1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza e refugjatëve mos ta pengojë heqjen e vizave

Bekim Shehu/Prishtinë20 Janar 2016

Ministri i Integrimeve Evropiane të Kosovës Bekim Çollaku i flet DW për vonesat në liberalizimin e vizave. Ai ndalet edhe në pasojat e krizës së refugjatëve dhe të pezullimi të Shengenit nga disa shtete të BE-së.

https://p.dw.com/p/1HhHE
Kosovo Bekim Collaku EU Minister
Fotografi: picture-alliance/AA/D. Aydemir

DW: Zoti Çollaku, në fund të vitit të shkuar Komisioni Evropian tha se Kosova duhet të përmbushë edhe tetë kritere për liberalizimin e vizave. Ju javën që shkoi informuat Komsionin Evropian se i keni përmbushur edhe këto tetë kritere. Tash kur mund të ketë një përgjigje lidhur me procesin e liberalizimit të vizave?

Çollaku: Është e vertë që në raportin e vitit të shkuar të Komisionit Evropian u precizua që Kosova kishte edhe tetë kritere të paplotësuara. Ne i morëm ato rekomandime shumë seriozisht dhe punuam shumë gjatë javëve të fundit për t'i plotësuar ato tetë rekomandime, punë kjo që është bërë edhe gjatë tre muajve të fundit. Për këtë qëllim javën e kaluar kam dërguar një informatë shtesë në Komisionin Evropian, me të cilën kam njoftuar se tetë kriteret që ishin të hapura tashmë janë plotësuar. Ne tash po presim që Komisioni Evropian t'i ndërmarrë hapat e vet sa më shpejt që është e mundur dhe presim që një gjë e tillë të ndodhë gjatë javëve në vazhdim.

DW: Ministër, sa mund të pasqyrohet në procesin liberalizimit të vizave për Kosovën pezullimi i përkohshëm i Shengenit nga disa vende të BE-së për shkak të krizës së refugjatëve?

Çollaku: Sigurisht që nuk është një zhvillim pozitiv dhe mund të mos ketë reflektime pozitive në qoftë se kriza me Marrëveshjen e Shengenit shkon duke u thelluar edhe me tutje. Mirëpo, unë jam i bindur se Bashkimi Evropian, lidershipi i Bashkkimit Evropian do ta gjejë konsensusin e nevojshëm politik për t'i adresuar problemet që kanë derivuar për shkak të krizës së madhe të refigjatëve. Në rastin e Kosovës, kriza e refugjatëve dhe problemi me Shengenin nuk e ndihmon fare procesin. Mirëpo duhet t'i ndajmë gjerat. Kosova është duke kërkuar heqjen e vizave dhe nuk është duke aplikuar për t'u anëtarësuar në Marrëveshjen Shengen, kështu që në mënyrë të drejtpërdrejtë pezullimi i përkohshëm i Shengenit nga disa vende të BE-së nuk ndikon në Kosovë. Mirëpo mund të ndikojë në vullnetin politik të atyre shteteve që janë të prekura nga fluksi i madh i refigjatëve. Por, unë jam i bindur që do të gjendet një zgjidhje e duhur për ta trajtuar problemin e refugjatëve në kuadër të BE-së, dhe nuk dua të besoj që Kosova do ta paguajë çmimin e krizës së refugjatëve në BE dhe të mos përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave.

DW: Zoti Çollaku, procesi i liberalizimit të vizave dhe dilalogu me Serbinë janë dy procese të ndara, mirëpo, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka thënë publikisht që nuk mund të udhëtojë për në Bruksel për të vazhduar dialogun me Serbinë nëse nuk ka një përgjigje pozitive nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën. A mund të cilësohet ky një kushtëzim që po i bën qeveria e Kosovës Bashkimit Evropian?

