1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova voton

Bekim Shehu | Bahri Cani*
11 Qershor 2017

Në Kosovë që nga ora 7:00 janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet parlamentare. 1.9 milion qytetarë kanë të drejtë vote dhe ata sot vendosin për përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës që ka 120 ulëse.

https://p.dw.com/p/2eTN4
Kosovo Parlamentswahl
Fotografi: DW/B. Shehu

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të tretat me radhë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës me 2008, garojnë 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare. Të drejtën e votës kanë rreth 1.9 milion qytetarë, të cilët do të vendosin për përbërjen e re të kuvendit të Kosovës, i cili ka 120 ulëse.

Në orën 7:00 të mëngjesit janë hapur të gjitha 889 qendrat e votimit. Ndërsa e drejta e votimit mund të realizohet deri në ora 19:00 në mbrëmje.

Daka: vendvotimet janë hapur me kohë

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka, bëri të ditur se në të gjithë territorn e Kosovës janë hapur  të gjitha vendvotimet. "Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre”, tha Valdete Daka. Në një deklarim për Deutsche Wellen ajo u shpreh se KQZ ka ndërmarrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Kosovo Parlamentswahl
Fotografi: DW/B. Shehu

Zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit, sipas KQZ-së, po vëzhgohen nga mbi 29 mijë vëzhgues nga partitë politike, organizatat joqeveritare, vëzhgues nga Bashkimi Evropian si dhe ambasadat e huaja në Prishtinë.

Incidentet në veri

Në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, gjatë fushatës ka pasur disa incidente sporadike. Autoritetet njoftojnë edhe për sulme me armë zjarri dhe armë të ftohta gjatë fushatës, por nuk ka pasur pasoja serioze në njerëz. Njoftohet se në këto zona, por edhe në vendbanimet tjera me shumicë serbe në pjesë qendrore të Kosovës, ka pasur presione ndaj partive politike që nuk janë nën ndikimin e plotë të Beogradit zyrtar. Burimet tona në veri dhe në qendrat tjera me shumicë serbe thonë se gjendja aktualisht është e qetë dhe se votimet po kalojnë pa probleme. Por pasdite pritet një votim më masiv.

Kosovo Parlamentswahl
Fotografi: DW/B. Shehu

Zgjedhjet në zonat e banuara me shumicë serbe janë nën vëzhgimin më intensiv të përfaqëseusve të bashkësisë ndërkombëtare. Procesin zgjedhor po e vëzhgojnë edhe mbi 200 pjesëtarë të OSBE-së, të cilët e kanë edhe rolin këshilldhënës në qendrat e vendvotimit.

Masat e sigurisë dhe votimi i liderëve

Policia  e Kosovës është e angazhuar në të gjithë teritorin e vendit. Ata janë pozicionuar jashtë qendrave të votimit, për të garantuar ambient të qetë dhe të sigurtë për procesin e votimit. Të angazhuar janë edhe rreth 100 prokurorë për të siguruar dhe ndëshkuar të gjitha tentimet për keqpërdorim apo prishje të procesit të votimit. Në orët e paraditës kanë votuar në qendra të ndryshme edhe Presidenti, kandidatët për kryeministër dhe liderët e partive politike, të cilët shpresojnë se zgjedhjet do të kalojnë në një atmosferë të qetë dhe të lirë. Deri tani nuk ka njoftime për incidente serioze, por ka vështirësi në disa qendra zgjedhore, me materialet dhe proceset tenike të votimit.