1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova nuk është një rast precedent, por specifik dhe unik

2 Dhjetor 2009

Shqipëria, Gjermania, Arabia Saudite në favor të pavarësisë së Kosovës, ndërsa Argjentina ishte kundër.

https://p.dw.com/p/Kp45
Kosova feston pavaresine
Fotografi: AP

Shpallja e pavarësisë ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, kështu theksoi këshilltarja pranë Ministrisë së Jashtme Gjermane Susanne Wasum-Rainer, e cila paraqiti në Hagë qëndrimet e Gjermanisë. Qeveria në Berlin, sipas saj, është e bindur se pavarësia e Kosovës i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon. Deklarata e pavarësisë nuk është vetëm akt juridik por edhe politik, sepse paraqet vullnetin e popullit të Kosovës. Pavarësia u shpall prej qeverisë dhe parlamentit të zgjedhur me rrugë demokratike. Ajo bazohet mbi propozimin e ndërmjetësuesit të OKB-së Marti Ahtisari.

Kosova shpalli pavarësinë ngaqë negociatat dështuan

Përfaqësuesja e Gjermanisë theksoi se vendi i saj ka dhënë një kontribut të madh për zgjidhjen paqësore të konfliktit, duke përmendur rolin e ambasadorit Wolfgang Ischinger si përfaqësues i BE-së në negociatat e trojkës për zgjidhjen e statusit. Mirëpo negociatat dështuan dhe Kosova shpalli pavarësinë. Wasum-Reiner theksoi se Kosova sot është njohur prej 63 vendesh, ajo ka kushtetutën e saj dhe ligjet dhe ka organizuar edhe zgjedhjet lokale. Rasti i Kosovës është një rast unik, i cili nuk mund të përdoret në raste të tjera.

Rasti i Kosovës nuk përbën precedent

"Kosova nuk është një rast precedent. Rasti është specifik dhe unik. Elemetët më të rëndësishme të këtij rasti janë dhuna masive dhe sistematike që kulmoi me masakra ndaj popullsisë shumicë shqiptare. Elementi i dytë është prezenca e gjatë e bashkësisë ndërkombëtare me mandatin e OKB-së. Serbia në këtë periudhë nuk ka ndikim në Kosovë dhe mbi autoritetet e Prishtinës. Dhe elementi i tretë janë negociatat me mandatin e OKB-së, ku u shfrytëzuan të gjitha mundësitë për bisedime, por ato dështuan."

Të gjitha këto fakte dëshmojnë se Kosovës nuk i mbeti ndonjë rrugë tjetër përveç pavarësisë. Të gjitha këto më çojnë në përfundimin se deklarata e pavarësisë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ajo nuk është në kundërshtim me parimin e integritetit territorial të shteteve apo rezolutën 1244 të KS të OKB," - tha përfaqësuesja e Gjermanisë.

Suspendimi i autonomisë u pasua nga dhjetë vite diskriminimi dhe dhune

Ambasadori i Shqipërisë në Holandë Gazmend Barbullushi rikujtoi se Serbia ia suspendoi në mënyrë të paligjshme autonominë e Kosovës në vitin 1989. Kjo u pasua nga dhjetë vite diskriminimesh dhe dhune shtetërore ndaj shqiptarëve të Kosovës.

"Dhjetë vite më parë, në vitin 1999 kosovarët iu nënshtruan pastrimit më të madh etnik që prej Luftës së Dytë botëre. Mijëra njerëz u vranë dhe u zhdukën, ndërkohë që dhjetëra mijëra shtëpi u dogjën ose shkatërruan," - theksoi Barbullushi.

"Kosova sot është vend i pavarur dhe multietnik, shtet ku sundojnë demokracia dhe ligji. Ku respektohet të drejtat e të gjithë qyetarëve të saj. Niveli i respektimit të të drejtave në Kosovë është shembull për shumë vende të tjera. Deklarata e pavarësisë stabilizon rajonin dhe është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkokmbëtare," - theksoi ai.

Arabia Saudite ka vendosur ta njohë shtetin e Kosovës

Edhe përfaqësuesi i Arabisë Saudite, ambasadori në Holandë, Abdullah Alshaghrrod theksoi se pavarësia është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Prandaj vendi i tij ka vendosur ta njohë shtetin më të ri.

Argjentina kundër pavarësisë

Kundër deklaratës së pavarësisë u shpreh përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme të Argjentinës, Susana Ruiz Cerutti. Ajo theksoi se duhet respektuar integriteti territorial dhe mosndërhyrja në punët e brendshme të një shteti sovran. Deklarata e pavarësisë është në kundërshtim me rezolutën 1244 dhe krijon një shtet në territorin e një shteti tjetër, theksoi ai. Përfaqësuesja e Argjentinës kundërshtoi mundësinë që një pakicë kombëtare, sikurse i quajti shqiptarët e Kosovës, të shpallë pavarësinë. Sipas saj deklarata e pavarësisë është në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe nxit aspiratat për secesion edhe në rajone apo pakica të tjera.

Në ditën e tretë të seancës dëgjimore, të enjten (03.12), para gjykatësve do të flasin përfaqësuesit e Austrisë, të Azerjbajxhanit dhe të Bjellorusisë.

Autor: Bahri Cani
Redaktor: Pandeli Pani