1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

211011 Euro Finanzminister

22 Tetor 2011

Përpjekjet për zgjidhjen e krizës së euros vazhdojnë, por vendimet për fondin e shpëtimit nuk priten para të mërkurës. Ndërkohë shtohen kritikat për aftësinë menaxhuese në zgjidhjen e krizës së borxheve.

https://p.dw.com/p/12wva
Takim në Bruksel i ministrave të Financave
Takim përgatitor në Bruksel i ministrave të FinancaveFotografi: picture alliance/dpa

Fillimisht u fol për një shtyerje të samitit, pastaj papritmas me dëshirën gjermano-franceze një ndarje e samitit. Vendimet kryesore për ombrellën e shpëtimit të euros, për shpëtimin e bankave dhe ristrukturimin e borxhit të Greqisë nuk mund të merren para të mërkurës së ardhshme (26.10.). Pak para takimit të ministrave të Financave të grupit të euros të premten (21.10.) në Bruksel, presidenti i eurogrupit, kryeministri i Luksemburgut Jean-Claude Juncker, shprehu fuqishëm pakënaqësinë për kaosin në planifikim.

"Efekti i jashtëm është katastrofik. Ne nuk japim këtu shembullin e duhur të një udhëheqje shtetërore të nivelit të lartë dhe në të ardhmen do të na duhet të shohim, se si do ta ndryshojmë sërish imazhin tonë."

Jean Claude Juncker në Bruksel
Jean Claude Juncker në BrukselFotografi: picture alliance/dpa

Fondi i shpëtimit - Bankë më vete

Franca dëshiron që fondi i shpëtimit të bëhet praktikisht një bankë. Ajo pastaj do të mund të huazonte para nga Banka Qendrore Evropiane. Por sipas pikëpamjes gjermane kjo do të rriste rrezikun për taksapaguesit. Përveç kësaj Berlini i druhet një inflacioni të mundshëm. Prandaj siç duket ky opcion nuk ndodhet më në tryezën e bisedimeve. Qeveria gjermane në vend të saj kërkon një zgjidhje përmes sigurimit. Fondi i shpëtimit do të mbulonte një pjesë të rrezikut të mosfunksionimit dhe kjo do të inkurajonte investitorët që të blejnë obligacionet e vendeve të goditura nga kriza. Gjithashtu po shqyrtohet edhe mundësia e përfshirjes së FMN-së.

Mosmarrëveshjet me Francën sa i përket të ashtuquajturave "leva" të ombrellës së shpëtimit EFSF janë sigurisht arsyeja përse komisioni për buxhet i parlamentit gjerman nuk ka vendosur ende për këtë çështje.

Pakënaqësi ndaj Francës dhe Gjermanisë

Por Juncker është i zemëruar për faktin se tërë kohën po flitet pothuajse vetëm për dy vende. "Përse mendohet se në fakt do të mjaftonte që të bien dakord Gjermania dhe Franca? Ne kemi të bëjmë me 17 qeveri, me 17 shtete, me 17 parlamente. Nuk ka vetëm në Gjermani dhe në Berlin një parlament, parlamente ka edhe diku tjetër."

Presioni ndaj krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve evropiane për gjetjen më në fund të një zgjidhjeje të përgjithshme është shumë i madh, nëse jo deri të dielën mbrëma, atëherë më së voni deri të mërkurën në mbrëmje.

Autor: Christoph Hasselbach / Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi