1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza sprovon fort sistemin e pensioneve në Greqi

18 Dhjetor 2011

Problemet patogjene dhe kryesisht recesioni i ekonomisë me papunësinë e paparë, që pritet të arrijë në 1 milion vetë vitin e ardhshëm, kanë venë në sprovë sistemin e pensioneve në Greqi.

https://p.dw.com/p/13V2N
Protesta në Greqi
Protesta në GreqiFotografi: dapd

Praktika e shkurtimeve të pensioneve pesë herë në dy vitet e fundit «është një rrugë pa krye, që vetëm cfilit të siguruarit”, i thotë DW drejtori i Institutit të Punës të Federatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë, Savas Robolis. Për imigrantët mbetet ëndërr një marrëveshje ndërshtetërore, që do t'u njihte vitet e punës për efekt pensioni. Pohimi i fundit i sekretares së ministrisë Greke të Punës, Athina Dretta, se ftohemi të “menaxhojmë hiçin”, për sa u përket fondeve për pensionet, dëshmon gjendjen dramatike të organizmit më të madh të siguracionit social IKA, me 2.7 milionë të siguruar. Arkat bosh janë “vepër” e rrethit vicioz të krizës, që me rreth 800.000 të papunë dhe pikiadën e kontributeve po vë në pikëpyetje akordimin e pensioneve. “Gjithnjë vështirësohemi këtu e dy vjet për të mbuluar shpenzimet. Vetëm 3-mujorin e fundit na u deshën 1.2 miliardë euro”, thotë ministri i Punës Jorgos Kutrumanis, i cili “qyrkun e fajit” ia vesh recesionit, por edhe administratës së mëparshme me shpërdorimet, pensionet false dhe mosvjeljen e kontributeve, që arrijnë në 7 miliardë euro.

Qeveria ndjek avazin e shkurtimit të vazhdueshëm të pensioneve

Pensionistja Llambrini Aleksandri
Pensionistja Llambrini AleksandriFotografi: DW

Qeveria i rikthehet edhe njëherë avazit të saj të njohur të shkurtimeve, kësaj radhe të pensioneve suplementare“ me unifikimin e 5 arkave ekzistuese dhe reduktimin e tyre nga 10 deri 70%”. “Preken gjithë njerëzit dhe nesër pasnesër nuk do të ketë siguracion im bir, nuk do të ketë idenë se çdo të thotë siguracion social”, i thotë Deutsche Welles pensionistja Llambrini Aleksandri, që tani çdo muaj merr 400 euro më pak nga pensioni i saj fillestar, i sakrifikuar në altarin e shëndoshjes financiare të organizmit IKA. Sapo kthehej nga një protestë para zyrave të tij në rrugën Sokratus kundër vendimit qeveritar për marrjen e një kredie të re prej 3.5 miliardë eurosh për akordimin e pensioneve. “IKA nuk ka nevojë të kreditohet me 3.5 miliardë se ne do t'i shlyejmë, ka obligacione rreth 13.5 miliardë, aq sa i lanë nga 26 që kishte, të cilat duhet t'i rivendikojë”, thotë Llambrimi, e cila kërkon si gjithë qytetarët, por ende pa rezultat ndëshkimin e të gjithë atyre, që i kthyen në “obligacione toksike” kontributet e mundit dhe djersës të një jete të tërë të punonjësve. Për fat të keq rasti i paraburgimit të kreut të arkës së punonjësve të shtypit Dhimitris Kapranos me akuzën e abuzimit në blerjen e obligacionit të strukturuar prej 136 milionë eurosh në vitin 2006, pasi në llogarinë e tij bankare në Zvicër u depozitua të njejtën periudhë një shumë prej 1.8 milionë eurosh, përbën vetëm një përjashtim dhe ai në sektorin privat.

Instituti i Punës: “Rrugë pa krye shkurtimet e pensioneve”

Savas Robolis: Drejtori i Institutit të Punës të Federatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë
Savas Robolis: Drejtori i Institutit të Punës të Federatës së Përgjithshme të Punonjësve të GreqisëFotografi: Savas Robolis

Problemi i defiçitit të arkave, që ishte në krye dhe të axhendës së takimit të kësaj jave të ministrit të Punës me krerët e troikës, bëhet gjithnjë e më shpërthyes dhe për vitin 2012 parashikohet të arrijë në 6.5 miliardë euro nga 4.5, që është sot. Kjo kryesisht për shkak të papunësisë, që sipas Institutit të Punës të Federatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë vitin e ardhshëm do të arrijë në 21% (1.050.000), kurse ajo reale në 26 % dhe 1.500.000 vetë. “Menjëherë pas festave do të vijë një projektligj, që do të shkurtojë pensionet suplementare dhe në qoftë se nga muaji mars të ardhurat nuk do të jenë optimale do të bëhet një orvajtje e re shkurtimesh”, i thotë DW drejtori i Institutit Savas Robolis, i cili sheh tek shkurtimet një “rrugë pa krye”. Ashtu si edhe tek varianti i moshës së pensionit, që i shpëton arkat, vetëm në qoftë se zgjatet deri në 82 vjeç!!

Gjashtë në çdo dhjetë pensionistë marrin më pak se 680 euro Zgjidhjen ai e sheh tek “gjetja e burimeve plotësuese”, si e vetmja rrugë për “rivendosjen e ekuilibrit në sistemin e siguracionit social”, siç ishte kërkuar qe në vitin 2009. “Kur gjashtë në 10 pensionistë të Greqisë marrin më pak se 680 euro, e kuptoni se kur shkurtohen pensionet, vetëm sa u krijohen probleme serioze njerëzve të mundit, cfiliten dhe nuk mund të mbijetojnë”, thotë Robolis, i cili bashkohet me vërejtjen tonë se shkurtimet janë të një niveli të tillë, që tashmë prekin edhe parimin e shpërblimit konform kontributeve. “Me pesë shkurtimet, që janë bërë dy vitet e fundit, mendoj se është përmbysur proporcioni midis kontributeve dhe përfitimeve dhe në këto momente jemi në një nivel proporcioni negativ”, thotë Robolis për të shtuar se është koha që “qeveria me zgjidhjet alternative të korrigjojë padrejtësinë”, që në thelb është antikushtetuese.

Imigrantët të dëshpëruar nga mungesa e një marrëveshjeje ndërshtetërore për pensionet

Imigranti shqiptar Astrit Korbi
Imigranti shqiptar Astrit KorbiFotografi: DW

Në pozitë akoma më dëshpëruese janë imigrantët, brezi i parë i tyre me jetën dhe kontributet të ndara midis dy vendeve. "Këtu në Greqi tepër vështirë, unë kam gati 2.500 ensima (shënimi ynë: pulla siguracioni) dhe jam i bindur se nuk arrij dot minimumin 4.500, se edhe punë nuk ka, edhe mosha mblodhi. Këto ensima nuk do të na vlejnë një ditë për efekt pensioni, do të shkojnë thjesht për skemën greke”, i thotë DW Astrit Korbi nga Skrapari, që pret vetëm pensionin minimal të “shtetit amë për sigurim vullnetar”. Vitet që punonte si nëpunës shkuan e vanë. “Në këtë situatë, që ndodhet sot Greqia dhe me imigrantët, që largohen për shkak të papunësisë, shpresat për një pension po shkojnë drejt zeros. Edhe ëndrrat e grekëve janë tronditur, jo më të ne imigrantëve”, thotë Astriti.

Pala greke: “Aktualisht e pamundur, por nuk mbyllim dyer dhe jemi të hapur për një zgjidhje, kur të kalojë kriza.”

Koniukturës së vështirë i mëshon edhe shefja e sektorit të marrëveshjeve ndërshtetërore në ministrinë greke të Punës, Polina Cami, e cila ndërkohë e pranon se nga pala shqiptare “është bërë kërkesë që në vitin 1995 dhe në vitin 2003 është nënshkruar edhe protokolli i bashkëpunimit (ligji 3929/2003) në fushën e siguracionit social. “Por koniuktura është e disfavorshme, vendi po çapitet, ndodhet në gjendje të keqe ekonomike” dhe veç kësaj “nuk janë të njejta edhe sistemet e sigurimeve shoqërore”, vëren për shkaqet frenuese. Për të është mit “modeli ideal i marrëveshjes me Australinë”, që merret rëndom si shembull dhe për të cilën, siç sqaron, janë dashur 17 vjet dhe “nuk të siguron pension të dytë në Australi, kur pensioni i parë i akorduar në Greqi është më i madh.” “Gjithsesi jemi të hapur për ta parë problemin në të ardhmen, jemi pozitivë, nuk mbyllim dyer, imigrantët e siguruar duhet të marrin atë, që u takon”, thekson Polina Cami. Një gjë, që “nuk mund të bëhet aktualisht pa rezultatet e ristrukturimit të sistemit të siguracionit dhe me troikën mbi kokë.”

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica