1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova, zgjedhjet 2007 dhe integrimet evropiane

Esat Ahmeti & Bekim Shehu11 Nëntor 2007

Si e planifikojnë partitë kryesore politike kosovare që të afrohen me strukturat e Bashkimit Evropian!...

https://p.dw.com/p/CIYK
Flamujë evropianë në Bruksel
Flamujë evropianë në BrukselFotografi: EU

Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është dëshirë e shprehur shpesh e pothuajse të gjithë kosovarëve dhe natyrisht përfaqësuesëve të tyre institucional. Në këtë mënyrë kjo çështje ka kohë që është kthyer në agjendë politike të institucioneve. Të gjithë janë të vetëdijshëm se sa mund të përfitohet nga ky proces. Kjo nga përvoja e antarësimit të vendeve tjera të cilat ia dolën të shënojnë transformim në fushat e ndryshme. Por, ky proces, që mund të thuhet është teknik, kërkon kapacitete njerëzore dhe mekanizma përkatës. Këtë e kanë kuptuar edhe institucionet e Kosovës, andaj ka kohë që është formuar Agjencioni për integrime Evropiane pranë Zyrës së kryeministrit të Kosovës. Qeveria aktuale e Kosovës ka përsëritur shpesh premtimin se për të arritur këtë synim do t'i kapërcej të gjitha sfidat që i ka përpara. Nga ana tjetër, mekanizmat e Bashkimit Evropian nuk lejojnë kurrfarë vonese në punën drejt agjendës së Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian monitoron përparimin e Kosovës, si dhe e shoqëron atë në rrugën drejt BE-së, dhe vazhdon t'i mbështesë përpjekjet e saj. Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Kosovën, i datës 6 nëntor, ka vlerësuar se korrupcioni, lufta kundër krimit të organizuar, trafikimi i qenieve njerëzore dhe mosfunksionimi i gjyqësisë janë vetëm disa nga problemet me të cilat ballafaqohet Kosova. Në raport është tërhequr vërejtja se statusi i pazgjidhur politik nuk duhet të marrë tërë energjinë e autoriteteve që të përmbushin kriteret evropiane për integrim të cilat nuk do të ndryshojnë për asnjë vend që aspiron familjen evropiane. Në kuadër të ciklit "Zgjedhjet 2007 - çka pas 17 nëntorit" sot në fokus kemi pikërisht këtë temë.

Në mikrofonin tonë flet fillimisht Hajredin Kuqi nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK):

Në foto Hajredin Kuqi nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)
Në foto Hajredin Kuqi nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)Fotografi: DW

'Raportet me integrimet euroatlantike Partia Demokratike e Kosovës në qeverisjen e ardhshme do t'i kushtoj një rëndësi të veçantë. Ndoshta një e treta e punës së qeverisë do të koncentrohet në bashkëpunimin ndërkombëtar. Në veçanti do të jetë integrimi euroatlantik dhe atë në dy drejtime: orientimi i parë do të jetë angazhimin apo anëtarsimin e Ksovës në mekanizmat ndrkombëtar fillimisht në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe në Bankën Botërore dhe aplikimi i menjëhershëm për anëtarsim në Union Evropian. Ne e dijmë që anëtarësimi në UE kërkon një kohë dhe një procedurë por Kosova qysh tani është duke e përgatitur legjislacionin e vet dhe ne do ta shprehim vullnetin e qytetarëve, besoj përmes Kuvendit të Kosovës dhe aplikacionit formal. Besoj që në këtë drejtim Kosova duhet të jetë e angazhuar maksimalisht dhe veprimet tona duhet të jenë në drejtim të krijimit të ambasadës ndër të parat në Bruksel dhe shfrytëzimit të ndikimit ndërkombëtar. Përparësi është që këtu është i pranishëm faktori ndërkombëtar dhe ne do ta shfrytëzojmë atë për lidhje direkte. Por kjo nuk do të thotë që ne do të jemi ata do të neglizhojmë angazhimin tonë dhe përputhjen e vullneteve do të thoja edhe tonat por edhe të shteteve anëtare të Unionit Evropian'.

Në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pjesë e koalicionit aktual qeveritar flet Avni Arifi:

Në foto Avni Arifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
Në foto Avni Arifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)Fotografi: DW

'Qeveria e Kosovës ka shkrirë standardet në planet e veprimit të partneritetit evropian dhe ky është dokumenti i gjallë në të cilin do të bazohemi në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Njëkohësisht në nivel qendror të gjitha ministrotë dhe në nivel lokal ka forcuar mekanizmat që do të miiren me koordinimin dhe zhvillimin e aktiviteteve që ofrojnë Kosovën drejt BE-së gjithnjë në bashkëpunim me Komisionin Evropian. Njëkohësisht Qeveria e Kosovës ka krijuar Agjensionin për integrime evropiane i cili ka zhvilluar të gjitha politikat para statusit për integrime evropiane. Natyrisht e gjithë kjo është bërë në bashkëpunim me Komisionin Evropian, është bërë forcimi i kapaciteteve, për çdo vit Qeveria e Kosovës dërgon me dhjetëra studentë për studime postdiplomike që kanë fokus të posaçëm Bashkimin Evropian dhe në këtë mënyrë ka kryer të gjitha fazat parapërgatitore në mënyrë që Kosova të jetë e gatshme të punoj drejt Bashkimit Evropian'.

