1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova zyrtarisht anëtare e FMN dhe e Bankës Botërore

29 Qershor 2009

Anëtarësimi i Kosovës në këto dy mekanizma ndërkombëtarë do t'i mundësojë vendit një qasje edhe më të madhe në bashkëpunimin global monetar dhe në tregun ndërkombëtar.

https://p.dw.com/p/IddH
Logo e FMN
FMN dhe BB kanë zyrat e tyre në Kosovë që nga përfundimi i luftësFotografi: DW

Anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore do t'i krijojë Kosovës siguri ekonomike, do ta rrisë imazhin e saj në tregjet financiare dhe pritet që shumë investorë të huaj të futen në tregun e Kosovës me një besim shumë më të madh. Kështu konstatojë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Sipas tyre anëtarësimi zyrtar i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Boterore pos përfitimeve ekonomike do të sjellë edhe përfitime politike. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili së bashku me presidentin Sejdiu, qëndrojnë në Washington për të nënshkruar marrëveshjen, thotë: "Si anëtar i FMN-së, shteti i Kosovës do të gëzojë një qasje edhe më të madhe në bashkëpunim global monetar dhe në tregun ndërkombëtar. Me këtë vendim vijnë për shtetin e Kosovës mundësi më të mëdha, por edhe përgjegjësi shumë serioze."

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Boterore kanë zyrat e tyre në Kosovë që nga përfundimi i luftës. Banka Botërore ka ndihmuar me të holla disa projekte të vogla, ndërsa zyra e FMN-së ka mbikqyrur buxhetin e Kosovës. Eksperti ekonomik, Flamur Keqa, shpjegon se çfarë përfitimesh ka Kosova nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, tash pas anëtarësimit.

"Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk përkrah fonde specifike ekonomike, por ky mekanizëm përkrah iniciativat ekonomike në përgjithësi dhe me rastin e lejimit të kredive të ndryshme ky mekanizëm kërkon që të bëhen reforma të caktuara në politikën fiskale. Shembull me rastin e privatizimit të ndërmarrjeve apo me rastin e deficitit në bilancin e pagesave. Pra esenca e financimit nga FMN-ja ka të bëjë me financimin e përgjithshëm ekonomik, shembull kur shtetet nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për t'i përmbushur obligimet që kanë ndaj botës së jashtme", sqaron Flamur Keqa.

Nga Banka Boterore Kosova mund të përfitojë kredi. Kërkesa e parë për një kredi të madhe nga Prishtina zyrtare thuhet se do të bëhet për projektin e autostradës, Vërmicë-Mendare, që lidh autostradën e re të Shqipërisë nëpërmes Kosovës më atë të Serbisë në Merdare. Por krahas këtyre përfitimeve, anëtarësimi zyrtar i Kosovës në FMN dhe Bankën Botërore, hap një kapitull të ri edhe rreth çështjes së borxheve të Kosovës të trashëguara nga ish-federata Jugosllave. Serbia deri tani ka paguar borxhet edhe të Kosovës, sepse Kosovën e ka cilësuar pjesë të saj. Mirëpo, tash pas shpalljes së pavarësisë dhe anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat financiarë ndërkombëtar duhet të nisë një raund negociatash Kosovë-Serbi në mënyrë që palët të dakordohen për ndarjen e borxheve. Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, nga instituti Riinvest, është skeptik nëse këto negociata mund të fillojnë për shkak të marrëdhënieve jo të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Edhe në planin e Marti Ahtisarit është theksuar se duhet një raund negociatash gjashtëmujore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ndarjen e borxheve, mirëpo nëse nuk arrihet marrëveshje, atëherë duhet të caktohet një arbitër ndërkombëtar. Problemi qëndron deri në caktimin e shumës së borxheve dhe deri tek ajo se kush duhet t'i paguajë borxhet në mekanizmat financiar ndërkombëar. Këto borxhe duhej të paguheshin qysh në vitet nëntëdhjetë kur Serbia ka qeverisur ndërmarrjet dhe asetet në Kosovë." - thotë Mustafa.


Mirëpo, edhe nëse Kosova dhe Serbia dakordohen për ndarjen e borxheve, për Kosovën fillon edhe një fazë e re. Kosova duhet të fillojë negociata edhe me mekanizmat financiarë ndërkombëtar, me Bankën Boterore, Klubin e Parisit dhe Klubin e Londës nga të cilat ka marrë kredi për të bërë një riprogramim të borxheve. Qeveria në Prishtinë beson se Kosovës mund t'i falet një pjesë e borxheve për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur në dy dekadat e fundit që për pasojë kanë stopuar zhvillimin ekonomik të vendit.

Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Pandeli Pani