1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza politike në Shqipëri në tryezën e presidentit Topi

5 Shkurt 2010

Rezoluta e Këshillit të Evropës për Shqipërinë, kontaktet e diplomatëve përendimorë kanë përshpejtuar përgatitjet për negociatat mazhorancë - opozitë. Presidenti Bamir Topi ka njoftuar fillimin e kontakteve paraprake

https://p.dw.com/p/LuBy
Parlamenti i Shqipërisë që pas zgjedhjeve bojkotohet nga opozita
Parlamenti i Shqipërisë që pas zgjedhjeve bojkotohet nga opozitaFotografi: AP

E gjithë vëmendja është fokusuar tek selia e Presidencës në Tiranë. Edhe më skeptikët e kundërshtarët tashmë u bindën se negociatorin mes mazhorancës dhe opozitës do ta bëjë Presidenti i Republikës. Bamir Topi nuk u ngut të bënte arbitrin në konfliktin afër 5 mujor edhe pse nuk munguan kritikat. Ai priti që vetë palët ta pranonin publikisht. Dhe më kryesorja është se në sinkron të plotë me atë që shprehu Këshilli i Evropës në rezolutën e fundit për Shqipërinë tani janë dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë - se ai duhet të negociojë mes Berishës dhe Ramës.

Mentor Nazarko, komentator politik, ka qënë këshilltar për median dhe politikën pranë ish presidentit Rexhep Meidani (1997 -2002). Ai mendon se angazhimi aktual i Këshillit të Europës për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri nuk duhet parë si një iniciativë e veçuar. “KE është duke i bashkërenduar përpjekjet dhe me Bashkimin Europian dhe me SHBA. Nënteksti i të gjithë kontakteve më të fundit të ndërkombëtarëve me faktorin politik në Shqipëri është i qartë: se kriza, agravimi i saj nuk mund të tolerohen” - thotë Nazarko për DW.

Duke iu referuar rolit të presidentit Bamir Topi, ai shprehet se zgjidhja e krizës nuk mund të kuptohet se është thjesht në dorën e tij. Por në duar të palëve. Konkretisht të dy forcave kryesore politike, PD e PS.

Thelbësor është vullneti i tyre për të gjetur një zgjidhje. Presidenti mendoj se është një palë që nuk ka pozicion. Pavarësisht një lloj respekti që ka opozita për të mungon respekti nga ana tjetër, nga ana e shumicës. Unë nuk mendoj se zoti Topi ka shumë për të influencuar. Hiq faktin se duke qënë se mes dy “gjelave” të politikës, të cilët kanë qënë deri më tani shumë të acaruar me njeri -tjetrin, ai mund t'i qetësojë. Por nuk është se ka shumë “armatim”, shumë bagazh institucional për t'i çuar në një zgjidhje”.

Për Mentor Nazarkon, presidenti Bamir Topi do të ketë si mbështetje të fuqishme faktorin ndërkombëtar. Kjo është treguar deri tani me kontaktet intensive të diplomatëve përendimorë qoftë më Berishën e qoftë me Ramën. “Ndërkohë që prej datës 22 shkurt e më pas është paralajmëruar ardhja në Tiranë e përfaqësuesve të Këshillit të Europës. Çka do ta rrisë edhe më shumë presionin për kompromis dhe rivendosjen e dialogut dhe vazhdimin e reformave thelbësore”, thotë Nazarko për DW.

Analisti Afrim Krasniqi ka qënë për pesë vjet këshilltar politik i ish presidentit Alfred Moisiu (2002-2007). Duke gjykuar nga qëndrimet e skajshme mes dy selive kryesore partiake në Tiranë, Krasniqi tregon skepticizëm për arritjen e një zgjidhjeje që do të dalë nga vetë palët.

“Në kushtet aktuale zgjidhja do të vijë nga ndërkombëtarët dhe do të vijë në formën e presionit. Jo në formën e zgjidhjeve teknike nga ato që mund të diskutohen në tryezën e rrumbullakët”, thotë Afrim Krasniqi për DW.

Duke u nisur dhe nga përvoja të mëparshme të arritjes së zgjidhjeve pas situatave të acaruara, Krasniqi thotë se është e domosdoshme që të hiqet dorë nga vendosja e kushteve paraprake.

“Kjo do të thotë se nëse palët deklarojnë se shkojnë tek tryeza e presidentit pa vendosur kushte paraprake, atëhere çdo opcion mbetet i hapur. Nëse dy palët vazhdojnë të thonë atë që deklarojnë edhe tani se nuk kanë kthim prapa për hapje ose moshapje të kutive të votimit, atëhere tryeza e tyre do të jetë diçka formale dhe nuk do të japë rezultat. Përshtypja ime në dallim me tryezat e mëparshme është se kjo lloj tryeze po imponohet nga të huajt. Dhe palët po shkojnë aty, jo më shumë për të arritur një marrëveshje se sa për t'u thënë ndërkombëtarëve se ne jemi të gatshëm për dialog dhe jemi të gatshëm të respektojmë vendimet e Këshillit të Europës”.

Analisti politik Afrim Krasniqi thotë për DW se akti i pritshëm i negociatave, vlerësimi dhe përballimi i tyre deri në fund është një test i rëndësishëm për klasën politike shqiptare. “Është testi konkret për të vlerësuar gatishmërinë për hapat konkretë drejt BE, për të shikuar progresin në performancën politike, por dhe aftësinë për të kryer e thelluar reformat e kërkuara dhe të domosdoshme”.

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi