1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza e Kobanit rrezikon procesin e paqes

Thomas Seibert9 Tetor 2014

Kurdët e akuzojnë Ankaranë se ajo shpreson që nëse Kobani do të bjerë në dorë të IS-it mund të shkatërrohen organet vetëqeverisëse kurde në veri të Sirisë.

https://p.dw.com/p/1DSGv
Fotografi: picture-alliance/Emrah Gurel/AP Photo

Në rrugët e Dijarbakirit u ndezën zjarre, u dëgjuan të shtëna dhe u ngritën barrikada. Forcat e sigurimit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion kundër demonstruesve kurdë të cilët hodhën gurë dhe fishekzjarre në drejtim të policisë. Pamje të ngjashme si në qytetin kurd në juglindje të Anadollit pati në shumë qytete turke gjatë të mërkurës. Kudo kurdët dolën në rrugë për të protestuar kundër politikës ndaj Sirisë të kryeministrit Ahmet Davutoglu dhe presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Sot njoftohet për të paktën 18 të vdekur. Në shumë qytete sheh në rrugë makina të djegura, dyqane dhe supermarkete të shkatërruara dhe plaçkitura. Në gjashtë provinca është shpallur ndalim qarkullimi. Për rendin në këto vende në vend të policisë do të kujdeset ushtria që ka stacionuar në këto vende ushtarë të armatosura. Në rrugët dhe kryqëzimet e rëndësishme janë vendosur tanke. Për zemërimin e kurdëve kontribuuan edhe raportet, sipas së cilave militantët islamikë janë përgjegjës për vdekjen e demonstruesve kurdë. Sipas njoftimeve të pakonfirmuara të medias, anëtarët e partisë islamike Huda hapën zjarr mbi pjesëmarrësit në demonstratat e kurdëve.

Türkei Ausschreitungen Proteste Kurden Istanbul Polizei
Fotografi: GettyImages/Ilyas Akengin

Erdogani ka acaruar situatën

Për javë të tëra kurdët në Turqi po ndjekin me zemërim në rritje qëndrimin pasiv të qeverisë turke në lidhje me rrethimin e qytetit kurd Kobani në Siri prej milicisë terroriste "Shteti Islamik" (IS). Edhe pse qyteti gjendet në kufiri me Turqinë dhe rrethuesit duken edhe me sy të lirë nga territori turk, ushtarët turq të stacionuar në kufi nuk po sulmojnë me tanket dhe artilerinë e tyre.

Vetëm sulmet ajrore të SHBA-së dhe të aleatëve u krijuan pak hapësirë mbrojtësve kurdë të këtij qyteti. Turqia nga ana e saj refuzon t'u ndihmojë kurdëve në Kobani dhe ve si kusht për këtë që SHBA të sulmojnë në Siri edhe trupat e presidentit Bashar al-Asad. Kurdët e akuzojnë Ankaranë se ajo shpreson që nëse Kobani do të bjerë në dorë të IS-it mund të shkatërrohen organet vetëqeverisëse kurde në veri të Sirisë. Vetë Erdogani e ka acaruar situatën me thënien se Kobani do të bjerë së shpejti në duart e IS-it.

Türkei Demonstranten Protest Kurden IS Polizei Istanbul
Fotografi: Reuters/Osman Orsal

Përshkallëzim i rrezikshëm

Në rast se Erdogani besonte se kjo çështje do të zgjidhej vetiu ai gabon. Kriza në Kobani shkaktoi një acarim vdekjeprurës në rrugët e qyteteve turke. Dhe në rast se Kobani bie në duart e IS-it kjo mund ta shkatërrojë procesin historik për përfundimin e konfliktit 30-vjeçar mes kurdëve përreth PKK-së dhe Turqisë. Gazetari turk Aydin Engin tha në bisedë me DW-në se fakti që në përleshjet e fundit me policinë nuk ishin të përfshirë vetëm aktivistë të PKK-së por edhe qytetarë të thjeshtë të bën të mendosh se procesi i paqes është në rrezik. Sipas tij qeveria turke duhet të japë një sinjal për t'i qetësuar kurdët. Ky mund të ishte p.sh. një ndihmë idirekte për kurdët në Kobani.

Korridor për Kobanin

Shefi i partisë siriane të kurdëve PYD, Salih Muslim, që është aleat i PKK-së, i ka kërkuar qeverisë në Ankara t'u mundësojë luftëtarëve kurdë nga zonat e tjera të Sirisë që të shkojnë për në Kobani përmes territorit turk. Një "korridor" i tillë mund t'i vijë në ndihmë Kobanit dhe në të njëjtën kohë të tregojë vullnetin e mirë të qeverisë turke.

Türkei Diyarbakir Syrien Protest Ausschreitungen
Fotografi: Reuters/Stringer

Por Ankaraja nuk i është përgjigjur kësaj kërkese, sepse sipas deputetit kurd në parlamentin turk Ertugrul Kürkcü, udhëheqja turke ndjek vetëm një qëllim, largimin nga pushteti të Asadit. Ai mendon se edhe pse kurdët e Sirisë do të ishin aleatë të natyrshëm të Turqisë, Ankaraja nuk do t'i forcojë kurdët dhe prandaj sipas tij nuk do ta pranojë idenë e korridorit. Sipas politikanit turk gjendja e rrezikshme mund të përkeqësohet më tej.