1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova me MSA: Nevojë më shumë se kurrë për stabilitet

Vilma Filaj-Ballvora27 Tetor 2015

Me nënshkrimin e MSA Kosova është një hap më pranë drejt BE-së, por me skenat në kuvend me shekuj larg vlerave të demokracisë europiane. Më shumë se kurrë shtetit të ri i duhet konsolidimi i demokracisë parlamentare.

https://p.dw.com/p/1Guth
Flagge Kosovo und EU
Fotografi: DW/A. Beqiraj

Nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim (MSA) me BE-në është për Kosovën një hap i rëndësishëm përpara drejt afrimit në strukturat e bashkësisë së vlerave europiane. Hedhja e nënshkrimeve në këtë marrëveshje nga përfaqësueit e lartë të Kosovës dhe ata të BE-së kurorëzon me sukses nga njëra anë përpjekjet e Kosovës për përmbushjen e standardeve, po shpreh njëkohësisht edhe predispozitën e Brukselit për t'i dhënë dorën shtetit më të ri në kontinent, që sa më parë të bëhet pjesë me të drejta të plota në familjen europiane. Por nënshkrimi i MSA është vetëm akti formal, rruga që ka Kosova përpara drejt Brukselit është mjaft e gjatë dhe me shumë pengesa. Ndaj ky impuls i ri që vjen nga Brukseli në Prishtinë duhet kuptuar nga elita politike në vend si një përgjegjësi më shumë kundrejt partnerëve në BE e veçanërisht kundrejt qytetareve e qytetarëve të Kosovës.

Marrëveshjet duhen vënë në jetë

Integrimi në strukturat e BE-së nuk është i vetëkuptuesëm pas një akti nënshkrimi. Puna më e vështirë nis paskëtaj. Këtë e kanë shumë të qartë politikanët drejtues: Marrëveshjet duhen vënë në jetë, zbatimi i tyre nënkupton përmbushje detyrimesh ligjore, respektim standardesh demokratike dhe realizim normash ekonomike e financiare. Detyrimet për respektim standardesh vlejnë për të gjithë qofshin drejtuesit politik në pozitë apo në opozitë, por edhe për vetë qytetarët e qytetaret e vendit që aspiron BE-në.

Vilma Filaj Ballvora Leiterin DW-Albanisch
Vilma Filaj Ballvora drejtuese e redaksisë shqipe të Deutsche Welle-sFotografi: DW/P. Henriksen

Ndaj edhe vetë shoqëria civile dhe qytetaret e qytetarët duhet të japin kontributin e tyre duke mbështetur të zgjedhurit e tyre në dobi të interesit të përbashkët për ta merituar dhe për të qenë pjesë e Europës. Sinjali pozitiv nga Brukseli padyshim e inkurajon edhe më shumë qeverinë në kursin e saj të orientuar nga BE-ja. Por nga ana tjetër ajo do të jetë nën presionin e pritshmërive për realizimin e reformave të qendrueshme. Luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit në drejtësi e në administratë, konsolidimi i shtetit ligjor dhe pavarësia e medias, për të cilat tërheq vëmendjen BE-ja. Nёse kёto reforma deri tani tё çala do tё pёrmbushen, prej kёsaj do tё pёrfitojnё nё radhё tё parё qytetaret dhe qytetarёt e Kosovës. Jeta e tyre do tё pёrmirёsohet e po ashtu do tё bёhet realitet edhe ёndrra e tyre e kahershme pёr tё qenё pjesё e komunitetit tё vlerave europiane. Shtetasit e Kosovës janë ndërkohë të vetmit në Ballkanin Perëndimor, që nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes pa viza në Europë. Por sipas vlerësimeve nga Brukseli së shpejti kosovarët do ta gëzojnë edhe këtë të drejtë.

Sfida raportet me Serbinë dhe demokracia parlamentare

Një ndër detyrimet më delikate që dalin para Kosovës në këtë kontekst është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe respektimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuara nga Brukseli. Rruga është e pakthyeshme dhe kompromiset janë të pashmangshme, qofshin ato ndonjëherë edhe të dhimbshme. Demokraci do të thotë përballje argumentash, gjetje zgjidhjesh dhe kompromise. E është pikërisht kuvendi tribuna e debatit dhe gjetjes së zgjidhjeve në dobi të qytetareve e qytetarëve të vendit.

Një detyrë imediate për t'iu afruar standardeve të BE-së është tani për Kosovën konsolidimi i jetës parlamentare. Në radhë të parë janë qytetaret dhe qytetarët e Kosovës ata që presin nga politikanët koncepte dhe zgjidhje të problemeve e jo konfrontime për interesa të ngushta ekonomike dhe pushteti. Për fat të keq për diçka krejt tjetër flasin skenat që ka përjetuar shoqëria kosovare dhe opinioni ndërkombëtar javët e fundit nga parlamenti i Kosovës. Hedhja e gazit lotsjellës në kuvend duket se po kthehet në ritual. Opozita i kundërshton marrëveshjet me Serbinë duke përdorur gazin si armë në vend të argumentave dhe propozimeve për zgjidhje. Tërheqja nga marrëveshjet e negociuara me vite nuk është zgjidhja. Zgjidhja në dobi të të gjitha palëve arrihet vetëm përmes debateve dhe negociimeve të arsyeshme. Hapi i hedhur sot me nënshkrimin e MSA me BE-në duhet t'i inkuarojë forcat politike në Kosovë për përgjegjësinë dhe rolin që kanë marrë përsipër. Europa sërish i hapi një portë dhe i dha dorën e ndihmës Kosovës. Ky shans nuk duhet humbur në luftra politike që çojnë në kaos e qorrsokak. Impulsi nga Brukseli duhet të gjenerojë forcën për punë serioze dhe debat konstruktiv politik.