1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova kërkon marrëveshje tregtare me BE-në

6 Prill 2010

Kosova ka marrë zyrtarisht pyetësorin për çështjen e marrëdhënieve tregtare me BE-në. Për autoritetet në Prishtinë ky është një hap konkret në rrugën e Kosovës drejt integrimit.

https://p.dw.com/p/MoGa
Fotografi: DW/ Pandeli Pani

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, thonë se nëpërmjet marrëveshjes tregtare me Bashkimin Evropian, shtetit të Kosovës i mundësohet një qasje e barabartë në tregun e BE-së me rreth 500 milion banorë. Ministri i tregtisë dhe industrisë në qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku, shpjegon për DW se çfarë përmban pyetësori për marrëdhënie tregtare me BE.

Qeveria optimiste për plotësimin shpejt të pyetësorit

Lutfi Zharku, ministri kosovar i Tregtisë dhe Industrisë.
Lutfi Zharku, ministri kosovar i Tregtisë dhe Industrisë.Fotografi: DW/Bekim Shehu

“Shtylla e parë ka të bëjë me institucionet dhe mekanizmat që kanë të bëjnë me koordinimin e tregtisë, infrastrukturën ligjore që rregullon sistemin e tregtisë në Kosovë, barrierat tarifore dhe jotarifore, rregullat teknike, barrierat teknike, standardet, sistemin doganor, lehtësimin e tregtisë ndërkufitare, prokurimin publik, pronësinë intelektuale si dhe konkurencën”, thotë Lutfi Zharku. Sipas Zharkut Kosova me lehtësi do ta plotësojë këtë pyetësor pa vonesë.

Ekspertët tërheqin vëmendjen të mos fshihen problemet

Por ekspertët e çështjeve ekonomike, thonë se do të ketë vështirësi. Safet Gërxhaliu, nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, shpjegon: “Të mos ketë vetëm fasadë maskuese dhe të thuhet se çdo gjë është në rregull, por të paraqitet thelbi i problemeve dhe për këto probleme të kërkohet përkrahja e Komisionit të BE-së në mënyrë që proceset e shkëmbimeve tregtare me BE-në të ecin ashtu siç duhet."

Kosova nuk ka një ekonomi të zhvilluar, prodhimi i saj është shumë i ulët dhe në këtë linjë, Kosova në përgjithësi importon mbi 80 % të mallrave. 40 përqind të mallrave importohen nga vendet e rajonit, ndërsa, 40 përqind të tjera importohen nga vendet e BE-së. Ministri Lutfi Zharku, thotë se Kosova has në rajon në vështirësi për shkëmbime tregtar dhe kjo bëhet kryesisht nga Serbia. Rrugëdaljen në këtë rast Kosova e sheh tek faktori ndërkombëtar.

“Puna e Komisionit Evropian dhe puna e Zyrës Civile Ndërkombëtare janë në rrugë të duhur që të kemi një zgjidhje praktike për përfaqësimin e Kosovës në marrëveshjen e CEFTA-as dhe për zgjidhjen e problemit të eksporteve kosovare. Marrëveshja e CEFTA-as, duhet t'i lejojë Kosovës tregti të lirë në rajon”, thotë ministri Zharku.

Çfarë mund t'i ofrojë Kosova tregut të BE-së?

I vetmi vend në rajon që nuk i shkakton Kosovës probleme në shkëmbimet tregtare, është Shqipëria. Por Kosova dhe Shqipëria kanë nivelin më të ulët të shkëmbimeve tregtare. Ministri Zharku, thotë se bizneset kosovare nuk kanë shumë çfarë t'i ofrojnë Shqipërisë dhe anasjelltas. Në këtë rast, shkëmbimi më i madh tregtar i Kosovës mbetet me Maqedoninë dhe Serbinë. Por nëse Kosova s'ka çfarë t'u ofrojë vendeve të rajonit, atëherë çfarë mund t'u ofrojë vendeve te BE-së, pas vendosjes së marrëdhënieve tregtare?

Straßenszene mit Händler in Pristina, Kosovo
Çfarë mund t'i ofrojë Kosova tregut evropian?Fotografi: picture-alliance/ dpa

“Çështja e rritjes së eksporteve dhe qasjes në Bashkimin Evropian me produktet tona nuk mendoj se mund të shihet në një afat të shkurtër. Autostrada e Kosovës dhe qasja e Kosovës është afatmesme dhe afatgjatë. Ne besojmë se me marrëveshjen tregtare që do të kemi me Bashkimin Evropian dhe krahas zhvillimit të infrastrukturës bazë të Kosovës do të kemi edhe një rritje të prodhimit. Atëherë do të kemi çfarë t'i ofrojmë BE-së”, thotë ministri Zharku.

Kosova në këtë fazë është duke hartuar legjislacionin dhe politikat e saj tregtare që përkojnë me ato të vendeve të BE-së, ndërsa në një fazë të mëvonshme mund të jetë pjesë e tregut evropian. Pyetësori për marrëveshje tregtare me BE-në, pritet të plotësohet brenda këtij muaji, para datës 15 prill kur është edhe afati i fundit.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Eliana Xhani