1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova vizat

19 Janar 2012

Cecilia Malmström, tha në Prishtinë se prioritet i qeverisë së Kosovës në procesin e dialogut duhet të jetë, sigurimi i kufijve, ndalimi i imigrimit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

https://p.dw.com/p/13maa
Në foto, Cecilia Malmström
Në foto, Cecilia MalmströmFotografi: dapd

Kosova nisë zyrtarisht dialogun me Komisionin Evropian për liberalizimin e vizave, mirëpo, akoma nuk e merr udhërrëfyesin. Për këtë nevojitet edhe pak kohë. Hapjen zyrtare të dialogut për vizat e bëri në Prishtinë, komisionerja për çështje të brendshme e Bashkimit Evropian, Cecilia Malmström. “Ajo që po bëjmë sot është që po fillojmë dialogun. Ky është një zotim politik që komisioni e bënë së bashku me popullin e Kosovës dhe qeverinë e saj për të filluar këtë dialog”, tha Cecilia Malmström, gjatë një konference për media.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: DW

Mirëpo, zonja Malmström, sot nuk e kishte me vete udhërrëfyesin që t'ia dorëzojë qeverisë me të cilin do të punonte pala kosovare për të përmbushur në letër kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian. Cecilia Malmström, tha se objektiv politik është që Komisioni Evropian dhe qeveria e Kosovës ta hartojnë së bashku një udhërrëfyes ku do të identifikohet saktësisht dhe në letër së çfarë duhet të bëhet. Sipas saj, prioritet është sigurimi i kufijve, ndalimi i imigrimit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Sa i përket udhërrëfyesit ne veprojmë ashtu siç kemi vepruar me shtetet e rajonit. Kur do të jetë gati udhërrfyesi nuk mund ta jap një datë të saktë, por objektiv i imi është se ai duhet të jetë gati gjatë kësaj pranvere, por është edhe në duar të qeverisë se kur do të arrijë të bëjë reformat”, tha Cecilia Malmström.

Në bazë të përvojës së vendeve të rajonit, që nga vendimi politik për nisjen e dialogut për vizat, deri te vendimi praktik që të hedhen në letër të arriturat e një vendi, nevojiten së paku gjashtë muaj. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nga ana e tij, vendimin politik të Komisionit Evropian që të nisë dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën, e cilësoi si fillimin e perspektivës evropiane për Kosovën, ndërsa, u zotua se qeveria e tij do të plotësojë të gjitha kriteret e kërkuara. “Ne do të punojmë me të gjitha potencialet tona, do të plotësojmë të gjitha kriteret besojë në mënyrë rekorde, do t'i bëjmë të gjitha reformat demokratike qoftë në ekonomi, politikë dhe legjislacion dhe ajo që mund të them është se nga sot, hapet persketiva evropiane për Kosovën dhe lirisht mund të them se kjo është një ditë e bekuar për Kosovën”, tha kryeministri Thaçi.

Në foto, Hashim Thaçi
Në foto, Hashim ThaçiFotografi: picture alliance/dpa

Sidoqoftë, as kryeministri Thaçi dhe as komisionerja Malmström nuk ishin në gjendje të japin një datë të saktë, se kur qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Vendeve fqinje të Kosovës që nga nisja e dialogut për vizat, iu deshën 18 deri në 24 muaj që të plotësojnë të gjitha kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian. Kosova është i vetmi vend në rajon që akoma ka regjim vizash për në Bashkimin Evropian.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Esat Ahmeti