1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rikthim në itinerarin e rrezikshëm të Mesdheut

Nina Niebergall11 Prill 2016

Itinerari ballkanik u mbyll: Po Greqia? Nga aty shumë refugjatëve iu mbetet rruga e kthimit në Turqi. Libia rikthehet në fokus. Dhjetëra mijëra vetë në këtë vend janë në pritje të shansit për të udhëtuar drejt Italisë.

https://p.dw.com/p/1ISRr
Italien Bootsflüchtlinge
Fotografi: picture alliance/dpa/Italian Navy

Drama europiane e refugjatëve nuk filloi me karavanin e gjatë në Ballkan. Ajo ka filluar shumë më herët, me bandat e kontrabandistëve dhe gomonet e tejmbushura, që shpesh humbisnin drejtpeshimin në Detin Mesdhe, e fundoseshinediku mes brigjeve libiane dhe ishullit Lampedusa në Itali. Ngjarja më tragjike: Në natën e 18 prillit të vitit të kaluar një anije mallrash përmbyset në rrugën drejt Italisë. Vetëm 28 vetë shpëtohen. 700 të tjerë mbyten.

Alternativa të rrezikshme

Itinerari i kontrabandistëve përmes Detit Mesdhe nuk është vetëm shumë më i rrezikshëm, por edhe më i shtrenjtë se përmes Turqisë, Greqisë e vendeve ballkanike. Shumë sirianë e irakianë ndoqën këtë rrugë. Por për shkak të kontrolleve kufitare ky itinerar përfundon për shumë vetë në rrugë qorre. Pas marrëveshjes BE-Turqi shumë refugjatë kërkojnë tani mënyra të tjera si të vijnë në Europë.

Tunesien De Maiziere trifft Hédi Majdoub in Tunis
Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas De Maiziere flet me ministrin e Brendshëm të Tunizisë, Hédi Majdoub (djathtas), 01.03.2016Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Fischer

Zëdhënësja për Europën Jugore e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për refugjatët, UNCHR, Carlotta Sami, para kësaj gjendjeje bëri fjalë për „rrezikun e një shpërthimi të ri të itinerarit nga Libia në Itali. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin llogarit që në tre muajt e ardhshëm rreth 16.000 vetë do të guxojnë të kalojnë detin me gomone, 60% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Modelin e Turqisë edhe për Afrikën e Veriut?

Për shkak të rikthimit të sfidës së vjetër, politika është e detyruar të veprojë. Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière e shikon marrëveshjen me Turqinë si një model edhe për vendet afrikanao-veriore. Kjo do të thotë rikthim të refugjatëve ilegalë në vendet e origjinës, e në vend të tyre pranim të „kontigjenteve humanitare“ në BE, deklaroi politikani i CDU-së. „Kjo metodë është rruga e duhur, këtë duhet ta praktikojmë edhe për itinerarin qendror të Mesdheut nga Afrika Veriore drejt Italisë.“ Por në të njëjtën kohë ministri gjerman shton se „kjo do të jetë shumë më e komplikuar se me Turqinë.“

Ndërkohë kontrabandistët bëjnë të ditur në Facebook se biznesi i trafikimit do të fillojë në javët e para të prillit. Kapiteni Bastian Fischborn, zëdhënës i misionit të marinës të Bundeswehr-it gjerman thotë në intervistë për Deutsche Welle-n, se në këtë kohë merr fund edhe moti i keq në Mesdheun qendror. “Megjithatë si gomonet ashtu edhe varkat e drunjta nuk janë të përshtatshme për të përshkuar një distancë të tillë prej 450-600 kilometra.”

Flüchtlinge aus Nordafrika in Chemnitz
Refugjatë nga Afrika Veriore në GjermaniFotografi: picture-alliance/dpa/H. Schmidt

Telefoni për raste urgjence

Me pasojat merret përditë prifti me origjinë Eritrea, Mussie Zerai. Që nga vera e vitit 2004 kleriku, që jeton tani pas arratisjes nga vendlindja në Zvicër, është shpresa e fundit për refugjatët e gomoneve në rrezik për jetën. Numri i tij i telefonit qarkullon mes migrantëve nga Eritrea, Somalia e Etiopia, madje ai është shkruar edhe në muret e kampeve të refugjatëve në Libi apo në varka. Vetëm së fundmi ai mori një telefonatë nga një gomone me 80 veta në bord që synonte të mbërrinte në brigjet italiane, thotë ai për DW: “Kishte filluar një erë e fortë, shumë vetë ndodheshin për herë të parë në një varkë e nuk dinin të notonin”, thotë Zerai. Gomonja mbushej me ujë. Prifti nga Eritrea njofton menjëherë autoritetet italiane, por ai e di se shpesh zgjat deri në tetë orë, derisa roja bregdetare të afrohet në vendin e ngjarjes. Deri në këtë moment disa vetë janë mbytur.

150.000 deri në 200.000 presin në qytetet bregdetare përreth kryeqytetit libian, Tripoli që moti të përmirësohet për të ardhur drejt Europës, njoftojnë shërbimet sekrete. Federica Mogherini, e ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme ka paralajmëruar se 450.000 refugjatë mund të marrin rrugën drejt Europës, edhe për shkak të gjendjes së pastabilizuar politike në Libi.

„Mundësi legale për të ardhur në Europë“

Zëdhënësi i marinës gjermane, Bastian Fischborn thotë se vetëm 6 sirianë kanë ardhur përmes Mesdheut këtë vit, njoftimi bazohet në të dhënat e Ministrisë së Brendshme italiane. “Pavarësisht nëse shfaqen pengesa, këta njerëz do të kërkojnë rrugë të tjera për të ardhur në Europë.” Këto mund jenë edhe nga Greqia, Turqia drejt Shqipërisë e Malit të Zi për të mbërritur drejt Italisë. Për priftin nga Eritrea, Mussie Zerai në plan afatgjatë ka vetëm një zgjidhje. “Bashkimi Europian duhet të krijojë mundësi legale për të ardhur në Europë: programe humanitare, visa, bashkim familjar. Ky është hapi i parë për të ulur numrin e njerëzve që duan të vijnë në Europë, përmes Detit Mesdhe.”