1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për vulat doganore dhe kadastrat

3 Shtator 2011

Raundi i gjashtë i bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës përfundoi me marrëveshje për harmonizimin e kadastrave dhe njohjen e vulave të doganave të Kosovës nga ana e Serbisë.

https://p.dw.com/p/12STm
Delegacioni i Kosovës në raundin e gjashtë të bisedimeve Prishtinë - Beograd.
Delegacioni i Kosovës në raundin e gjashtë të bisedimeve Prishtinë - Beograd.Fotografi: DW

Dita e gjatë dhe e vështirë e bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel pati megjithatë përfundim pozitiv, sepse u arrit marrëveshja për kadastrat dhe vulat doganore. Kështu me rishikimin dhe harmonizimin e dy kadastrave, qytetarët do të jenë në gjendje të kenë sigurinë ligjore, kur është fjala për pronën e tyre. Nga ana tjetër rreth datös 10 shtator do të hiqet embargoja tregtare nga të dy palët.

Ndërmjetësuesi i BE-së në dialog, Robert Cooper.
Ndërmjetësuesi i BE-së në dialog, Robert Cooper.Fotografi: CC-BY-EU

"Qeveria e Kosovës kishte vendosur embargo për mallrat nga Serbia dhe për një kohë të gjatë ka patur një embargo të Serbisë për mallrat e Kosovës. Këto dy embargo do të hiqen, gjë që është në të mirë të tregtisë rajonale. Vetë rajoni do të duket më 'evropian'. Pas marrëveshjes për lëvizjen e lirë të njerëzve, shtrohet çështja e lëvizjes së lirë të mallrave", tha përfaqësuesi i BE në dialog Robert Cooper.

Rezultat pozitiv

Marrëveshja për njohjen e vulave të doganave të Kosovës përbën për Beogradin një “rezultat pozitiv”, sepse, sipas fjalëve të kryetarit të ekipit të Beogradit, Borislav Stefanovic, Serbia arriti të ruajë interesin e saj kombëtar dhe sovranitetin, ndërsa në anën tjetër mundëson funksionimin normal të tregtisë dhe dëshmon se dialogu është mënyra për të zgjidhur të tilla probleme: “Zgjidhja është e tillë që vulat doganore të Kosovës do të përmbajnë fjalët 'dogana e Kosovës'. Kemi arritur të shmangim që të vendoset 'Republika e Kosovës', dhe simbole të tjera."

Edita Tahiri, kryetare e delegacionit të Prishtinës.
Edita Tahiri, kryetare e delegacionit të Prishtinës.Fotografi: DW

Nga ana tjetër, Edita Tahiri, kryetare e delegacionit të Prishtinës, thotë se të dyja shtetet do të përfitojnë nga lëvizja e lirë e mallrave: “Duke pranuar këtë marrëveshje, siç ishte rasti që në korrik, ne i kemi treguar komunitetit ndërkombëtar se Kosova është në përputhje me parimet evropiane, se i kemi pranuar këto vlera dhe kjo do të thotë edhe përgjegjësi dhe veprim. Së shpejti do të shohim dy shtete, Kosovën dhe Serbinë, që tregtojnë lirisht, duke u bazuar në rregullat e CEFTA-s dhe kjo është pritur nga BE.”

Atmosferë e rënduar

Përveç rezultatit pozitiv të raundit të gjashtë të dialogut në Bruksel, ajo që mund të jetë arsye për shqetësim, është pranimi nga të dy delegacionet se bisedimet janë zhvilluar në një atmosferë të rëndë, se ka pasur thumbime dhe fajësime për shkak të ngjarjeve të fundit në veri Kosovës. Edita Tahiri u shpreh se e ka patur të vështirë të ulet me Stefanovicin, për të cilin tha se e mendonte „njeri të marrëveshjeve, por që në gusht tregoi se di të bëjë probleme.“

Kryetarit i ekipit të Beogradit, Borislav Stefanovic.
Kryetarit i ekipit të Beogradit, Borislav Stefanovic.Fotografi: DW

Nga ana tjetër kreu i delegacionit të Beogradit konsideron se „Prishtina nuk ka treguar as minimumin e vullnetit për të zgjidhur çështje të tjera, që kanë qenë sot mbi tryezë.“ Më shqetësuese janë pikëpamjet e kundërta për implementimin e mëtejshëm të tregtisë së lirë. Përderisa pala serbe mendon se marrëveshja e re për vulat doganore në asnjë mënyrë nuk paragjykon statusin, apo funksionimin e pikëkalimeve Jarinje dhe Brnjak, në të cilat për Beogradin është "absolutisht e papranueshme e ashtuquajtura dogana e Kosovës".

Kryetarja e delegacionit të Prishtinës, Edita Tahiri thotë: "Do të fillojmë zbatimin e marrëveshjes në kapacitet të plotë dhe kontrollin në pikëkalimet tona 1 dhe 31, ashtu siç kontrollojmë të gjitha kalimet dhe kufinjtë tanë. Dhe punën e doganave dhe kontrollet policore,do ta kryejë me siguri qeveria e Kosovës.“

Raundi tjetër i bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës pritet të mbahet në fund të shtatorit.

Autor: Marina Maksimovic / Angjelina Verbica

Redaktoi: E. Xhani