1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova kërkon largimin e UNMIK-ut nga Kosova

17 Qershor 2009

Analistët mendojnë se prania e UNMIK-ut në Kosovë pas dhjetë vjet administrimi vetëm sa do ta komplikojë funksionimin e misionit të BE-së, EULEX.

https://p.dw.com/p/IGzj
Këshilli i Sigurimit i OKB-së
Këshilli i Sigurimit i OKB-së shqyrton sot (16.06) një raport të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun, në të cilin ai u bën apel të gjitha palëve që të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për rikonfigurimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë.Fotografi: Samir Huseinovic

Këshilli i Sigurimit i OKB-së shqyrton sot (16.06) një raport të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun, në të cilin ai u bën apel të gjitha palëve që të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për rikonfigurimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

Autoritetet e Prishtinës kërkojnë që misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK, ta përfundojë mandatin dhe të largohet përfundimisht nga Kosova, sepse sipas tyre, ky mision tashmë është i konsumuar. Ata thonë se në Kosovë nuk ka vend për dy misione ndërkombëtare, pavarësisht faktit që edhe misioni evropian EULEX, u vendos në Kosovë në bazë të rezolutës 1244 e KS-it. Kjo rezoltë akoma është në fuqi.

"Ne e çmojmë punën e madhe që e ka bërë UNMIK-u në Kosovë. - u shpreh presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu. Për një kohë të gjatë ai ka qenë një partner i rëndësishëm dhe të gjitha ecjet i kemi bërë bashkë. Tash, UNMIK-u nuk mund ta përfaqësojë Kosovën, sepse ne tash jemi te zotët e shtëpisë sonë."

Ne të njëjtën linjë shprehet edhe kryeministri, Hashim Thaçi, i cili mendon se roli i UNMIK-ut në Kosovë është i tejkaluar: "Kosova ka institucionet e veta, është shtet i pavarur sovran dhe demokratik, kemi prezencën e BE-së në Kosovë dhe së bashku do të rrugëtojmë drejt BE-së dhe NATO-s."

Zyrtarë të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë kanë deklaruar disa herë se ky mision ndodhet në një pozitë jo të favorshme në Kosovë mirëpo, megjithatë sipas zëdhënësit të UNMIK-ut Rasell Geekie, rikonfigurimi i misionit po vazhdon.

"Lidhur me këtë, ne jemi aktualisht në tranzicion, në përfundim të fazës së rikonfigurimit dhe jemi duke marrë një rol politik dhe raportues me disa kompetenca të mbetura," - thotë zëdhënësi Rasel Geekie.

Analistët nga ana e tyre thonë se prania e UNMIK-ut në Kosovë vetëm sa do ta komplikojë punën e misionit evropian EULEX. Ramush Tahiri, analist i pavarur shprehet: "UNMIK në këtë fazë dhe më një staf të vogël vetëm sa do të paraqesë pengesa për misionin evropian EULEX, sepse të dy misionet kanë ardhur në Kosovë në bazë të rezolutës 1244, pra rrjedhimisht kanë të njëjtën bazë ligjore. Kosova tash nuk ka nevojë për UNMIK dhe në të vërtetë nuk ka pasur kurrë nevojë për një administratë aq të fuqishme si ishte UNMIK-u. Gjatë pesë viteve të fundit, UNMIK-u nuk ka luajtur ndonjë rol të madh në Kosovë, prandaj mendoj se UNMIK-u ka qëndruar shumë gjatë në Kosovë dhe më nuk është i nevojshëm.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, i cili do të marrë pjesë në seancën e KS-it, do të përsërisë kërkesën që UNMIK-u të largohet nga Kosova. Kërkesa e Kosovës për largimin e UNMIK-ut kundërshtohet nga Beogradi. Qeveria në Beograd është shprehur e gatshme që të bashkëpunojnë me misionin evropian EULEX-in, por ka theksuar se përfundimi i mandatit të misionit të OKB-së në Kosovë është i papranueshëm, përderisa KS-it nuk e ka shfuqizuar rezolutën 1244.

Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Pandeli Pani