1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova dorëzon raportin për liberalizimin e vizave

Bekim Shehu/Prishtine5 Qershor 2015

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Qollaku, i thotë DW se beson se në fund të këtij viti Komisioni Evropian do të dalë me vlerësim pozitiv se Kosova i ka përmbushur plotësisht kriteret për liberalizimin e vizave.

https://p.dw.com/p/1FcBu
Bekim Qollaku
Fotografi: DW/B. Cani

DW: Ministër Qollaku, fillimi i muajit qershor është thënë se do të jetë koha kur Kosova do ta dorëzojë raportin me kriteret e përmbushura në procesin e liberalizmit të vizave. Është përfunduar ky raport?

Qollaku: Që nga marrja e mandatit si Ministër i Integrimit evropian kemi filluar punën intensive për adresimin e kritereve në procesin e liberalizimit të vizave, konkretisht për rekomandimet që kanë dalë nga raporti i dytë vlerësues i Komisionit Evropian gjatë korrikut të vitit të shkuar. Që nga ajo periudhë është bërë shumë progres në adresimin e rekomandimeve dhe me kënaqësi mund t'iu informoj se Ministria e Integrimit Evropian si udhëheqëse e këtij procesi tashmë ka përpiluar raportin e tretë të përmbushjes së kritereve për liberalizmin e vizave, në përputhje me kriteret e udhërrëfyesit dhe të njëjtin raport unë sot do t'ia dorëzoj përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Samuell Zhbogar.

DW: Ministër ka pasur vonesa të shumta në këtë proces. Në cilat pika keni pasur vështirësi të përmbushjes se kritereve dhe kush është realisht fajtori?

Qollaku: Unë në këtë fazë nuk do të isha ndalur në ngecjet, që na kanë përcjellur gjatë përpilimit të këtij raporti, të gjithë e dimë që kishte gjashtë muaj ngecje në krijimin e institucioneve të reja, mirëpo, unë dhe ekipi im dhe të gjitha institucionet e Kosovës të përfshira në këtë proces kemi dhënë maksimumin që ta kompenzojmë kohën e humbur. Dhe mendoj se kjo është arritur në masë të madhe. Pikërisht falë asaj pune serioze që është bërë ne sot jemi në gjendje ta dorëzojmë raportin e tretë, i cili reflekton një progres të madh në të gjitha blloqet e parapara në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave. Pra tash nuk jemi në momenitn e kritikave për ngecje, jemi në momentin e dorëzimit të raportit të tretë që do të duhej të ishte i fundit për këtë proces. Mirëpo, puna nuk përfundon këtu, ne duhet të jemi të gatshëm ta mirëpresim misionin vlerësues të KE-së, për të parë në terren nivelin e përmbushjes së kritereve nga ana jonë dhe shpresojmë që ky mision vlerësues do të ndahet i kënaqur nga vizita që do ta bëjë në Kosovë.

DW: Ministër Qollaku thatë se puna nuk përfundon këtu, mund të kërkohen sërish plotësim kriteresh dhe hartim raportesh të tjera nga ana e institucioneve të Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave?

Qollaku: Tash për tash e kam të vështirë të vlerësojë se në cilat përfundime do të arrijë ky mision vlerësues i Komisionit Evropian. Unë edhe njëherë po them se është punuar shumë, me seriozitet të madh dhe nuk kam asnjë arsye të besoj se misoni vlerësues i KE-së do të dalë me rezultate jo pozitive. Mirëpo, gjithmonë në këtë proces ku janë të përfshirë shumë aktorë, deri në momentin kur nuk ndodh rekomandimi pozitiv, ne jemi të gatshëm të ballafaqohemi me kërkesa të reja. Mirëpo, përsëri po e ritheksoj se si raport i tillë përmbajtësor, ky duhet të jetë raporti i fundit që dorëzohet nga institucionet e Republikës së Kosovës në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Mund të dalë ndonjë kërkesë shtesë, por nuk besoj se do të jetë e asaj natyre që do të na detyronte që të dalim me raporte të tjera shtesë, sepse kjo do ta dërgonte këtë proces në zvarritje të pafundme dhe kam frikë se nëse do të ndodhte një gjë e tillë do t'i humbasë edhe kuptimi këtij procesi. Përmirësimi i legjislacionit të Kosovës dhe lufta kundër korrupsionit nuk janë sfida që përfundojnë me procesin e liberalizimit të vizave. Ne për këto çështje vazhdmisht do të monitorohemi nga Bashkimi Evropian edhe kur të anëtarësohemi në BE, kështu që procesi i liberalizimit të vizave duhet të jetë i ndarë nga shumë procese që do ta përcjellin Kosovën në të ardhmen.

DW: Ministër Qollaku, ka pasur apo ka kërkesë për përmbushje të ndonjë kriteri politik në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën?

Qollaku: Normalisht që kriteret ashtu siç kanë qenë për shtetet e tjera të rajonit që tashmë kanë përfituar nga ky proces e kanë edhe pjesën e vet politike dhe kjo lidhet me vullnetin e shteteve anëtare për të rekomanduar heqjen e vizave apo regjimin e vizave për një shtet të caktuar. Në të gjitha takimet që kemi pasur me zyrtarët e Komisionit Evropian, duke përfshirë komisionerët e ndryshëm, sidomos ata që janë përgjegjës për këtë fushë, ne kemi marrë premtime pozitive se një vullnet i tillë politik jo vetëm që ekziston në kuadër të institucioneve të BE-së, mirëpo ekziston edhe të shumica e vendeve anëtare të BE-së, duke e ditur faktin që Kosova është vendi i vetëm në rajon që akoma ka regjim vizash dhe po ashtu duke e ditur faktin se që nga marrja e udhërrëfyesit tri vjet më parë ka bërë shumë në plotësimin e kritereve të kërkuara.

DW: Ministër Qollaku, mund të flasim për ndonjë datë të caktuar se kur mund të kemi një vlerësim pozitiv nga ana e Komisionit Evropian, natyrisht nëse e keni këtë informacion?

Qollaku: Duke qenë shumë i kujdeshshëm sa i përket afateve kohore, unë konsideroj që pas ardhjes së komisionit vlerësues të tretë në Kosovë dhe pas hartimit të raportit të tyre për nevoja të Komisionit Evropian, atëherë komisoni do të ketë disa muaj kohë për ta verifikuar gjendjen në terren dhe për të verifikuar shkallën e përmbushjes së kritereve. Dhe në qoftë se nuk do të ketë asnjë lloj komplikimi tjetër në këtë proces, unë mbes optimist që në fund të këtij viti, do të thotë në muajin dhjetor, Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare mund të ndërtojnë konsensusin e domosdoshëm edhe teknik edhe politik që të japin një rekomandim pozitiv. Mirëpo, se a do të ndodhë kjo në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm, kjo mbetet një vendimmarrje ekskluzive e institucioneve të BE-së. Ato janë të vetëdijshme për urgjencën e një vendimmarrjeje të tillë, duke marrë parasysh edhe punën që është bërë, edhe si të thuash disponimin politik në Kosovë dhe në masë të madhe edhe zhgënjimin e qytetarëve të Kosovës me zvarritjet e vazhdueshme që kanë ndodhur në kuadër të këtij procesi. Prandaj mendoj se janë pjekur të gjitha kushtet që këtë fundvit Kosova vërtet të marrë një lajm pozitiv në procesin e liberalizimit të vizave.