1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Vetëvendosja në marrëveshje koalicioni me LDK, AAK, Nisma

Bekim Shehu10 Shtator 2014

Katër partitë politike LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosja në bazë të marrëveshjes së nënshkruar të mërkurën (10.09) do të shkojnë të bashkuara në vazhdimin e seancës konstituuese të kuvendit të 12 korrikut.

https://p.dw.com/p/1D9sB
Kosovo Parlament
Fotografi: AFP/Getty Images

Marrëveshja u nënshkrua në ambientet e kuvendit të Kosovës nga kryetarët e partive përkatëse Isa Mustafa (LDK), Ramush Haradinaj (AAK), Fatmir Limaj i partisë Nisma, dhe Albin Kurti nga lëvizja Vetëvendosja. Këto subjekte politike në bazë të kësaj marrëveshjeje shkojnë të bashkuara në vazhdimin e seancës konstituuese të nisur qysh më 12 korrik. Sërish tema më e nxehtë e kësaj seance mbetet zgjedhja e kryetarit të kuvendit me kandidaturën e sa Mustafës të përcaktuar nga blloku i katër partive. Ndërkohë PDK, thotë se Gjykata Kushtetuese i ka njohur asaj të drejtën për këtë post, duke e përcaktuar si grupin më të madh parlamentar. Ajo paraqet kandidatin e vet për këtë post, profesor Arsim Bajramin.

PDK e drejtuar nga Hashim Thaçi, që në zgjedhjet e tetë qershorit doli partia e parë, nuk ka arritur marrëveshje me ndonjë subjekt politik për ta mbështetur kandidaturën e saj për kryetar kuvendi. Marrëveshja e koalicionit ndërmjet, LDK, AAK Nisma dhe Vetëvendosja, u nënshkrua pas dy muaj negociatash ndërmjet këtyre partive. "Në bazë të vullnetit të mirë për të ndërtuar institucione funksionale dhe për të punuar në të mirë të popullit, në zhvillimin ekonomik të vendit, ne nënshkruam marrëveshjen mbi parimet dhe qeverinë. Kjo na obligon që sa më parë, në përputhje me Kushtetutën dhe rregullat demokratike t'i ndërtojmë institucionet e reja", tha pas takimit lideri i LDK-së, Isa Mustafa. Sipas tij, në marrëveshje parashihet që institucionet e ardhshme të përqendrohen në reforma substanciale në arsim e shëndetësi, në sundimin e ligjit dhe në demokratizimin e vendit. "Do të punojmë për perspektiven evropiane dhe përmbushjen e standardeve për integrime. E rëndësishme do të jetë edhe vendosja e dialogut të hapur demokratik me pakicën serbe në Kosovë", tha Mustafa. Kjo marrëveshje mbi parimet do të jetë pjesë e programit qeverisës në të ardhmen, shkruhet në të.

Ndërkohë zyrtarë të PDK-së thonë se pavarësisht marrëveshjes së arritur këtë të mërkurë (10.09)është Gjykata Kushtetuese ajo që e ka interpretuar se kujt i takon e drejta ta ketë kryetarin e kuvendit. Anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, tha për mediumin publik se marrëveshja mes Bllokut LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosjes është vendim i liderëve të këtyre partive politike dhe çështje e lirë e tyre. "Problemi i madh është tani interpretimi kushtetues i këtij koalicioni pas zgjedhjeve për ta realizuar qëllimin që kanë. Sigurisht se ata e dinë më mirë se unë se si e kanë menduar, por në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e kryetarit të parlamentit, ata e kanë të pamundur që ta zgjedhin kryetarin e parlamentit dhe të mos bëjnë shkelje kushtetuese", citohet Xhavit Haliti.

Prania ndërkombëtare në Kosovë nuk dëshiron të ndërhyjë në çështjet e brendshme politike të Kosovës, mirëpo, u kërkon udhëheqësve politikë që t'i çojnë proceset përpara dhe të mos kthehen prapa.