1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova dhe Serbia drejt "marrëveshjes historike"

Marina Maksimovic
31 Gusht 2017

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë Thaçi dhe Vuçiq biseduannë Bruksel për të ardhmen e dialogut. Mogherini e kënaqur, por sfidat mbeten.

https://p.dw.com/p/2j9rv
Brüssel, Hashim Thaci, Federica Mogherini, Aleksandar Vucic
Fotografi: Europäische Kommission

Serbia dhe Kosova po punojnë për hapjen e një faze të re në dialogun e drejtuar nga Federica Mogherini, në Bruksel. "Duhet të kalojmë në fazën e re të dialogut, ku do të trajtojmë temat e mbetura, për të ardhur deri tek marrëveshja përfundimtare mes dy shteteve tona. Me këtë marrëveshje do të përfundonte edhe armiqësia shekullore dhe të dy vendet do të mund të përparojnë në procesin e futjes në familjen e vendeve të lira", theksoi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pas takimit.

Për Presidentin e Serbisë Vuçiq, kjo fazë e re do të thotë edhe zgjidhje e problemeve historike mes serbëve dhe shqiptarëve, për hir të së ardhmes së fëmijëve tanë.

”A shohim 1 apo 2 % shanse për zgjidhjen e problemeve tona që po zgjasin qysh prej 300 vjetësh? Këtë shans të vogël e shohim dhe duhet ta shfrytëzojmë dhe të angazhohemi me gjithë zemër që këto probleme t'i zgjidhim, ndonëse shanset duket shumë të vogla", theksoi Vuçiq.

BE nuk ka dashur të komentojë "mëngjesin e punës", dhe ecurinë e dialogut, por kumtoi se në fazën e re do të bisedohet për formatin e ri dhe për temat që do të hapin palët. Deri tani nuk dihet se kush do të përfaqësojë Beogradin e kush Prishtinën në këtë fazë të re dhe për cilat tema saktësisht do të bisedohet. Mbetet e hapur edhe çështja e zbatimit të marrëveshjeve të deritanishme.

Marrëveshje e re për drejtësi

Faza e re e dialogut duhet të fillojë, ndërkohë që nga "faza e vjetër" kanë mbetur edhe disa marrëveshje pa u realizuar. Ndërmjetësuesit evropianë në këtë dialog thonë se me rëndësi është që kontaktet të vazhdojnë.

”Pauzat e gjata nuk çojnë askund. Ne i kemi të qarta rrethanat politike, por gjërat duhet të zbatohen", thonë diplomatët. Rrethanat politike në Beograd dhe Prishtinë kanë bllokuar dialogun, së pari pas arrestimit të Ramush Haradinajt në Francë, e më pas për shkak të zgjedhjeve në Serbi dhe Kosovë. Për momentin Kosova nuk ka qeveri legjitime që do të vazhdonte dialogun. Në Kosovë ka përfytyrime të ndryshme për dialogun mes kandidatëve për kryeministër, Haradinaj dhe Albin Kurti. Presidenti Thaçi angazhohet për vazhdimin e dialogut dhe normalizimin e raporteve me Serbinë, ndërsa kandidatët për kryeministër e kushtëzojnë dialogun me njohjen e Kosovës nga Serbia. Kurti ka bërë të ditur se do të kërkojë rishikimin e të gjithë procesit.

”Dialogu është obligim i Kosovës dhe i Serbisë. Ne presim që qeveria e re t'i marrë këto obligime", thonë në Bruksel. Mogherini ka përshëndetur premtimet e Vuçiqit dhe Thaçit për integrimin e organeve të dretjësisë dhe finalizimin e kësaj marrëveshjeje deri më 17 tetor.

”Të dy palët kanë rënë dakord për finalizimin e marrëveshjes dhe realizimin e saj. Ato thonë se marrëveshja për drejtësi do të realizohet deri më 17 tetor 2017, kur të gjitha organet e drejtësisë do të integrohen në sistemin e Kosovës, në veçanti ato të Mitrovicës", thuhet në kumtesën e Mogherinit.

Larg nga marrëveshja, por larg edhe nga konflikti

Ndërsa Thaçi dhe Vuçiq flasin për marrëveshje historike, marrëveshja e Brukselit nga viti 2013 nuk është realizuar fare në disa segmente. Pjesa për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk ka filluar fare të realizohet. Ka shumë probleme edhe në marrëveshjet për energjinë, lirinë e lëvizjes...

Në Bruksel thonë se situata nuk është ideale, por palët janë larg konfliktit dhe armiqësive. "Po bëjmë të gjitha me qëllim që dialogu të rezultojë me sukses", thonë diplomatët në Bruksel. Në këtë frymë duhet parë edhe takimi aktual (31.08) për fazën e re të dialogut.