1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova një vit shtet i pavarur

Bekim Shehu16 Shkurt 2009

Retrospektivë të zhvillimeve gjatë vitit të parë të pavarësisë së Kosovës

https://p.dw.com/p/GvFs
Flamuri i shtetit të KosovësFotografi: picture-alliance/ dpa

Shkurti i vitit 2008, për shqiptarët e Kosovës do të mbetet muaji që do të kujtohet ndër breza. Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës i mbledhur në një seancë të jashtzakonshme, shpall pavarësinë dhe poashtu shfaq për herë të parë flamurin e shtetit të ri. Deklaratën e pavarësisë e lexoi kryeministri Hashim Thaci, para 109 deputetëve të pranishëm në sallë, pa pjesëmarrjen e serbëve.

"Ne udhëheqësit e popullit tonë të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik".


Në ditën e parë të shtetit të ri, Kosova njihet nga gjashtë vende, tri nga ato evropiane, për të vazhduar më pas procesi i njohjes edhe nga shumë vende të tjera. Mirëpo, menjëherë pas shpalljes, pavarësia kundërshtohet nga Serbia. Serbët e Kosovës fillojnë protestat. Ato u shkallëzuan në dhunë duke u vënë zjarrin dy pikave kufitare në Veri të Kosovës në kufirin me Serbinë, mirëpo protestat nuk u zhvilluan në enklavat e tjera serbe brenda Kosovës. Serbët e veriut krijojnë një mekanizëm të tyre, "Kuvendin Paralel Serb", që do t´u përgjigjet veprimeve të kuvendit të Kosovës. Nebojsha Joviq, ishte anëtar i këshillit kombëtar të serbëve të Kosovës veriore. "Eshtë e pamundur që pavarësia e Kosovës të zbatohet në veriun e Kosovës, por nuk guxojmë që të bëjmë asgjë që do të vinte në rrezik popullatën serbe në pjesët tjera të Kosovës. Pra, çdo vendim i veriut të Kosovës do të merret në bashkërendim edhe me serbët që jetojnë në pjesët tjera të Kosovës", thoshte Nebojsha Joviq.


Protestat e serbëve në veri vazhdojnë çdo ditë. Ata okupojnë me dhunë gjykatat në veri të Mitrovicës, arrihet deri tek përleshja me policinë ndërkombëtare dhe për pasojë një polic ndërkombëtar vritet nga serbë të armatosur. Tensionet në veri vazhdojnë për muaj rresht, udhëheqësit politik kosovarë nuk kanë ndonjë plan veprimi për veriun, sepse ishin të zënë me krijimin e shtetit të ri. Në Prishtinë, hartohet Kushtetuta e Kosovës, që miratohet më 15 qeshor në kuvend duke e shpallur Kosovën Republikë Parlamentare në kufijtë e saj ekzistues. Hashim Thaci është kryeministër. "Kushtetuta e Kosovës ju mundëson qytetarëve tanë të marrin frymë në mënyrë të barabartë para ligjit. Ajo i mbron privilegjet dhe të drejtat e të gjithë shtetasve pavarësisht përkatësisë etnike, fetare apo racore", thotë Thaci.


Kushtetuta e Kosovës, parashihte krijimin e misioneve diplomatike. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, dekreton 12 misionet e para dipomatike të Kosovës në vendet më të industrializuara dhe këto misione nisin punën menjëherë. Të gjitha këto zhvillime lënë nën hije misionin e UNMIK-ut, i cili duhet të niste procesin e bartjes së përgjëgjësive. UNMIK-u, filloi fazën e rikonfigurimit dhe sipas zëdhënësit Rasell Gikie, misioni do tu përshtatet rretanave të krijuara në terren.

"UNMIK-u i përshtatet situatës në terren që prej 10 vjetësh qysh nga viti 99. Natyrisht që tash kur Kushtetuta ka hyrë në fuqi, ne do ta kemi parasysh këtë dhe do të rikonfigurohemi sa të jetë e nevojshme, por gjithnnjë në konsultim me Nju Jorkun dhe partnerët tanë", thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie.


Gjatë gjithë verës vazhdojnë diskutimet për bartjen e përgjegjësive nga UNMIK-u tek institucionet e Kosovës, por ky proces është i ngadalshëm. Serbia nga ana e saj vazhdimisht kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe kërkon mekanizma ligjorë, që do ta hidhnin poshtë atë. Asmableja e Përgjithshme e OKB-së me nismën e Serbisë, në tetor nxjerr një rezolutë, përmes së cilës i kërkohej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që ta shqyrtojë legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës. Kjo rezolutë për Prishinën zyrtare, siç deklarohej vazhdimisht, ishte një nismë e keqe e Serbisë, që nuk do t'i kontribuojë paqes në rajon. Në Kombet e Bashkuara vazhdimisht diskutohej edhe për rolin e UNMIK-ut dhe për rolin e ri që duhet të ketë misioni i BE-së EULEX, që tashmë ishte vendosur për ardhjen e tij në Kosovë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, mbështet vendosjen e misionit EULEX në Kosovë, por harton një plan gjashtë pikësh, ku Kosova duhej të diskutonte me Serbinë për çështje që kanë të bëjnë me serbët e Kosovës. Plani hidhet poshtë nga Prishtina dhe që nga ajo kohë e deri më sot nuk u zbatua në praktikë, sepse Prishtina nuk pranon të futet të biseda me Beogradin, i cili vazhdimisht në kuadër të këtyre bisedave kërkon që të diskutohet serish çështja e statusit. Një vit pas shpalljes së pavarësisë Kosova është njohur nga 54 vende të botës. Kuvendi tashmë ka miratuar mekanizmin ligjor, që i lejon Kosovës anëtarësim në institucionet ndërkombëtare financiare. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këto institucione dhe është në pritje të përgjigjjes, sikundër pret njohje të reja të shtetit në mënyrë që të arrihet numri i mjaftueshëm për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës edhe në OKB-së.

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë