1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pezullohen konsultimet për samitin e G8 në Soçi

dpa, afp/Mimoza Kelmendi3 Mars 2014

Intervenimi i Moskës në Gadishullin e Krimesë pezullon konsultimet në Soçi për Samitin e G8. Merkel e cilëson aksionin e Rusisë një shkelje të sovranitetit territorial.

https://p.dw.com/p/1BITn
Fotografi: Guido Bergmann/Bundesregierung-Pool via Getty Images

Nisur nga situata mjaft kritike në Ukrainë pas dërgimit të trupave ruse në Gadishullin e Detit të Zi, Krime, shtatë vendet më të fuqishme industrialiste në botë janë shprehur kundër pjesëmarrjes së tyre në konsultimet e Soçit për samitin e G8. Në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë në Uashington thuhet: “Ne liderët e Kanadasë, Francës Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Presidenti i Këshillit Europian, Presidenti i Komisionit Europian bashkohemi për të dënuar shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nga Federata Ruse. Ne kemi vendosur të pezullojmë pjesëmarrjen në samitin G8 që do të zhvillohet në Soçi në qershor”. Deklarata shton se ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë shkel parimet dhe vlerat me të cilat funksionon G7 dhe G8. Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara kërkojnë që të ketë bisedime të drejtpërdrejta mes Rusisë dhe qeverisë së re të Ukrainës në lidhje me të drejtat e njeriut dhe sigurinë.


Ndërkohë presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar propozimin e kancelares Angela Merkel për të ngritur një grup kontakti për Ukrainën. Presidenti rus ka pasur një bisedë me kancelaren gjermane gjatë ditës së djelë (03.03), ku mësohet se kjo e fundit ka deklaruar se ndërhyrja e Rusisë në Krime është shkelje e papranueshme e ligjeve ndërkombëtare. Merkel ka zhvilluar një bisedë telefonike edhe me presidentin amerikan Barack Obama për krijimin e një grupi kontakti që do të gjente një zgjidhje politike për krizën në fjalë.

Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të mblidhen këtë të hënë (03.03) në një sesion të jashtëzakonshmën në Bruksel. Takimi zhvillohet në një kohë kur ushtria ruse vazhdon të forcojë kontrollin e saj në gadishullim e Krimesë. Kryeministri i përkohshëm i Ukrainës në një konferencë për shtyp ditën e dielë(02.03) deklaroi se Rusia i ka shpallur luftë Ukrainës dhe urdhëron mobilizimin e forcave ushtarake. Deri tani presidenti Putin ka injoruar thirrjet e Perëndimit për të tërhequr trupat. Ai këmbëngul se Rusia ka të drejtë të mbrojë interesat e saj dhe të shtetasve rusë që jetojnë në Krime dhe kudo tjetër në Ukrainë.