1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova: Strehë azilkërkuesish apo tranzit drejt Evropës?

29 Janar 2011

Në 12 muajt e fundit, rreth 300 persona nga shtetet e lindjes kanë parashtruar kërkesën për azil në Kosovë. Kosova nuk ka buxhet për azilkërkues dhe emigrantët kanë si destinacion Evropën.

https://p.dw.com/p/1078j
Logo e Qendrës së azilkërkuesveFotografi: DW

Tashmë, kur familja 12-të anëtareshe ka ardhur vërdallë nëpër botë si pasojë e konflikteve ndërfetare në veri të Nigerisë, edhe Q.E., pas 30 vjetësh detyrohet të braktisë atdheun. Por, megjithëse vraga nën sy ia kujton konfliktet muslimano-krishtere në vendlindjen e tij, atë nuk e trishton fakti se është strehuar në Kosovën e banuar me shumicë dërmuese nga popullata muslimane. "Feja nuk ka rëndësi, por fakti se kush sa është i arsyeshëm!“, thotë emigranti nigerian i cili ka filluar të mësojë gjuhën shqipe. "Po mësoj, pak“!

Stacion Kosova-Cak Evropa

Pas fluturimit me aeroplan deri ne Stamboll dhe me autobus nëpërmjet territorit të Serbisë, ai gjen strehë në Qendrën e Azilit, në Prishtinë. Ndërsa, përpjekjet për ikje ilegale drejt shteteve të Bashkimit Evropian, i arsyeton si "një promenadë sa për të njohur qytetet përtej kufijve të Kosovës. Jo, jo, jo…Nuk desha të ik!"

Zentrum für Asylbewerber in Pristina
Qendra e azilkërkuesveFotografi: DW

Ndërkohë që E.A., 26 vjeçar palestinez, i vendosur prej disa ditësh në Qendrën për Azilkërkues në Prishtinë, tregon haptas se destinacioni i tij përfundimtar janë vendet e BE-së. "Kam ardhur në Kosovë nëpërmjet Maqedonisë. Në Kosovë do të qëndroj 15 ditë dhe kur të më arrijnë paratë nga vëllai e shokët, do të shkoj në Francë, " thotë azilkërkuesi palestinez i cili pavetëdijshëm dëshmon ekzistencën e një rrjeti rajonal për trafikimin e qënieve njerëzore. Kurse, pjesa tjetër e rrëfimit i tij është edhe më e çuditshme: "Ishim 13 veta nga Palestina, Somalia, Tunizia, Sri Lanka dhe Afganistani dhe shkuam në Hungari. Hungaria na dëboi në Serbi, ndërsa policia e Serbisë na i mori paratë dhe na deportoi në kufi me Maqedoninë, në një mal, larg policisë kufitare dhe na thanë: "Ja, matanë është Maqedonia? Shkoni, pra. Prej këtu jeni të lirë!“ U futëm ilegalisht dhe pasi fjetëm 12 netë në një gjami, erdhëm në kufirin e Kosovës. Policia e Kosovës na ktheu prapa. Por ne u futëm sërish ilegalisht dhe kërkuam azil vetëm përkohësisht, sepse pas 15 ditësh do të udhëtoj për në Francë," flet azilkërkuesi palestinez.

Kosova nuk ka kapacitete për pranimin e azilkërkuesve

Sipas Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2010 janë kapur 15 persona si të dyshuar për trafikim të emigrantëve. Ndërsa, 21 persona janë ndaluar si të dyshuar për falsifikim dokumentesh apo vizash, që kanë pasur për qëllim trafikimin e emigrantëve. Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Emigracion në Prishtinë është i vetëdijshëm, se destinacioni i azilkërkuesve nuk është Kosova, thotë Islam Caka, drejtor, sipas të cilit vetëm gjatë vitit 2010 në Kosovë ka pas 267 kërkesa për azil.

Islam Caka
Islam Caka, Drejtor i Qendrës për AzilkërkuesFotografi: DW

"Ne jemi mundu me e stopu, mos të shndërrohemi në një vend për tranzit sikurse shtetet e rajonit, konkretisht Greqia, Maqedonia dhe Serbia, por kemi bërë përpjekje të bëjmë identifikimin e gjithë këtyre njerëzve dhe akomodimin, edhe pse kjo na kushton shumë si qeveri. Se, secili shtet në rast të tillë ban një kthim të mjeteve, a ne përkudrazi, e përballojmë me një buxhet që ne e dimë sa është. Por, pavarësisht angazhimeve tona, azilkërkuesit bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të gjetur rrugë për ikje nga Kosova, sepse destinacioni përfundimtar është Evropa," thotë drejtori Caka.

Lëvizje të vazhdueshme emigrantësh

Për ardhje-vajtjet e vazhdueshme të azilkërkuesve flet edhe drejtoresha e Qendrës për Azilkërkuesit në Prishtine, Sabrie Rashani-Koci: "Po, kemi pas largime dhe ardhje të reja, vazhdimisht. Kjo nënkupton se interesimi i tyre nuk është për qëndrim në Kosovë. Por, ne i trajtojmë rastet ashtu siç na vijnë, sepse mandati i qendrës është që t´iu ofroje strehim, shërbime dhe t´ua plotësojë të gjitha të drejtat konform Ligjit mbi Azil dhe udhëzimeve administrativë“, thotë drejtoresha Hashani-Koci.

Sabire Rashani-Koci
Drejtoresha e Qendrës për Azilkërkuesit në Prishtine, Sabrie Rashani-KociFotografi: DW

Aktualisht, brenda territorit të Kosovës ndodhen 86 azilkërkues, 23 prej të cilëve janë strehuar në Qendrën për Azilkërkues, ndërsa pjesa tjetër në një hotel të kontraktuar nga Ministria e Punëve të Brendshme- thotë drejtori Caka, i cili tërheq vëmendjen se një dyndje e re e emigrantëve kah Kosova, do të ishte e papërballueshme për buxhetin e saj të varfër. “Se, përpjekja e Greqisë për nxjerrjen e azilkërkuesve jashtë, rritja e numrit të azilkërkuesve automatikisht është reflektuar edhe në Kosovë. Bëj thirrje që Kosovës t´i hapen mundësitë në ingranimin e mekanizmave ndërkombëtarë”.

Qendra për Azilkërkues në Prishtinë ka kapacitet për pranimin e 23 personave. Por, ndryshim të madh nuk do të sjell as objekti për 50 persona, i cili po ndërtohet me mjetet e Bashkimit Evropian, sepse numri i azilkërkuesve në Kosovë është gjithnjë e më në rritje.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama