e komentuar daljen nga koalicioni parazgjedhor me të, të Behxhet Pacollit dhe rreshtimin e tij, përkrah PAN, ka thënë se "presioni i çdoditshëm mbi z. Pacolli e bëri të vetën, sikundër e bëri të vetën, oferta tepër gjeneroze ndaj biznesmenit Pacolli”.

Kosovo Präsident Behgjet Pacolli
Fotografi: picture alliance/dpa

"Ajo çfarë është e qartë nga ky koalicion është se nuk fitoi askush, as Pacolli me megaministritë e tij, as Ramushi me një qeveri asimetrike, as sekserët e "Listës Rugova” dhe më së paku fitoi Kosova, e cila më së shumti për gjashtë muaj do të shkojë në zgjedhje të reja nacionale. Sepse, një qeverisje, me numra në margjinën e shumicës së nevojshme, nuk mund ta zhvilloj asnjë seancë normale të Kuvendit dhe të aprovoj ligje e lëre më të marrë vendime të mëdha. Vendimi më i madh dhe më i rëndësishëm do të jetë vetëzhbërja e tyre”, është shprehur Isa Mustafa.

Kurti: LDK-ja shumë pasive

Albin Kurti, nga Vetëvendosja, ka kritikuar arritjen e marrëveshjes së koalicionit PAN-AKR, por nuk ka lënë pa kritikuar edhe LDK-së, e cila sipas tij, "ishte shumë pasive”, duke humbur shansin që sic thotë "ta dërgojnë Partinë Demokratike të Kosovës, në opozitë”.

"Orekset nga njëra anë dhe pasiviteti nga krahu tjetër, e humbën edhe një shans shtesë pas atij të VLAN-it. Kot je pasiv që të mos bësh gabime, sepse pasiviteti është gabimi më i madh. Pas marrëveshjes PAN-AKR, konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i qeverisë së re është lënë në dorë të Vuçiqit”, është shprehur Albin Kurti, duke lënë të kuptohet se është lista "Srpska”, ajo që  do ta përcaktojë fatin e qeverisë së Kosovës. Koalicioni PAN-AKR, së bashku me listën "Srpska”, pritet të ketë 63 osë 64 vota nga 120 deputet sa i ka kuvendi i Kosovës.  Qeveria e Kosovës mund të zgjedhet me shumicën e thjeshtë 61 vota.

Kosovo Parlamentswahlen Albin Kurti
Fotografi: Reuters/H. Reka

Analistët politikë nga ana e tyre, thonë se një koalicion ku bëjnë pjesë një numër i madh e partive politike, nuk mund të jetë jetëgjatë. Blerim Burjani, analist thotë se ”PAN-i do të formojë një qeveri jo jetëgjate dhe pa ndonjë objektivë të caktuar. Është për të ardhur keq që shteti nuk do të qeveriset me rend dhe ligj por me anarki dhe nga përfitues të shumtë nga të gjitha anët”, thotë Blerim Burjani.

Edhe një analist tjetër  Imer Mushkolaj, shkruan se Ramush Haradinaj,  nëse do të zgjidhet kryeministër do ta ketë të vështirë ta menaxhojë një koalicion kaq të madh.

"Është një koalicion që vështirë do të menaxhohet nga kryeministri. Do ta ketë jashtëzakonisht të vështirë që të akomodojë interesat e të gjitha partive politike në këtë koalicion”, shkruan Imer Mushkolaj.

Sidoqoftë, tash për tash, koalicioni PAN ku bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, (PDK) Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)  Nisma, dhe tash së fundi edhe AKR, akoma nuk kanë bërë publike listën finale të ndarjes së ministrive në qeverinë e ardhshme të Kosovës, sepse, fillimisht presin që të konstituohet kuvendi i Kosovës. Mirëpo, ajo që është mësuar deri tash, është se posti i kryeministrit do ti takojë Ramush Haradinajt, AKR- së së Behxhet Pacollit do t'i takojnë zv. kryeministri i parë, 5 ministri dhe 7 zv.ministra. 6 ministri do t'i ketë PDK-ja, 3 ministri AAK-ja, 3 Nisma për Kosovën, 2 ministri Lista Serbe dhe një ministri është e rezervuar për komunitetet e tjera pakicë.