1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: 21 vjet burg për katër aktivistët e Vetëvendosjes

Bekim Shehu
17 Nëntor 2017

Katër aktivistët e Vetëvendosjes mes e tyre edhe deputeti Frashër Krasniqi, akuzohen për sulm me mortajë dore ndaj ndërtesës së kuvendit të Kosovës.

https://p.dw.com/p/2npsN
Symbolbild Justiz Richter Gericht Richterhammer
Fotografi: picture-alliance/dpa/U. Deck

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë katër aktivistë të lëvizjes Vetëvendosja, ndë ta edhe deputetin e këtij subjekti politik Frashër Krasniqi, të cilët akuzoheshin për sulm ndaj kuvendit të Republikës së Kosovës. Katër aktivistët e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti, u dënuan gjithsej me 21 vjet heqje lirie. Deputetit Frashër Krasniqi, iu shqiptua dënimi me tetë vjet heqje lirie, Atdhe Arifi me gjashtë vjet, Egzon Haliti me pesë vjet e gjashtë muaj, ndërsa Adea Batusha është dënuar me dy vjet burgim. Tomë Gashi, avokat i deputetit Frashër Krasniqi, shqiptimin e dënimit (17.11) nga Gjykata Themelore në Prishtinë e cilësoi - siç thotë - "një masakër të drejtësisë”. Sipas tij, prokuroria nuk ka sjellë prova që arrijnë ta dëshmojnë "fajësinë”, e të akuzuarve. Vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, sipas avokatit Gashi do të apelohet.

Sulmi me mortajë dore, sipas policisë, ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës ka ndodhur më katër gusht të vitit 2016, pak kohë pasi Qeveria e Kosovës e dërgoi në Kuvend marrëveshjen për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Në atë kohë, deputetët e Kuvendit të Kosovës me anë të një deklarate politike patën dënuar sulmin mbi ndërtesën e kuvendit të Kosovës: "Ky është një sulm kundër shtetit të Kosovës, interesave të qytetarëve tanë dhe kundër qëllimeve dhe vlerave politike dhe demokratike që afirmojnë subjektet tona politike”, thuhej në deklaratën e Kuvendit të Kosovës.

Në dhjetor të po të njëjtit vit Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzoi katër aktivistët e Vetëvendosjes - siç shkruhet - "që janë përfshirë në veprim në një grup të organizuar, që për qëllim kishin frikësimin e popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Kosovës”.

I akuzuar për këtë rast ishte edhe një aktivist tjetër i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, i cili ndërroi jetë në nëntor të vitit të shkuar në një Qendër Paraburgimi në Prizren. Sipas një ekspertize të prokurorisë, "Astrit Dehari kishte bërë vetëvrasje”, ndërsa lëvizja Vetëvendosje rastin e Astrit Deharit vazhdon ta cilësojë si "vrasje”.