1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moska ndalon adoptimin e fëmijëve rusë nga shtetas të SHBA-së

Markian Ostaptschuk / Vilma Filaj-Ballvora29 Dhjetor 2012

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut e quajnë jo të drejtë ndalimin e adoptimeve si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të SHBA-së për nëpunës rusë, të cilët akuzohen për shkelje të të drejtave të njeriut.

https://p.dw.com/p/17As5
Wladimir Putin
Wladimir PutinFotografi: Reuters

Pavarësisht kritikave presideni i Rusisë Vladimir Putin të premten (28.12.2012)nënshkroi ligjin, i cili ua ndalon shtetasve nga SHBA të adoptojnë fëmijë rusë. Të dyja dhomat e parlamentit rus e patën miratuar më parë këtë ligj. Ligji në fakt jo zyrtarisht mban emrin e fëmijës rus Dima Jakovlev, që vdiq në vitin 2008 në SHBA, pasi i jati që e kishte adoptuar atë në SHBA e kishte harruar në një makinë me nxehtësi të lartë. Por ndalimi i adoptimeve konsiderohet si një reagim ndaj të ashtuquajturit ligji Magnizki i SHBA-së, që parashikon sanksione kundër funksionarëve rusë.

Avokati rus Sergej Magnizki, i cili ka punuar për Hermitage Capital dhe pati bërë publik një skandal korrupsioni në Ministrinë ruse të Punëve të Brendëshme, në vitin 2008 u arrestua nën akuzën për evazion fiskal. Në 2009 ai vdiq në një burg të Moskës nga pasojat e keqtrajtimit dhe mosdhënies së ndihmës. Një gjyq në kryeqytetin rus të premten (28.12.2012) e liroi nga akuza për pakujdesi zëvendësshefin e burgut, Dmitri Kratov. Nuk ka asnjë korelacion mes veprimeve të Kratovit dhe vdekjes së Maginzkit, që ishte i sëmurë rëndë, është konkluzioni i gjyqit. Nga ana tjetër SHBA akuzon Rusinë për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Sergej Magnizki
Sergej MagnizkiFotografi: AP

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut i përshëndesin sanksionet

Ljudmila Aleksejeva, drejtuese e Grupit të Helsinkit në Moskë, e përshëndet qëndrimin e SHBA-së në rastin Magnizki. Sanksionet e SHBA-së, që në fakt drejtohen kundër funksionarëve rusë duke parashikuar ndalimin e udhëtimit të tyre në SHBA dhe bllokimin e xhirollogarive, janë "një masë e drejtë konform gjendjes aktuale të të drejtave të njeriut në Rusi", thekson për DW Aleksejeva. Personat në listën e SHBA-së vërtet i shkelin të drejtat e qytetarëve rusë dhe plaçkisin buxhetin e shtetit. Për këtë ata duhen ndëshkuar, mendon aktivistja e të drejtave të njeriut.

Edhe drejtuesi i OJQ-së ruse "E drejta e fëmijës", Boris Altshuler, i përshëndet sanksionet e SHBA-së ndaj përfaqësuesve rusë të shtetit. "Ligji Magnizki në realitet i mbron qytetarët rusë prej nëpunësve të korruptuar, të cilët shkelin të drejtat e njeriut", i tha ai DW-së. Ndalimi i adoptimeve, sipas Altshuler, në të kundërt ndëshkon fëmijët jetimë në Rusi, të cilët bëhen tani peng. "Ata të gjithë mund të kenë një familje", thekson ai. Altshuler e konsideron ndalimin e adoptimeve si një kundërpërgjigje plotësisht të padrejtë ndaj ligjit amerikan Magnizki.

Ky zhvillim influencon negativisht ndaj marrëdhënieve ruso-amerikane, mendon Aleksej Malascenko nga qendra Carnegie në Moskë. "Duma shtetërore ka diskretituar veten. Ç'qëndrim duhet të mbajnë amerikanët ndaj këtyre deputetëve?", thekson Malashenko në intervistë për DW. Por askush nuk ka interes në përkeqësimin e marrëdhënieve bilaterale. Putin e kupton këtë. "Ndaj besoj, se duhet të ketë ndonjë kompromis", vëren eksperti moskovit i politikës.

Apel i UNICEF-it ndaj Kremlinit

I ngarkuari i presidentit rus për fëmijët, Pavël Astashov, ndryshe nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut ndalimin e adoptimeve e vlerëson si përgjigjen e duhur ndaj ligjit amerikan Magnizki. "Çdo qëndrim armiqësor kundër një shteti tjetër meriton një përgjigje nga sheti, i cili ndodhet në rolin e viktimës", deklaron Astashov. Sipas tij, parimisht u ndalohet adoptimi i fëmijëve rusë të gjitha familjeve nga vende, me të cilat Rusia nuk ka marrëveshje përkatëse - aktualisht marrëveshje për adoptim ekzistojnë vetëm me Italinë dhe me Francën. Marrëveshja e adoptimit me SHBA-në shfuqizohet tani pas nënshkrimit të ligjit nga Putini.

Organizata e OKB-së për fëmijët, UNICEF, i bën thirrje qeverisë ruse që t'i mundësojë edhe në të ardhmen adoptimet jashtë vendit. Moska duhet të kujdeset, që "gjendja aktualisht e vështirë për shumë fëmijë rusë nëpër befotrofe të jetë me prioritet në qendër të vëmendjes", deklaroi drejtori i përgjithshëm i UNICEF-it Anthony Lake. Në këtë drejtim duhet një plan veprimi për forcimin e familjes ruse, por edhe më shumë përkujdesje në familje kujdestare apo edhe përmes adoptimeve jashtë vendit.