1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza ushqen në Greqi racizmin kundër të huajve

12 Korrik 2012

Sulmet raciste kundër të huajve janë të përditshme në Greqi. Pas sulmeve fshihet shpesh organizata raciste "Agimi i Artë". Edhe pse forcë parlamentare, me të huajt ajo flet vetëm gjuhën e dhunës.

https://p.dw.com/p/15W0x
Populistët e djathtë në Greqi nxisin kundër të huajve: në foto Jorgos Karaxhaferis
Populistët e djathtë në Greqi nxisin kundër të huajve: në foto Jorgos KaraxhaferisFotografi: DW

Reporterja e njohur e çështjeve të imigracionit, Ana Sotirhu e di mirë se çdo të thotë të bësh reportazh për rastet e dhunës raciste kundër imigrantëve, që po marrin trajtën e një kreshentoje të rrezikshme. “Reportazh i shkruar mbi shtypshkronjë” i referohet rastit më të fundit në distriktin Niqea të Athinës: një grup huliganësh hyn në dyqanet e imigrantëve pakistanezë, u kërkojnë t'i mbyllin dhe u japin afat një javë të largohen nga Greqia. “Kjo gjë është më tepër se një shenjë alarmi. Rrahjet e përditshme pa shkak nëpër rrugë apo dyqane, akoma edhe natën nëpër banesa, siç ndodhi  në Pire me egjiptianët po marrin trajtën e pogromeve raciste,” thotë Sotirhu duke bërë fjalë “për akte të dënueshme ekstreme të së drejtës penale”. Vetë organizata Human Rights Watch, në një raport të ditëve të fundit për periudhën gusht 2009-maj 2012 jep një tablo të zymtë të sulmeve raciste, “që në një pjesë të madhe as deklarohen nga viktimat”. 

Joanna Sotirhou flet për DW
Joanna Sotirhou, publiciste, flet për DWFotografi: Nikos Anagnostou

Pas sulmeve raciste - shpesh organizata neonaziste Agimi i Artë

Viktimat e dendura të sulmeve të tilla, sidomos imigrantët me ngjyrë, në qoftë se janë të pafatë dhe nuk merren në mbrojtje nga qytetarë të pranishëm, siç ndodh në shumë raste, përfundojnë në spital nga furia e dhunës dhe urrejtjes raciste. Autorë të këtyre akteve mund të jenë edhe të rinj të vetmuar, të verbuar nga racizmi, por kryesisht janë ithtarë të partisë raciste dhe neonaziste Hrisi Avgji (Agimi i Artë), që e përfaqësuar tashmë në parlament, me 19 deputetë, verbalisht mundohet të distancohet nga dhuna, por praktikisht ndodhet pas saj. “Këto grupe kanë hyrë edhe në parlament. Sulmet e përditshme në distriktet e varfëra të punëtorëve, që më parë kanë qenë distrikte refugjatësh, bëhen nga qytetarë të organizuar në një formacion të caktuar politik me ideologji dhe politikë raciste dhe ekstreme, siç është Agimi i Artë” thotë bashkëbiseduesja jonë e cila flet për “njollë” të demokracisë.

Imigrantët: “mbeturina”, për ithtarët e Agimit të Artë

Sa herë “hidhet guri dhe nuk mund të fshihet dora”, siç ndodhi në Niqea, Agimi i Artë nuk e ka për gjë të mbrojë aktet e tij të dhunës në emër të “patriotizmit”. Bile në thirrjen drejtuar “patriotëve” për të marrë pjesë në antitubimin e 5 korrikut, që u shndërrua në përleshje me banorët dhe aktivistët antiracistë, që manifestuan me parullën “Jashtë fashistët nga Niqea”, Hrisavgjitët   i cilësonin imigrantët “mbeturina”.

