1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza edhe e reformon Ballkanin Perëndimor drejt BE

23 Nëntor 2009

´

https://p.dw.com/p/Kdj5
Athina, Akropoli
Athina, Akropoli

DW: Zoti Papandoniu, parë me optikën e fjalës së urtë të njohur kineze, a është vërtet kriza aktuale edhe një shans përshpejtimi i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor?

PAPANDONIU: Kriza u kushtoi shumë vendeve ballkanike, pasi patën rënie të madhe të prodhimit dhe ritme negative zhvillimi. Po ju them se për 2009-ën, ritmet e zhvillimit do të jenë - 6.2%. Por kohëzgjatja e krizës duket se nuk do të jetë e madhe: largimi i kapitaleve ishte më i vogël se krizat e mëparshme, qeveritë e rajonit i erdhën në ndihmë aktivitetit ekonomik, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian u qëndruan në krahë ekonomive të dobëta të Evropës Juglindore. Ky është edhe mjedisi që e kthen krizën njëkohësisht dhe në një shans për vendet e rajonit që të fillojnë sërish reformat, të konvergojnë më shumë politikat e tyre ekonomike me ato të ekonomive të Bashkimit Evropian. Gjithsesi ,të gjithë biem dakord se kjo përbën një komponent kritik për zhvillimin e mëtejshëm të Evropës Juglindore, integrimin e saj të plotë në Bashkimin Evropian.

DW: Cilat janë ato masa kyçe që duhet të marrin të nxitur nga kriza vendet e rajonit, që do t'i shndërrojnë ato në faktor stabiliteti rajonal në periferinë evropiane?

PAPANDONIU: Siç sqarova edhe në referatin tim, rëndësi kritike ka shëndoshja edhe modernizimi i administratës dhe institucioneve, pra i shtetit. Vendet euroatlantike e kanë kuptuar se ka kaluar koha e shtetit sa pak të pranishëm. Privatizuan, liberalizuan – dhe mirë bënë - por këtej e tutje rëndësi ka shteti cilësor, kualiteti i institucioneve dhe kjo është ajo që do ta ndihmojë zhvillimin ekonomik, por edhe funksionimin e rregullt të sistemit shoqëror. E dyta është të rregullojnë sistemin financiar, sepse aty pati probleme me investime të tepruara, me kreditim të tepruar në valutë të huaj. Duhet të ndërtojnë tregje kapitalesh të brendshme më të fuqishme. . E treta është të vazhdojnë të thithin kapitale nga bankat e mëdha investuese ndërkombëtare, por edhe të shfrytëzojnë rolin e tyre si nyje energjitike midis dy kontinenteve. Në qoftë se kjo realizohet në një klimë konvergimi me Brukselin, besoj se edhe rimëkëmbja do të vijë edhe integrimi evropian i tyre do të arrihet.

Ish-ministri i ekonomisë kombëtare të Greqisë, Papandoniu
Ish-ministri i ekonomisë kombëtare të Greqisë, PapandoniuFotografi: DW/Anagnost

DW: Materializimi i tri premisave kritike që përmendet në ç'pengesa po has?

PAPANDONIU: Burokracia, mungesa e efikasitetit, korrupsioni, përbëjnë pengesat kryesore si në ndërmarrjen dhe kompletimin e nismave afariste, po kështu edhe në reformimin dhe modernizimin cilësor institucional. Në këtë kontekst vendet ballkanike lypset njëkohësisht të investojnë më shumë në arsim dhe në potencialin njerëzor, pasi në kohën e ekonomisë së dijes, që jetojmë kjo përbën faktor themelor zhvillimi.

DW: Ekziston një opinion, që ushqen edhe hezitimin e Perëndimit për një zgjerim të ri, se Brukseli nuk tregohet aq i “rreptë” sa duhet dhe e gjykon ecurinë integruese të Ballkanit Perëndimor më shumë me kritere politike.

PAPANDONIU: Gjithnjë ekzistojnë çështje të motivimit politik: vullneti i mirë dominoi edhe në rastin e zgjerimit të 2004-ës me 10 shtetet e reja, pasi pak nga ato i përmbushnin kriteret e BE. Kështu kishte ndodhur edhe me Greqinë, dekada më parë, që prapëseprapë duhet thënë se ishte gjykuar më rreptë se dy fqinjët e saj Rumania dhe Bullgaria, të integruara në vitin 2007. Atje ku s'ka bërë dhe s'ka për të bërë skonto BE janë të drejtat e njeriut dhe liritë demokratike. Ky predispozicion dhe motivim politik evropian do të favorizojë vendet e rajonit në masën që ato vetë do të zgjidhin edhe çështjet e tyre politike. Kjo është që e bën p.sh. integrimin e Bosnjë-Hercegovinës të duket në këto momente disi e largët, apo atë të FYROM-it me pikëpyetje, për shkak të konfliktit për emrin. Siç e kuptoni, Bashkimi Evropian do të hezitojë shumë të integrojë vende që kanë probleme të hapura dhe divergjenca të mëdha me fqinjët e tyre, përfundoi zoti Janos Papandoniu.

Intervistoi: Niko Anagnosti/Athinë

Redaktoi: Auron Dodi