1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krijohet ekipi ligjor që do të mbrojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

Bekim Shehu15 Tetor 2008

Në përbërje të ekipit do të ketë shumë ekspertë ndërkombëtarë. Udhëheqësit më të lartë politik të Kosovës kanë besim në vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe janë të bindur se ajo do ta mbrojë pavarësinë.

https://p.dw.com/p/Fa51
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, thotë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.Fotografi: AP Photo/Visar Kryeziu

Ekipi ligjor i Prishtinës, i cili do të mbrojë ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë do të kryesohet nga Michael ëood, këshilltar ligjor që ka punuar në qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar. Në përbërjen e ekipit ligjor të Prishtinës do të ketë edhe ekpertë të tjerë ligjor ndërkombëtarë, të cilët gjatë ditëve në vijim do të hartojnë platformën me të cilën do të prezantohet rasti i Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, thotë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. "Kosova ka një rast të fortë dhe synojmë të demonstrojmë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që nuk ka asgjë në shpalljen e pavarësisë së Kosovës që e shkel të drejtën ndërkombëtare. 51 shtete tashmë e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur me qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe me kushtetutë moderne që garanton të drejtat e të gjith qytetarëve të saj posaqërisht pakicave kombëtare", thotë kryeministri Thaçi. Edhe Presidenti Sejdiu thotë se Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj dhe do të paraqesë argumentat e veta si shtet i pavarur.

Prishtina zyrtare ka besim në vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe është e bindur se ky mekanizëm ndërkombëtar do të mbrojë shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Mirëpo ende nuk ka informacione se si do të trajtohet rasti i Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Si njësi përbërëse e ish-federatës jugosllave apo, si krahinë në kuadër të Serbisë dhe që e ka shpallur pavarësinë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara tashmë ka kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që ta trajtojë çështjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Ky proces thuhet se do të marrë kohë, por sido që jetë vendimi i Gjykatës, ai nuk është detyrues. Analistët tërheqin vërejtjen se vet fakti që shpallja e pavarësisë së Kosovës do të trajtohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, mund të vonojë njohjet e pavarësisë së Kosovës nga disa shtete të botës të cilat akoma hezitojnë të marrin vendimin.