1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krisje në opozitën kundër Janukoviçit

Roman Gonçarenko/ Auron Dodi1 Shkurt 2014

Protestat kundër presidentit ukrainas, Viktor Janukoviç i detyrojnë tri parti opozitare që të bashkëpunojnë. Por kjo aleancë ka të çara. Ndaj grupeve autonome, politikanë si Vitali Kliçko kanë pak ndikim.

https://p.dw.com/p/1B14i
Protesta ne Ukraine
Fotografi: Reuters/Vasily Fedosenko

Kur dëgjon emrin "Vitali Klitschko", Alexander Moissejenko shtrëngon buzët. Specialisti 35 vjeçar i informatikës nga Odesa nuk ka mendim të mirë për drejtuesin e partisë UDAR (Goditja). "Kliçko nuk ka të drejtë të na thotë neve asgjë", thotë Moissejenko. Kjo vlen edhe për politikanë të tjerë, shprehet zëdhënësi i lëvizjes "Spilna Sprava" (Çështja e përbashkët). "Opozita e ka konfirmuar aftësinë e saj për të vepruar", thotë ai. Moissejenko rri ulur në një çadër ushtarake në bulevardin e praruar të Kievit Hreshçatik, të cilin demonstrues opozitarë e mbajnë të pushtuar që prej dhjetorit. Brenda sheh pirgje rrobash të ndryshme të dhuruara: pulovra, xhaketa, pantallona. Kur temperatura jashtë është -20 gradë, sa më shumë të veshësh, aq më mirë është.

Grindje për ministritë e pushtuara

"Spilna Sprava" ishte në fillim të protestave. "Ne lajmëruam demonstratën e parë fare, kur presidenti Janukoviç bëri të ditur se nuk do ta nëshkruante marrëveshjen e asociimit me BE", thotë Moissejenko. Në Kiev janë qindra njerëz të partisë së tij që janë aktivë. "Edhe në rrugën Hrushevski", thotë ai, pa dhënë detaje. Atje demonstruesit rrinë përballë policëve. Në përleshjet në rrugë ka pasur të vrarë.

Alexander Moissejenko, zëdhënësi i lëvizjes "Spilna Sprava"
Alexander Moissejenko, zëdhënësi i lëvizjes "Spilna Sprava"Fotografi: DW/R. Goncharenko

Së fundi, "Spilna Sprava" tërhoqi vëmendjen me pushtimin që u bëri ministrive. Nga ministria agrare, "Spilna Sprava"-n e dëboi partia populiste e djathtë "Swoboda" (Liria). Një shembull për faktin se demonstrues opozitarë kanë vërtet një objektiv të përbashkët, por nuk veprojnë gjithmonë për një qëllim. Tri partitë opozitare të përfaqësuara në parlament janë vetëm një pjesë e lëvizjes protestuese. Ka rreth një dyzinë grupe të vogla. Disa grupime u krijuan gjatë protestave.

Ekstrëmistët e djathtë si tehu i heshtës

Për të njohur nga afër një prej tyre duhet të shkosh tek i ashtuquajturi "shtab i rezistencës kombëtare" në shtëpinë e sindikatave në Sheshin e Pavarësisë (Maidan). Në një derë xhami në katin e katërt sheh të ngjitura letra si "vetëm nazistët". Derën e kalojnë të rinj me fytyra me maska. Ata e kanë kokën të rruar, mbajnë xhizme dhe uniforma ushtarake. Këtu kanë zënë vend ekstremistët e djathtë të "Pravi Sektor"(Sektori i djathtë).

"Ne nuk jemi as organizatë, as parti, por një bashkim i grupimeve të ndryshme", thotë Andrij Tarasenko, një burrë me mjekër në fillim të të 40-tave. Fjalën "ekstrem i djathtë" ai nuk ka dëshirë ta përdorë: "Ne jemi nacionalistë, nuk jemi shovinistë ose fashistë". Një organizatë krejtësisht e Ukrainës së Veriut "Pravi Sektor" nuk është. Gjysma flet madje rusisht, thotë Tarassenko. "Pravi Sektor" është me sa duket maja e heshtës e protestave të dhunshme kundër policisë. Ata i dallon në flamujt e tyre kuq e zi. Tarassenko nuk e përgënjeshtron që njerëzit e tij hedhin shishe më lëndë djegëse dhe gurë kundër policëve. Disa qindra vetë nga kjo organizatë janë aktivë, thotë ai. Këtë shifër nuk mund ta verifikosh.

Andrij Tarassenko, zëdhënës i "Pravi Sektor"
Andrij Tarassenko, zëdhënës i "Pravi Sektor"Fotografi: DW/R. Goncharenko

Aleancë kundër Janukoviçit

"Pravi Sektor" është më pak e interesuar për një afrim të Ukrainës me BE, sesa për "t'i dhënë fund regjimit të pushtimit". Me këtë ata kanë parasysh presidentin Janukoviç me kursin e tij prorus. Bashkëpunimin me politikanët e opozitës, Tarassenko nuk e përjashton. Por ai dhe njerëzit e tij do t'i pushonin vetëm atëherë përleshjet në rrugë, kur Janukoviçi të japë dorëheqjen.

Udhëheqësit e opozitës nuk janë të të njëjtit mendim. Vitali Kliçko është në bazë të sondazheve politikani më i preferuar opozitar dhe do t'i pëlqente që të kandidonte me dëshirë si kandidat i përbashkët në zgjedhjet presidenciale të vitit 2015. Por edhe Arsenij Jaznejuk nga "Partia Atdheu" dhe Oleh Tjahnybok nga "Svoboda" duan gjithashtu të kandidojnë.

Megjithatë: do të ishte e gabuar që të thuash se protestat opozitare në Kiev dominohen nga ekstremistët e djathtë. Numri i përgjithshëm i tyre nuk duhet të jetë më i madh se disa mijëra. Ka edhe grupe të tjera, që bien më pak në sy, si partia "Aleanca Demokratike", në të cilën aktivistë të rinj angazhohen kundër korrupsionit dhe për një Ukrainë demokratike dhe evropiane. Kur në rrugët e Kievit demonstrojnë qindra mijëra vetë, këta janë shumicën e herëve qytetarë pa parti, të cilët thjesht nuk mund të veprojnë ndryshe. Shumë vijnë nga shtresa e mesme: mësues, nxënës etj.