1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova do të hapë edhe 12 ambasada të reja

Bekim Shehu/ Prishtinë2 Shkurt 2009

Shërbimet konsullore do të jenë më të koncentruara aty ku ka më shumë diasporë kosovare.

https://p.dw.com/p/Gllg
Ish- presidenti amerikan, Xhorxh Bush pret presidentin e Kosovës, Famir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, Uashington, 21 korrik 2008
Ish- presidenti amerikan, Xhorxh Bush pret presidentin e Kosovës, Famir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, Uashington, 21 korrik 2008Fotografi: AP

Kosova pritet të hapë së afërmi edhe 12 ambasada, duke e ngritur numrin gjithsej në 22 ambasada. Ministria e Jashtme e Kosovës preferon që shërbimet e jashtme t'i quajë ambasada, ndonëse ato akoma janë shërbime diplomatike: asnjë nga të ngarkuarit me punë diplomatike jashtë vendit nuk e ka marrë titullin ambasador.

Kjo për faktin që sipas Kushtetutës së Kosovës, ambasadorët e vendit duhet të përzgjidhen me konkurs të hapur gjë që akoma nuk ka ndodhur. Pas përzgjedhjes, ambasadorët duhet të dekretohen nga presidenti i Kosovës. Kuvendi i Kosovës tashmë ka miratuar dy ligje që rregullojnë shërbimet e diplomacisë kosovare. Është ligji për shërbimin e jashtëm dhe ligji për shërbimet konsullore. Albana Beqiri, zëdhënëse në Ministrinë e Jashtme, thotë se aktet nënligjore akoma nuk janë kompletuar, kjo kërkon kohë, por synohet që krahas ambasadave të vihen në funksion edhe shërbimet konsullore.

"Krahas këtyre 12 ambasadave të reja dhe 10 ekzistueseve do të ofrojmë edhe shërbime konsullore. Rëndësi të veçantë u kemi dhënë vendeve ku Kosova ka diasporë më shumë. Për shembull në Gjermani do të hapim tre shërbimë konsullore, tre të tilla do t'i hapim edhe në Zvicër dhe në këtë linjë do të veprojmë edhe në disa vende tjera", thotë zëdhënësja Beqiri.

Ministria e Jashtme e quan sukses vënien në funksion të dhjetë shërbimeve diplomatike vitin e shkuar. Por këto shërbime diplomatike vazhdojnë të funksionojë me një staf shumë të limituar.

"10 ambasadat e para të Kosovës nuk kanë mundur të funksionojnë plotësisht, për shkak të fazës emergjente në të cilën ato janë krijuar. Ndërsa, kur flasim për aktet nënligjore që janë në krijimin e sipër dhe që kanë të bëjnë më shërbimet e diplomatike, ato do të precizojnë në detaje qysh me përzgjedhjen e personave që do të shërbejnë jashtë vendit, sa do të jetë numri i tyre dhe poashtu deri te rregullimi ligjor edhe për familjet e tyre", thotë zëdhënësja Beqiri.

Partitë opozitare në Kosovë e kanë kritikuar vazhdimisht qeverinë e Kosovës, e cila sipas tyre, është vonuar shumë në përzgjedhjen e ambasadorëve. Kjo sipas tyre ka bërë që diplomacia kosovare të ta kryejë punën e saj edhe pse në vitin e parë të pavarësisë, diplomacia kosovare do të duhej të jetë shumë aktive. Adrian Gjini, është nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

"Procedurat e parapara me ligj për shërbimet e jashtme duhet të ndiqen, por këto çështje është dashur të parashihen shumë më herët. Për shembull është dashur të parashihen në fillim të vitit të shkuar, pra qysh në qershor të hapen konkurset , në mënyrë që të mos jemi në situatën ku edhe një herë duhet të kalohet përgjatë kësaj procedure", thotë Adrian Gjini.

Kosova deri tash është njohur si shtet nga 54 vende të botës. Ky numër sipas udhëheqësve të institucioneve të Kosovës pritet të rritet qysh në gjysmën e parë të këtij viti dhe ata shpresojnë që numri do të arrijë në mbi 70 vende që e njohin shtetin e Kosovës. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me këto vende është shumë e domosdoshme, por, që të vihen në punë shpejt shërbimet diplomatike në të gjitha këto vende tash për tash është e pamundur. Kjo për faktin që buxheti i Ministrisë së Jashtme për vitin 2009 është vetëm 25 milion euro. Sipas qeverisë, kjo ka bërë që ambasadat e Kosovës apo shërbimet diplomatike të jenë të vendosura në shtetet më të mëdha dhe disa nga këto ambasada të mbulojnë më shërbime më shumë se një shtet.