1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Regjistrimi i popullsisë ende pa datë

21 Prill 2009

Autoritetet e Prishtinës nuk janë në gjendje të saktësojnë datën e fillimit të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë. Ai pritej të fillonte në fund të muajit prill, por mendohet se serbët nuk do të pranojnë.

https://p.dw.com/p/HbGI
Qytetarë të Kosovës që shkojnë të votojnë.
Thuhet se aktualisht në Kosovë jetojnë 2.1 milionë banorë. Regjistrimi i përgjithshëm pritet të bëhet.Fotografi: AP

Ministria e shërbimeve Publike, ka bërë të gjitha përgatitjet që të bëjë regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë në Kosovë, por akoma nuk ka arritur që të bindë serbët e Kosovës, që të përfshihen në këtë proces. Gjatë dy viteve të fundit në Kosovë janë realizuar tri regjistrime testuese të popullsisë në disa rajone të caktuara, ku janë përfshirë vetëm një numër i kufizuar banorësh. Kjo ka patur për qëllim testimin e projektit të regjistrimit, dhe ka përfunduar me sukses. Më parë ka qenë njoftuar, se regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë do të fillojë në fund të prillit. Por, autoritetet ndërkombëtare dhe ato vendore nuk janë të bindur nëse regjistrimi mund të realizohet, sepse serbët nuk kanë thënë nëse do të pranojnë të regjistrohen.

Kosovarë duke i dëbuar nga Gjermania për në Kosovë.
Kosovarë duke i dëbuar nga Gjermania për në Kosovë. Mendohet se 500 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë jashtë vendit.Fotografi: dpa

Rifat Blaku, është zëvëndësminitër i shërbimeve publike. “Po shihet se procesi i regjistrimit ka edhe dimensionin politik, ndonëse ne gjithmonë kemi theksuar, se konform ligjeve ndërkombëtare për regjistrimin, të dhënat e regjistrimit kanë karakter ekskluzivisht statistikor dhe qëllime statistikore. Kemi bërë krejt punën brenda vitit të fundit për depolitizimin e procesit, por tashti pritet një vendim politik, që të caktohet data," thotë Blaku.

Përfaqësuesit e zyrës civile ndërkombëtare, u kanë rekomanduar autoriteteve kosovare të mos nisin procesin e regjistrimit të popullsisë, pa patur ende një konfirmim se edhe serbët e Kosovës, do të përfshihen në regjistrim. Mirëpo, ka gjasa që shumica e serbëve të Kosovës të mos përfshihet në këtë proces, sepse regjistrimi do të bëhet nga institucionet e Republikës së Kosovës, që për ta janë të papranueshme.

Rada Trajkoviq, është anëtare e Këshillit Kombëtar të Serbëve të Kosovës qëndrore. “Regjistrimi i popullsisë për ne nuk është i qëndrueshëm, është i kontestuar, sepse institucionet e Kosovës nuk cilësohen ende legale nga KS-it, ndërsa në regjistrimin e popullsisë ato quhen institucione të Republikës së Kosovës," thotë Rada Trajkoviq. Sipas saj, me regjistrimin e popullsisë, do të shënohet një spastrim legal etnik i serbëve, sepse shumë prej tyre janë shpërngulur nga Kosova dhe numri aktual i serbëve që jetojnë në Kosovë nuk paraqet ndonjë shifër reale. Për më tepër përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, thonë se shumë shqiptarë nga jugu i Serbisë ”Lugina e Preshevës”, tashmë janë regjistruar si qytetarë të Kosovës dhe në këtë mënyrë sipas tyre, autoritetet e Prishtinës po tentojnë që të rrisin numrin e banorëve shqiptarë dhe të zvogëlojnë numrin e serbëve.

Refugjatë serbë nga fshati Gobulje, 2004.
Refugjatë serbë nga fshati Gobulje, 2004. Shumca e serbëve në Kosovë nuk pranon të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë.Fotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 1981. Në bazë të këtij regjistrimi Kosova ka pasur mbi 1,5 milionë banorë. Nga kjo shifër 82 përqind ishin shqiptarë, ndërsa 18 përqind nga komunitetet e tjera. Në vitin 1991, është bërë edhe një regjistrim nga autoritetet e Serbisë, ku thuhej se Kosova ka mbi 1,9 milionë banorë. Ekspertët shqiptarë nuk kanë qenë përfshirë në këtë regjistrim, prandaj e cilësojnë atë të pasaktë. Sipas disa statistikave paraprake nga Enti i Statistikave të Kosovës, thuhet se aktualisht në Kosovë jetojnë 2.1 milionë banorë, ndërkohë që 500 mijë banorë mendohen se jetojnë jashtë vendit. Regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë, që mendohet se do të realizohet se shpejti, do t'i nënshtrohen të gjithë personat kosovarë që kanë qëndruar më shumë se dhjetë vjet në Kosovë. Ndërsa, kosovarët që kanë jetuar më shumë se një vit në mërgim, në këtë fazë nuk do të regjistrohen si qytetarë të Kosovës, por fillimisht vetëm do të numërohen për evidentim.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama

►◄