1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova kremton pesëvjetorin e pavarësisë

Bekim Shehu17 Shkurt 2013

Pesë vjetori i shpalljes së pavarësisë, e gjen Kosovën në fazën e intensifikimit të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë. Kosova në këtë pesëvjetor, synon të arrijë një traktat paqeje me Serbinë.

https://p.dw.com/p/17fPF
Fotografi: DW

Festimet për pesëvjetorin e pavarësisë së Kosovës me aktivitete të ndryshme po zhvillohen në të gjitha qytetet e Kosovës me një organizim shtetëror. Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila parakalon në sheshin qëndror të Prishtinës, është akoma një organizatë me detyra civile nën mbikqyrjen e KFOR-it. Këtë vit Forca e Sigurisë së Kosovës FSK, synon të bëhet ushtri e Kosovës, mirëpo, vendimin për këtë e marrin strukturat më të larta të NATO-s. Udhëheqësit më të lartë të Republikës së Kosovës, thonë se “në këto pesë vite, shteti i Kosovës ka arritur që të konsolidohet dhe forcohet çdo ditë e më tepër, duke fuqizuar kështu subjektivitetin e vet ndërkombëtar.

Për pesë vjet Kosova ka arritur të forcohet si shtet

Një seancë solemne me rastin e pesëvjetorit të pavarësisë, mbahet të dielën në kuvendin e Kosovës, ku të ftuar që të marrin pjesë janë edhe personalitete politike ndërkombëtare dhe nga shtetet fqinje, ish-deputetët, nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë, si dhe personalitete të ndryshme të jetës politike, kulturore dhe fetare të Kosovës.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se për pesë vjet të pavarësisë, Kosova ka bërë ndryshime të mëdha, “ka krijuar institucione demokratike, të cilat, megjithatë, do duhej të ishin më ndryshe në funksionimin e tyre.

“Sigurisht se lenë për të dëshiruar shumë, por, gjithsesi, Kosova në pesëvjetorin e vet është një shtet i ri, një shtet me perspektivë, dhe përspektiva e saj varet shumë nga gjithë shoqëria e Kosovës”, thotë kryetari i kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Pesë vjetori i shpalljes së pavarësisë, e gjen Kosovën në fazën e intensifikimit të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë. Kosova në këtë pesëvjetor, synon të arrijë një traktat paqeje me Serbinë, e cila vazhdon të mos e njoh shtetin e Kosovës.

Katër takime ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaci dhe Ivica Daqic dhe një takim ndërmjet presidentëve të të dyjave vendeve, Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikoliq, nga analistë të pavarur cilësohen si fillimi i fundit në procesin e zgjidhjes së problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Thaçi, dialogun me Serbinë e sheh si një proces pozitiv

Pamje nga Prishtina
Pamje nga PrishtinaFotografi: DW

“Në këtë 5 vjetor jemi në një proces pozitiv, atë të përmbylljes së konfliktit njëshekullor mes Kosovës dhe Serbisë. Në një proces të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore, Kosovë-Serbi, proces ky, që duam të besojmë, se nën udhëheqjen e BE-së dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, do të përmbyllet me njohje reciproke nga të dyja vendet. Dhe, do të kemi një rajon të evropianizuar”, thotë kryeministri Thaçi.

Kosova nuk është e përfaqësuar sa duhet në arenën ndërkombëtare

Analisti nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave ICG Naim Rashiti, thotë se mosmiratimi nga OKB-ja, i planit të Marti Ahtisarit në vitin 2007, e ka kufizuar shumë përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

”Kosova ka mbetur shumë e cunguar nga mosmiratimi i planit të Marti Ahtisarit në OKB, në vitin 2007 dhe Kosova realisht ka mbetur jashtë kontekstit ndërkombëtar të përfaqësimit. Tash dialogu me Serbinë i ndërmjetësuar nga shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka për qëllim që ta rregullojë çështjen e integritetit territorial të Kosovës dhe ta rregullojë çështjen e përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thotë Naim Rashiti.

Kosova synon anëtarësimin në OKB

Kosova shpalli pavarësinë me 17 shkurt të vitit 2008. Ajo është njohur shtet i pavarur nga 97 vende të botës. Ministri i jashtëm Enver Hoxhaj, thotë se “Kosova synon të rrisë sa më shumë numrin e njohjeve, në mënyrë që të anëtarësohet në OKB”. Kosova është anëtare e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim BERZH. Ekonomia e Kosovës ka nivel të ulët zhvillimi. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, shkalla e papunësisë në Kosovë arrin nivelin 44.9 %.