E majta: “Indekset sociale në Greqi të ngjashme me ato të Gjermanisë që lindi nazizmin”

Për anëtarin e Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë së majtë radikale SYRIZA, Panos Kosmas “për fat të keq në Greqi sot për shkak të krizës dhe dëshpërimit që lind kemi shfaqjen e një organizate të fuqishme neonaziste, me 7% në parlament, që në qoftë se e majta dhe lëvizjet antiraciste nuk bëjnë diçka do të kemi zhvillime të rrezikshme”. “Që të bëjmë bile një analogji historike, indekset sociale sot në Greqi fillojnë dhe u afrohen indekseve të Gjermanisë së periudhës midis dy luftërave: Papunësi shumë e lartë, zyrtarisht  22 % kurse realisht 25%, recesion shumë i thellë për të pestin vit me radhë, gati 7%, në qendër të Athinës 25.000 të pastrehë, pra një vend në krizë humanitare. Në kushte të tilla lind dëshpërimi, kundravajtja, dhuna e Zhan Valzhanit, dhuna e mafieve të organizuara dhe kemi një zhvendosje të politikave shtetërore me kahje raciste” thotë Kosmas.

Panos Kosmas, anëtar i Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë SYRIZA
Panos Kosmas, anëtar i Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë SYRIZAFotografi: Nikos Anagnostou

 Nuk janë të pakta zërat, si ai i bashkëbisedueses sonë Sotirhu, që fajësojnë autoritetet si “shembullin e keq” të dhunës raciste kundër imigrantëve me operacionet e famshme “Fshesa”. E më tej retorikën paraelektorale të vetë kreut konservator dhe kryeministrit aktual Samaras, për “rimarrjen e qyteteve nga klandestinët”. Por në qoftë se opinioni për “tolerancë të vetë stablishmentit politik ndaj dhunës raciste” konsiderohet i tepruar dhe i pabazë –dhe është i tillë – pyetja që shtrohet është ç'bën politika, nga ana e saj, për menaxhimin e problemit. “Qëndrimi i shtetit në çështjen e imigrantëve është një qëndrim spekulimi politik” thotë Kosmas, për sa kohë qeveria, p.sh, sipas tij refuzon të shtrojë problemin e marrëveshjes Dublini II. Kjo i mban imigrantët të bllokuar në Greqi dhe e trajton problemin e tyre si “grek” dhe jo “evropian”, kur nuk mund as t'i integrojë as t'i kthejë pas në mungesë të marrëveshjeve të riatdhesimit.

Ndryshim i pritshëm konservator i ligjit për imigrantët

Më kryesorja, siç thotë edhe Sotirhu, “nuk ka pasur dhe as ka një politikë të qartë për imigracionin” dhe tani askush nuk e di se “ku do të qëndrojë bile me marrëveshjen tripartiake për imigrantët”. Aktualisht gati nuk flitet fare për imigrantë, sipas saj, por vetëm për klandestinë. Kështu mbetet të shohim në çkah do të ndryshojë ligji për nënshtetësinë e fëmijëve të imigrantëve dhe si do të përkthehet në praktikë ajo që tha kryeministri Samaras në deklaratat programatike se “do të kemi dhe në Greqi atë çka është në fuqi në pjesën tjetër të Evropës”. “Mbetet ta shohim, Greqia nuk është si çdo vend tjetër evropian, Greqia është portë hyrjeje, kurse Evropa destinacioni i fundit i udhëtimit, një vend  në kolaps dhe hemoragji të gjithanshme ekonomike dhe sociale, një vend me papunësi të madhe për vetë qytetarët e saj, që kur ushtron një politikë represioni ndaj të huajve vetëm sa e përkeqëson problemin” thotë politikani i majtë grek duke paragjykuar ndërkohë një “ndryshim konservator”. Agimi i Artë, që kërkon abrogim të ligjit dhe akuzon konservatorët për “tërheqje” dhe “mashtrim të elektoratit”.

Është vërtet “paradoks historik”, siç e quan bashkëbiseduesi ynë,  që vendi i emigrimeve të mëdha, akoma edhe në ditët e sotme për shkak të krizës, “të lindë dhe të përqafojë një rrymë raciste dhe naziste, siç duket se po ndodh”. Ndaj dhe Festivali i sivjetshëm i 16-të antiracist në Athinë u përjetua si një një notë optimiste, një “festë solidariteti” ndaj të huajve dhe një “jo” e fuqishme kundër racizmit. “Ishte një festival tejet masiv, një kundërpërgjigje kundër racizmit dhe Agimit të Artë” thotë Kosmas për të shtuar se “kjo është demokracia e vërtetë greke”, “Greqia që duan vetë evropianët”.

Autor: Niko Anagnosti/ Athinë

Redaktoi: Auron Dodi