Teuta Sahatqiu aktualisht deputete në Parlamentin e Kosovës nga Partia Reformiste 'ORA':

Teuta Sahatqiu aktualisht deputete në Parlamentin e Kosovës nga Partia Reformiste 'ORA'
Teuta Sahatqiu aktualisht deputete në Parlamentin e Kosovës nga Partia Reformiste 'ORA'Fotografi: DW

'Partia Reformiste-ORA angazhohet për një diplomaci aktive që të përfshihet në proceset të cilat synojnë avancimin e paqës, stabilitetit, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të qëndrueshëm qoftë përmes nismave rajonlae, qoftë atyre globale si OKB, NATO dhe BE. Për të arritur këtë ne në programin tonë kemi paraparë edhe planin e veprimit të Partisë Reformiste ORA në sferën e politikës së jashtme dhe diplomacisë. Në të përfshihen këto pika: njohja ndërkombëtare pra qëllimi kryesor i politikës së jashtme të Kosovës është sigurimi i njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së vendit dhe vendosja dhe ruajtja e marrdhënieve të mira me bashkësinë ndërkombëtare; gjithashtu mendojmë që diplomacia e Kosovës duhet të luaj rol dhe të jetë faktor stabiliteti; pikë tjetër është përkrahja për diasporën; integrimet euroatlantike për të cilat Partia Reformiste ORA angazhohet që politikat e integrimeve euroatlantike të inkorporohen në politikën e brendshme të Ksovës'.

Për Lidhjen Demokratike të Dardanisë mysafir në stuidon e DW-ës në Prishtinë ishte Berim Ramosaj:

Berim Ramosaj, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë
Berim Ramosaj, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të DardanisëFotografi: DW

'Lidhja Demokratike e Dardanisë mendon se sa i përket integrimeve evropiane të Kosovës mendojmë të shohim këtë aspekt në tre dimensione: krijimi i shtetit juridik të qëndrueshëm, ndarja e tre pushteteve - legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit me theks të veçantë një gjyqësor i pavarur, institucione të qëndrueshme dhe funksionale të Kosovës dhe ekonomia e tregut në fakt janë si presupozime apo si premisa të qëndrueshme për aspirimin e Kosovës në strukturat evropiane'.

Nga Aleanca Kosova e Re, nënkryetari Ibrahim Makolli:

Ibrahim Makolli, nënkryetar i Aleancës Kosova e Re
Ibrahim Makolli, nënkryetar i Aleancës Kosova e ReFotografi: DW

'Në rradhë të parë Kosova ka një infrastrukturë ligjore të pajtueshme me standardet ndërkombëtare që e bën shumë më të lehtë këtë integrim, së dyti zhvillimi ekonomik i Kosovës do të mundësonte dhe integrimin e drejtpërdrejt të saj jo veëm në sferën politike por edhe në sferën ekonomike, së treti në Kosovë kemi një numër të madh të rinjëve dhe të rejave tona që janë shkolluar në vendet e ndryshme perëndimore dhe natyrisht që në Kosovë sjellin një frymë krejt ndryshe dhe frymë që është kompatabile me bashkësinë evropiane por edhe më gjerë. Garancia e integrimit të Kosovës në instancat ndërkombëtare është e veçantë edhe për një fakt tjetër: Kosova nëpër këto faza që po kalon ka nevojë shumë të madhe që të jetë pjesë e familjes së madhe evropiane dhe botërore në mënyrë që këto pengesa që i ka pas deri tani të mund t'i tejkaloj për një afat sa më të shpejtë kohor'.

Dhe për fund nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti:

Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës - LDK
Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës - LDKFotografi: DW

'Lidhja Demokratike e Kosovës dhe presidenti Ibrahim Rugova kanë ditur ta përfaqësojnë Kosovën jashtë që nga viti 1990 këtu e 17 vjet më parë. Tani më në fund po bëhemi shtet dhe po realizojmë projektin madhor të nisur nga LDK-ja. Pas shpalljes së pavarësisë që do të ndodh shpejt do të themelojmë dhe funksionalizojmë ministrinë e punëve të jashtme, do të krijojmë shërbimin diplomatik të Kosovës. Projektlifjet për këto të dyja tashmë janë hartuar. Në këto dy institucione do të rekrutojmë njerëzitë më të mirë që i ka Kosova. Pas sigurimit të njohjes së pavarësisë do të zëvendësojmë mekanizmin përcjellës për stablizim-asociim me procesin e plotëfuqishëm të stabilizim-asociimit. Jemi të vetdijshëm për shkallën e reformave dhe spektrin e ligjeve që duhet të jenë në përputhje me standardet e Unionit Evropian. LDK-ja ka në gjirin e vet njerëz profesional, ekspertë që do të bëjnë të mundshëm këtë punë'.