1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova merr obligime ndërkombëtare dhe kërkon njohje ndërkombëtare

Bekim Shehu/ Prishtinë17 Shkurt 2008

Atmosferë gëzimi te shqiptarët e Kosovës

https://p.dw.com/p/D8ta
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi iu drejtohet deputetëve në seancën e shpalljes së pavarësisë
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi iu drejtohet deputetëve në seancën e shpalljes së pavarësisëFotografi: AP

Parlamenti i Kosovës, miratoi deklaratën e pavarësisë me të cilën Kosova shpallet shtet i pavarur dhe sovran. Deklaratën e pavarësisë para deputetëve të kuvendit të Kosovës dhe shumë mysafirëve të pranishëm në seancë e lexoi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Deputetët serbë bojkotuan punimet e kuvendit të Kosovës. Të gjithë 109 deputetët e tjerë të pranishëm në sallë miratuan delaratën e pavarësisë ku konkludohet se Kosova që nga 17 shkurti 2008, është shtet i pavarur dhe sovran.

Në deklaratën e pavarësisë e cila u nënshkrua nga të gjith deputetët, Kosova garanton se do të mbrojë të drejtat e pakicave dhe do të vendosë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinjë, përfshirë këtu edhe Serbinë. Kosova merr obligime ndërkombëtare dhe kërkon njohje ndërkombëtare.

Përreth godinës së parlamentit, dhjetra mijëra qytetarë festonin të ardhur nga të gjitha rajonet e Kosovës, por edhe nga jashtë saj. Organet e rendit thanë gjatë ditës nuk është shënuar asnjë incident edhe pse gëzimi dhe euforia në vendbanimet shqiptare tashmë është shumë e lartë. Në të gjitha rajonet e Kosovës ka mbi 16 mijë trupa të NATO-os dhe mbi 10 mijë policë vendor dhe ndërkombëar që po kujdesen për sigurinë e qytetarëve të Kosovës.

Gjatë gjithë javës së shkuar por edhe gjatë ditës së diel udhëheqësit e Kosovës u bëjnë thirrje qytetarëve që të jenë të përmbajtur me veprimet e tyre dhe të shmangin çdo gjë që mund të nxisë tensione. Kujdes më të vecantë situatës së sigurisë, organet e rendit i kanë kushtuar qytetit të Mitrovicës. Kanë ngritur barriera me tela me gjëmba dhe blloqe betoni në urën kryesore mbi lumin Ibër për të ndarë shqiptarët dhe serbët, në mënyrë që të shmanget mundësia e trazirave. Në Kosovë gjatë ditës së diel, ishin edhe disa ministra të qeverisë së Serbisë të cilët qëndruan nëpër enklavat serbe. Nëpër këto venbanime ka pasur disa protesta të vogla kundër pavarësisë së Kosovës, mirëpo thuhet se ato kanë kaluar në mënyrë të qetë.