1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova një kapitull i ri

Bekim Shehu11 Shtator 2012

Pas përfundimit të mbikqyrjes Kosova dhe BE janë pjesë e pandashme e të gjitha proceseve, theksoi presidenti Marti Ahtisari në konferencën e ndërkombëtare "Kapitull i mbyllur në Ballkan".

https://p.dw.com/p/166l7
Fotografi: picture-alliance/dpa

Një ditë pas vendimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, që i hoqi mbikqyrjen pavarësisë së Kosovës, në Prishtinë po mbahet konferenca ndërkombëtare "Kapitull i mbyllur në Ballkan". Në këtë konferencë po marrin pjesë shumë shefa të diplomacive dhe përfaqësues të shteteve, që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe që i dhanë fund mbikqyrjes ndërkombëtare, bazuar në planin e Marti Ahtisarit. Arkitekti i këtij plani, presidenti Ahtisari, tha se me përfundimin e pavarësisë së mbikqyrur, Kosova duhet ta tregojë veten si një shtet i pavarur.

Ahtisari: Kosova dhe BE pjesë e pandashme e të gjitha proceseve

Martti Ahtisaari duke arritur në Prishtinë
Martti Ahtisaari duke arritur në PrishtinëFotografi: picture-alliance/dpa

Për Bashkimin Evropan, thotë Marti Ahtisari, nuk janë shumë edhe dy milionë banorë të Kosovës, që t’i pranojë në këtë mekanizëm. "Bashkimi Evropian duhet të gjejë një mënyrë për të pranuar këta dy milionë njerëz, të cilët banojnë shumë afër. Disa mendojnë se ky është një problem për Bashkimin Evropian, por unë nuk konsideroj se është problem", thotë Marti Ahtisari.

Për të ardhmen evropiane të Kosovës angazhohen udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, prandaj presidentja Atifete Jahjaga thotë, se pas heqjes së mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë tash Kosova edhe formalisht mund të trajtohet si vend i barabartë me të gjitha vendet demokratike.

Jahjaga: Kosova vend i mundësive të barabarta për të gjithë

"Kosova është një dhe e pandashme, Kosova është vend i mundësive të barabarta për të gjithë, Kosova është atdhe i të gjithëve, një vend me institucione të një shteti modern, gjithëpërfshirës dhe demokratik. Ne qytetarët e Kosovës jemi të barabartë kudo, në cilën do pjesë të shtetit tonë të përbashkët, pa dallime dhe pa urrejtje, diversitetin etnik, fetar e kulturor e kemi vlerë të vendit tonë. Synimi ynë është krijimi i një shteti të begatë dhe një tregu të lirë, ku secili te ketë mundësi për të kontribuar dhe ku secili ta shohë të ardhmen e vet", thotë presidentja Atifete Jahjaga.

Thaçi: Qytetarët e Kosovës të vetëdijshëm për përgjegjësitë, që u takojnë

Kosovo Konferenz Wien
Fotografi: Reuters

Në të njejtën linjë shprehet edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili thotë se Kosova ka arritur në shkallën, që të trajtohet e barabartë me shtetet tjera. Ai thotë se Kosova dhe qytetarët e saj tash janë të vetëdijshëm për përgjegjësitë, që u takojnë.

"Dialogu dhe mirëkuptimi duhet të vazhdohen. Zgjidhjet duhet të arrihen dhe popujt duhet të pajtohen. Edhe një kapitull sapo u mbyll dje në Ballkan, ai i emergjencës i asistencës dhe i mbikëqyrjes, mirëpo po ashtu u hap një kapitull i ri, ai i zhvillimit i pajtimit dhe bashkëpunimit të popujve mes shteteve", thotë kryeministri Thaçi.

Për një kapitull të ri për Kosovën flet edhe shefi në largim i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Peter Faith, i cili për katër vjet e gjysmë mbikqyri zbatimin e planit të Marti Ahtisarit.

Feith: Sukseset e ardhshme do të shpërblehen, por edhe dështimet do të ndëshkohen

"Dje pasdite në aktin e fundit si përfaqësues civil ndërkombëtar në mbikëqyrjen e implementimit të pakos së Ahtisaarit kam qenë dëshmitar i përmbylljes së kapitullit të fundit për Ballkanin dhe jam i kënaqur, që marr pjesë në këtë konferencë për fillimin e ri të Kosovës në kapitullin e ri. Kosovarët tash nuk do të kenë hapësirë për t’u arsyetuar. Sukseset e ardhshme do të shpërblehen, por edhe dështimet do të ndëshkohen", thotë Peter Faith.

Shefi në largim i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith
Shefi në largim i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter FeithFotografi: picture-alliance/ dpa

Heqja e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë dhe tash pavarësia e plotë e Kosovës do të thellojë paqen e stabilitetin në rajon. Kështu tha në fjalën e tij ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti.

"Dhënia fund e pavarësisë së mbikqyrur ka një domethënie të veçantë, pasi ajo koincidon me një ngjarje të shënuar, 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe gjithë kombit shqiptar, ku padyshim figura të ndritura të Kosovës kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar", tha shefi i diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti.

Folësit në konferencën ndërkombëtare "Kapitull i mbyllur në Ballkan", trajtuan një varg çështjesh, që ndërlidhen me tranzicionin, globalizmin dhe ndër-vartësinë ndërmjet shteteve.