1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krizë e thellë në Belgjikë

28 Prill 2010

Në Belgjikë, e cila do të marrë pas dy muajsh presidencën e këshillit të BE-së, do të ketë zgjedhje të reja. Të hënën në mbrëmje (26.4.) Mbreti Albert II. pranoi kërkesën për dorëheqje të kryeministrit Yves Leterme.

https://p.dw.com/p/N8Ks
Yves Leterme jep dorëheqjeFotografi: AP

Siç ka ndodhur shpesh më parë, edhe kjo krizë qeveritare është shkaktuar nga grindja gjuhësore ndërmjet valonëve frengjishtfolës dhe flamandëve, që flasin holandisht. Në qendër të debatit është zona elektorale Brüssel-Halle-Vilvoorde. Kryeqyteti në fakt zyrtarisht është dygjuhësh, por faktikisht aty flitet kryesisht frengjisht. Gjithnjë e më shumë frankofonë vitet e fundit janë transferuar në rrethinat fleminge dhe insisitojnë për të drejtat e tyre gjuhësore. Atje ekziston frika se po humbet karakteri flamand. Politikanë flamandë për shembull, duan t'ua heqin frankofonëve të drejtën e përdorimit të frengjishtes në gjyq.

Në frontin e parë janë liberalët flamandë, Open VLD. Kryetari i tyre Alexander de Croo të premten e kaluar (23.4.) nuk pa më arsye për vazhdimin e bashkëpunimit në koalicionin pesëpartiak, që përfshin si parti valone, ashtu edhe flamande.


Dështimi dhe grindjet

"Kjo zgjidhje ka dështuar. Nuk ka qenë e mundur të respektohen marrëveshjet. Për këtë arsye Open VLD i heq partisë besimin“, tha ai.

Se sa e ngarkuar dhe antifrankofone është atmosfera në rrethinat flamande përreth Brukseli e tregojnë këto shprehje: "Këtu është tokë flamande, për të cilën kanë luftuar flemingët. Kjo është fare e thjeshtë. Dhe frankofonët këtu nuk ka të drejtë të thonë asgjë dhe madje as nuk kanë se çfarë kërkojnë."

Belgischer König nimmt Rücktrittsgesuch von Leterme nicht an
Mbreti Albert II pranon dorëheqjen e kryeministritFotografi: picture-alliance/ dpa

Fjal po kaq të ashpra gjejnë edhe njerëzit në anën tjetër të kufirit gjuhësor. Politikani valon Olivier Maingain është në fakt liberal, si dhe politikani de Croo nga e njëjta parti. Por në këtë pikë ndahen të dyja botët. Maingain ndjen vetëm përbuzje për qëndrimin e de Croosë.

"Ky është nacionalizëm, të cilin edhe një gazetë e madhe si "New York Times" e cilëson si fashizëm të padhunshëm."

Gjeneza e konflikteve gjuhësore

Grindja është po aq e vjetër, sa edhe shteti belg, që u themelua para 180 vjetësh. Tradicionalisht elita belge fliste gjithnjë frengjisht dhe shikonte me përbuzje flamandët, që flisnin holandisht. Në fakt të drejtat e flamandëve janë përmirësuar me thellimin e federalizimit të vendit. Pastaj ata janë pjesa më e fortë e popullsisë, si nga ana ekonomike, ashtu edhe nga ajo demografike. Por kontradiktat e vjetra dalin në sipërfaqe herë pas here. Dhe nuk ka asnjë shenjë për ndonjë zgjidhje të shpejtë.

A është në gjendje një vend në një krizë të këtillë të marrë përsipër me 1 korrik presidencën e radhës së BE? Zëdhënësja e Komisionit Pia Ahrenkilde shprehet me optimizëm.

"Ne kemi besim të madh që Belgjika do ta marrë përgjegjësinë e plotë në lidhje me presidencën e këshillit", thotë ajo.

Por ajo që tingëllon si konstatim, mund të jepet si kërkesë urgjente drejtuar politikanëve belgë, që të kujdesen për vendosjen e raporteve të qarta para 1 korrikut. Bëhet fjalë për më shumë se një qeveri stabile për një gjysëm viti. Bëhet fjalë për atë në se Belgjika ka të ardhme si shtet.

A do të ndahet Belgjika?

Në një anketim për gazetën ditore "Le Soir" 22% shprehen për ndarjen e plotë të dy pjesëve të vendit. Akoma më shumë janë thellimin e federalizmit, që do të thotë një ndarje më e madhe e pjesëve të vendit në llogari të qendrës. Historiani belg Dirk Rochtus është i qetë, kur e pyet për perspektivën e Belgjikës. "Nqs Belgjika decentralizohet ose biles shpërbëhet një ditë prej ditësh – e kam fjalën ne jemi gjithsesi në BE. Unë gjithnjë them, nqs do të thyhet veza belge, ne vazhdojmë të jemi në omletën evropiane", shpjegon ai.

Kryeministri i dikurshëm i Francës, Charles de Gaulle në atë kohë duke patur parasysh bashkimin evropian pat qenë shprehur për një "Evropë të Atdheve" dhe se me vezët e ziera fort nuk mund të bësh omletë. Edhe pse që atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar, edhe sot shumica e politikanëve evropianë nuk e kanë kuptuar konceptin e omletit evropian.

Autor: Christoph Hasselbach/Angjelina Verbica

Redaktoi: Bahri Cani