1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nishani:”Kosova, faktor stabiliteti në Ballkan”

Bekim Shehu / Prishtinë30 Gusht 2012

Presidenti Nishani, tha se momenti i heqjes se mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës është një moment tjetër historik, që hap një rrugë të re për Kosovën, në konsolidimin e shtetit.

https://p.dw.com/p/160KT
Fotografi: dapd

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, tha se, Kosova e lirë, e pavarur, demokratike dhe sovrane është sot jo vetëm një realitet i pakthyeshëm, por një faktor i domosdoshëm për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në gjithë rajonin e Ballkanit. Këtë deklaratë, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, e bëri pas një takimi që zhvilloi me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, gjatë vizitës që po realizon në Kosovë, të parën që nga zgjedhja e tij president i Shqipërisë. Kjo vizitë, po realizohet vetëm pak ditë para se Kosovës t'i hiqet mbikqyrja ndërkombëtare.

Një moment tjetër historik

“Momenti i heqjes se mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës është një moment tjetër historik, që hap një rrugë të re për Kosovën, për qytetarët e saj në konsolidimin e shtetit, në konsolidimin e institucionevedhe në zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetit ekonomik”, tha presidenti shqiptar, Bujar Nishani.

Në foto, Bujar Nishani dhe Atiifete Jahjaga
Në foto, Bujar Nishani dhe Atiifete JahjagaFotografi: DW

Presidenti Nishani, përshëndeti punën e institucioneve të Kosovës dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar që Kosova të arrijë në përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.

Shqipëria i mbështetë të gjitha agjendat e Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, në konferencën e përbashkët për media me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, foli edhe për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi. “Shqipëria mbështet të gjitha agjendat e institucioneve të Kosovës. Dialogu është mënyra më efikase e trajtimit dhe zgjidhjeve të çfarëdo problemit, i cili krijon parakushte për të fituar fryma e pajtimit dhe prosperimit kah rruga e Integrimit”, tha presidenti Nishani. Ndërkohë, për çështjen e dialogut, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se "dialogu me Serbinë duhet të jetë i qëndrueshëm".

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, në Kosovë u prit me ceremoni të lartë shtetërore. Sipas presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, kjo vizitë e ka porosinë dhe simbolikën e vet në 100 vjetorin e festimit të pavarësisë së Shqipërisë.

Pamje nga konferenca për shtyp: Bujar Nishani dhe Atiifete Jahjaga
Pamje nga konferenca për shtyp: Bujar Nishani dhe Atiifete JahjagaFotografi: DW

Kufiri ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës të jetë kufi evropian

“U pajtuam që kufiri ndërmjet dy vendeve tona të jetë një kufi evropian që bashkon njerëzit, duke mundësuar një komunikim të lirshëm dhe duke pasur programe konkrete në shfrytëzimin e resurseve tona. Këtë vit përfundohet rruga e kombit “Ibrahim Rugova” në gjithë segmentin Prishtinë-Durrës dhe kjo do të ndihmojë shumë në këmbimin tregtar dhe në qarkullimin e mallrave dhe dalja e Republikës së Kosovës në portet e Shqipërisë është e një rëndësie të jashtëzakonshme për plasimin e prodhimeve tona, por dhe për lidhjen ekonomike me të gjitha vendet e botës”, tha presidentja Jahjaga.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, takoi të enjten në Prishtinë edhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe udhëheqës të subjekteve politike në Kosovë. Ai me një fjalim iu drejtua edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, do të qëndrojë në Kosovë edhe gjatë ditës së nesërme.