Çollaku: Së pari shteti i Kosovës dhe qeveria e Kosovës ka një partneritet strategjik me Bashkimin Evropian dhe siç e thatë edhe ju, procesi i liberalizimit të vizave, provesi i dialogut dhe pastaj procesi i anëtarësimit në BE, janë tri procese të ndara, mirëpo, prapë se prapë njëri me tjetrin i ka reflektimet e veta qoftë në mënyrë indirekte apo në forma të tjera. Zhgënjimi i institucioneve të Kosovës me vonesat krejtësisht të panevojshme të BE-së lidhur me procesin e liberalizimit të vizave është krejtësisht i arsyeshëm dhe legjitim. Mirëpo, obligimet shtetërore të qeverisë së Republikës së Kosovës janë obligime që ne i kemi marrë përsipër dhe të cilave ne duhet t'u dalim ballë.

Ndërsa sa i përket pjesmarrjes së kryeministrit në takimin e radhës në dialogun me Serbinë, kur do që të caktohet data nga Bashkimi Evropian, unë jam i bindur që kryeministri si udhëheqës i këtij procesi do ta marrë vendimin e merituar, i cili do të respektohet nga institucionet e Repoublikës së Kosovës. Çfarëdo vendimi që do të marë kryeministri ai do ta ketë përkrahjen e partnerëve të kabinetit qeveritar.

DW: Ministër Çollaku, të flasim për një çështje tjetër. Parlamenti Evropian nesër voton për marrëveshjen e MSA-së të cilën Kosova tashmë ka disa muaj që e ka nënshkruar. Mirëpo në tekstin e marrëveshjes së MSA, BE është neutral ndaj statusit të Kosovës. Mund të ketë implementim të MSA-së, në këtë format apo, herët e vonë duhet të ketë ndërhyrje në marrëveshje, varësisht prej rrjedhave politike në BE në raport me Kosovën?

Çollaku: Siç dihet marrëveshjen e MSA-së Kosova tashmë e ka ratifikuar në parlamentin e saj dhe kemi hartuar planin kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së MSA-së dhe nga ana e Kosovës të gjitha procedurat janë të shterrura sa i përket kësaj çështjeje dhe ne vetëm po presim dhënien e pëlqimit formal nga ana e Parlamentit Evropian, në mënyrë që marrëveshja të fillojë të zbatohet ashtu siç është nënshkruar. Nuk do të ketë nevojë për asnjë lloj intervenimi qoftë të natyrës teknike apo të ndonjë natyre tjetër.

DW: Ministër Çollaku, pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Sa mund të thuhet se të gjitha vështirësitë që ka aktualisht Kosova në integrimin e saj në strukturat e BE-së edhe me vonesa apo të natyrave tjera, kanë të bëjë pikërisht me faktin e mosnjohjes së Kosovës si shtet nga pesë vende të BE-së?

Çollaku: Nuk mund të thuhet një gjë e tillë. Marrim si shembull vonesat përsa i përket procesit të liberalizmit të vizave: kjo nuk buron nga fakti që pesë shtete të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo buron nga kriza aktuale e natyrës së krizës së refugjatëve, me të cilën po ballafaqohen shtetet anëtare te BE-së dhe nga frika në rritje që kësaj krize nuk po i shihet fundi. Mirëpo kjo nuk lidhet aspak me këto pesë vende. Në çështjet e tjera siç ishte rasti i MSA-së, natyrisht që gjithmonë ka pasur ndërhyrje nga këto pesë shtete, të cilat kanë kërkuar që gjuha e marrëveshjes të jetë sa më neutrale. Mirëpo varësisht nga hapat në të cilat ndodhet Kosova, i vërejmë edhe reflektimet eventuale që vijnë nga këto pesë shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por nuk mund të themi se këto pesë vende janë bllokuese të Kosovës në integrimet e saja në strukturat e BE-së, përkundrazi, ato deri tash janë treguar shumë gjeneroze në përkrahjen e Kosovës drejt avancimeve në agjendën evropiane.